Barcelona u kufizua në dhënien e një informacioni më të detajuar në deklaratën që dërgoi në orën 20:21 të mbrëmjes, pasi firmosi zyrtarisht rinovimin e Lamine Yamal deri në vitin 2031.
Megjithatë, në përputhje me zgjatjet dhe nënshkrimet e fundit të kontratës, ai nuk e shtoi shumën e klauzolës së përfundimit. Sipas “Mundo Deportivo”, klauzola mbetet e vendosur në 1 miliard euro. Kjo shifër ishte ajo që Barça njoftoi më 2 tetor 2023, kur ai nënshkroi rinovimin e tij të mëparshëm. Barcelona nuk e ka modifikuar klauzolën, sepse dokumenti i nënshkruar nga Yamal të martën është një rregullim i kontratës që ai tashmë e kishte, me kushte shumë më të mira page pas asaj që ai ka treguar në fushë me fanellën blaugrana gjatë dy sezoneve të fundit. Shifrat e pagës së tij janë plotësisht sekrete, por kontrata përfshin një bonus nëse ai fiton “Topin e Artë”. Leo Mesi kishte një të tillë për çmimin “FIFA The Best”.
Ceremonia zyrtare e së martës në zyrat e Barcelonës nuk përfshiu shpërndarjen e imazheve nga klubi në zyrën e presidentit Joan Laporta dhe pjesës tjetër të pjesëmarrësve, përfshirë Jorge Mendes, përfaqësuesin e lojtarit dhe disa anëtarë të familjes së Yamal, siç janë prindërit e tij. Megjithatë, Lamine kërkoi që fotografitë të mos shpërndaheshin deri pas kthimit të tij nga pushimet më 13 korrik, që përkon me datëlindjen e tij të 18-të.
Ndërkaq, gazeta “Mundo Deportivo” ka siguruar dhe hollësi të tjera nga kontrata e Yamal. Sipas saj, ylli i ri i Barcelonës ka kërkuar më shumë duke nisur nga sezoni i ri. Nuk po flasim për para, sepse ato ia ka ofruar tashmë klubi. Ai ka kërkuar më shumë protagonizëm. Që do të thotë që ai të jetë një ndër ekzekutuesit e penalltive në ekip dhe një nga ekzekutuesit e goditjeve standarde. Gjëra këto që duhet t’i ketë parasysh dhe trajneri Hansi Flik./ D.C