Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka bërë një deklaratë në rrjetin social X, ku akuzon drejtpërdrejt grupin e Dritan Gjikës për një atentat të dështuar ndaj tij.
Sipas Petro-s, ky grup kriminal drejton një nga linjat ndërkombëtare të trafikut të drogës, me bazë në Abu Dhabi.
“Ky quhet karteli i trafikut të drogës, me qendër në Abu Dhabi. Ata kontrollojnë një rrjet prokurorësh dhe, nëpërmjet CTI-së, portin e Buenaventurës. Janë autorët e vrasjes së prokurorit paraguaian Pecci dhe kanë arritur të mbulojnë autorët e vrasjes brenda prokurorisë. Kanë tentuar të më bëjnë atentat pa sukses,” shkruan Petro.
Dritan Gjika, një emër i njohur për drejtësinë ndërkombëtare, është ndaluar në Abu Dhabi së bashku me disa bashkëpunëtorë të dyshuar për lidhje me trafik droge dhe vrasje me porosi.
Presidenti Petro nuk ka dhënë më shumë detaje për atentatin e pretenduar, por ka paralajmëruar se lufta ndaj karteleve të drogës dhe bashkëpunëtorëve të tyre në sistemin e drejtësisë do të vijojë pa kompromis.
Dritan Gjika, i cilësuar si kreu i një organizate kriminale në trafikun e tonelatave me kokainë, u arrestua në Emiratet e Bashkuara Arabe, mbrëmjen e së hënës. Për 47-vjeçarin shqiptar ishin lëshuar dy urdhër arreste ndërkombëtare, një në Ekuador e një tjetër në Spanjë. Gjika akuzohet për trafik droge, pastrim parash dhe krim të organizuar.
Për herë të parë, ai mbërriti në Ekuador në vitin 2009 me vizë turistike të përkohshme, por më pas u shndërrua në një prej personave më të kërkuar në vend, pasi udhëhiqte një organizatë kriminale që operonte si në Ekuador ashtu edhe në Spanjë.
Ai ndërtoi një rrjet të sofistikuar trafiku ndërkombëtar droge dhe pastrimi parash, duke përdorur kompanitë e tij të regjistruara ligjërisht si kamuflim për aktivitetin kriminal. Organizata e trafikut që drejtohej nga Dritan Gjika u godit më 6 shkurt të 2024-ës. Në atë kohë u arrestuan të paktën 30 persona dhe u sekuestruan 2 tonë kokainë.
Kjo organizatë ishte e ngarkuar për dërgimin e tonelatave të kokainës të prodhuara në jugperëndim të Kolumbisë, dhe e kamufluar në kontejnerë me eksporte frutash nga Ekuadori, kryesisht në banane. Sipas hetuesve të huaj, kjo organizatë kriminale akuzohet për të paktën 11 dërgesa me kokainë, nga porti i Guayaquil, më i madhi në Ekuador, drejt vendeve evropiane si Belgjika, Holanda dhe Spanja.
Disa ditë më parë edhe Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka bërë një deklaratë duke akuzuar drejtpërdrejt mafien shqiptare si organizatore të një komploti që synonte destabilizimin e zgjedhjeve presidenciale të 25 majit.