Në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave vendosi disa ndryshime në përbërjen e grupit negociator të Shqipërisë për aderimin në Bashkimin Europian.
Qeveria vendosi zëvendësimin e ish zëvendësministres së Arsimit, Nina Guga, me Orjana Osmanin, zëvendësministren aktuale të Arsimit.
Po ashtu, Adela Xhemali, zëvendësministre e Financave, negociatore përgjegjës për kriteret ekonomike dhe kapitujt 32 dhe 33, është zëvendësuar me Erjona Çelën, zëvendësministre e Financave, si negociatore përgjegjës për kriteret ekonomike dhe kapitullin 33, si dhe Andi Memetin, zëvendësministër i Financave, në rolin e negociatorit përgjegjës për kapitullin 32
VKM:
V E N D I M PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.422, DATË 6.5.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRBËRJEN, RREGULLAT E FUNKSIONIMIT DHE TRAJTIMIN FINANCIAR TË GRUPIT NEGOCIATOR DHE DETYRAT E KRYENEGOCIATORIT PËR ZHVILLIMIN E NEGOCIATAVE TË ADERIMIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË BASHKIMIN EVROPIAN”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, dhe të vendimit nr.749, datë 19.12.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore, përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e traktatit të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, me propozimin e ministrit të Shtetit dhe Kryenegociator, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 1, të kreut I, të vendimit nr.422, datë 6.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, rregullat e funksionimit dhe trajtimin financiar të grupit negociator dhe detyrat e Kryenegociatorit për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Fjalët “Zëvendësministri i Financave, përgjegjës për tatimet dhe doganat” zëvendësohen me “Z. Florian Semani, zëvendësministër i Financave”.
b) Togfjalëshi “Znj. Nina Guga” zëvendësohet me “Znj. Orjana Osmani”.
c) Fjalia “Znj. Adela Xhemali, zëvendësministër i Financave, negociator përgjegjës për kriteret ekonomike dhe kapitujt 32 dhe 33;” zëvendësohet me “Znj. Erjona Çela, zëvendësministër i Financave, negociator përgjegjës për kriteret ekonomike dhe kapitullin 33;”.
ç) Pas paragrafit të fundit shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“- Z. Andi Memeti, zëvendësministër i Financave, negociator përgjegjës për kapitullin 32.”.
2. Ngarkohen grupi negociator i Republikës së Shqipërisë dhe institucionet, sipas pikës 1, të kreut I, të këtij vendimi, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”./kb