Arktiku është kthyer në një skenë të re të përplasjes gjeopolitike mes Rusisë dhe NATO-s. Shkrirja e akujve ka hapur rrugë të reja detare dhe ka ekspozuar burime të mëdha natyrore, duke e kthyer rajonin në një objektiv strategjik për fuqitë botërore. Rusia, që prej më shumë se një dekade, ka investuar rëndë në remilitarizimin e këtij territori, duke krijuar baza të reja ushtarake dhe përmirësuar flotën e saj veriore.
Një prej simboleve të këtyre përpjekjeve është doku lundrues rus 200 metra i gjatë, i cili do të shërbente për riparimin e anijeve akullthyese me energji bërthamore, element kyç për kontrollin e Rrugës Detare të Veriut. Kjo rrugë, kur nuk është e ngrirë, e shkurton ndjeshëm distancën mes Europës dhe Azisë. Por rruga e dokut drejt Murmanskut u ndërpre përkohësisht, pasi Britania vendosi sanksione ndaj anijes “Vengery”, duke e detyruar atë të kthehej në Rusi dhe duke e lënë dokun e bllokuar në Mesdhe.
Ky zhvillim përkoi me vizitën e Sekretarit të Jashtëm britanik, David Lammy, në Norvegji dhe Islandë, dy aleatë kyçë në kufirin verior të NATO-s. Lammy deklaroi se “Arktiku po bëhet një zonë me rëndësi strategjike gjithnjë në rritje dhe një nga krahët kryesorë të mbrojtjes së NATO-s”, duke shtuar se Rusia ka ndërtuar prezencën e saj ushtarake atje për vite me radhë.
Putini ka bërë investime të mëdha në Flotën e Veriut, e cila tani numëron 18 nëndetëse dhe anije luftarake me raketa hipersonike. Me një rreze veprimi prej 1000 kilometrash, raketat Zirkon paraqesin një kërcënim real për objektivat perëndimore. Megjithatë, lufta në Ukrainë ka dobësuar ndjeshëm aftësitë ushtarake të Rusisë, duke i dhënë NATO-s një mundësi për të forcuar pozitat e saj në rajon.
Norvegjia dhe Britania po zgjerojnë bashkëpunimin ushtarak. Ushtritë e të dy vendeve zhvilluan së fundmi stërvitje të përbashkëta në Arktik, përfshirë manovra që simulojnë mbrojtjen ndaj raketave ruse, shkruan A2 CNN. Norvegjia ka nisur një plan 12-vjeçar për rritjen e shpenzimeve për mbrojtje, duke përfshirë teknologji kundër dronëve dhe nëndetëseve. Britania, nga ana tjetër, ka vendosur avionët e rinj P-8 Poseidon për zbulimin e nëndetëseve dhe po ndan teknologji me Norvegjinë.
Analistët vlerësojnë se për të frenuar ambiciet ruse në Arktik, Perëndimi duhet të kalojë nga stërvitjet e profilit të lartë në praninë e përhershme ushtarake. Mendohet se rishikimi strategjik i mbrojtjes nga ana e qeverisë britanike mund të përfshijë vendosjen e trupave të përhershme në Arktik, në modelin e bazës në Estoni.
“Prania e vazhdueshme e flotës dhe forcave të armatosura në veri është ajo që i jep vërtet efekt strategjisë së parandalimit ndaj Rusisë,” thekson Per Erik Solli, kolonel norvegjez në pension. Ai shton se prioriteti kryesor për Norvegjinë duhet të jetë fuqizimi i marinës së saj luftarake, përfshirë nëndetëset dhe avionët F-35 të pajisur me armatim anti-anije.
Ndërkohë që temperaturat në Arktik ngrihen, rreziku i një përplasjeje në këtë zonë të ftohtë por me rëndësi të nxehtë strategjike, po rritet dita-ditës./e.t