Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve të 2025-ës, duke nënvizuar se opozita është refuzuar nga një pjesë e madhe e qytetarëve përmes mosdaljes në votime.
Sipas tij, edhe Partia Socialiste ka pasur rënie në vota krahasuar me 2021-in, por ka rikuperuar me diasporën.
“Në mos gaboj, mungojnë rreth 200 mijë vota, të cilat tregojnë se e kanë refuzuar opozitën nëpërmjet mos daljes në votime. Partia Socialiste kishte dhe rënie nga vota e 2021. Më pak se 30 mijë, por e rikuperoi me diasporën. Të kthehemi në analizën që PS ka shfrytëzuar pushtetin.
Ka pasur problematika. Pa diskutim që ka pasur problematika. Por a janë të deformuara në thelb këto zgjedhje? Janë të deformuara tërësisht. E ndryshojnë rezultatin apo jo? I jap të drejtë në mënyrë hipotetike, apo ta quaj dhe në mënyrë të drejtë siç e ka opozita, po i heq 1, po i heq 2, por jo 20 mandate”- tha Sula.
Duke folur për zhvillimet e brendshme në Partinë Demokratike dhe rolin e ish-kryetarit Lulzim Basha, Sula theksoi se kurrë nuk ka besuar se Sali Berisha është larguar ndonjëherë nga drejtimi i PD-së.
“Unë nuk kam besuar kurrë që Berisha ka ik ndonjëherë nga kryetar i PD-së. Unë nuk bëj pjesë tek ato naivët. Berisha vendosi një administrator në biznesin e tij dhe administrator në biznesin e tij ka qenë Lulzim Basha.
Basha s’ka qenë asnjëherë. Edhe kjo u demonstrua shumë saktë pas vendimit të 9 shtatorit. Njëherë të vetme që Lulzim Basha u bë burrë, për të dalë zotit Berisha, e kullufiti dhe e hoqi atje ku shkoi. Berisha ishte i kënaqur me administratorin që vidhte nga një çik dhe administrator që të bënte nga një përfitim të vetin”-tha ai.
I pyetur nga gazetarja nëse Flamur Noka apo Albana Vokshi i janë përgjigjur deklaratave të tij të mëparshme, Sula tha: “Nuk ka shans ata t’i bien telefonit tim. Kam respekt për zotin Berisha dhe për efekt moshe, edhe për efekt bashkëpunimi që kam pasur dhe i kam besuar verbërisht si babai im shpirtëror dhe i PD-së. Dy njerëzit që i fryjnë në vesh dhe ia kanë bërë kokën llall Berishës janë Noka dhe Albana Vokshi.”/e.t