Ferri im

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Edison Ypi

Jam i sëmurë me grip. Unë dy metra burrë po ndeshem dhëmbë për dhëmbë me një virus që mezi duket me mikroskop. Ja në shesh të burrave, ja në arenë, ja mbi tavolinë, armët që po përdor në këtë luftë:

Telekomandë. Asnjë sëmundje nuk shërohet pa efektin çudibërës të shetitjes kanal më kanal, banak më banak, surrat më surrat, rrenë më rrenë.

Banane që e kafshoj ndonjëherë, në atë mënyrë, që, deri ditën kur të lindem, çdo ditë të bëhem me kalama se një ditë më parë.

Thikë, armë e ftohtë për çdo rast, po erdhi ndonjë të më thotë se bota është e sheshtë.

Lëng portokalli, lëng limoni, ujë i gazuar, që i kthej her njërin her tjetrin për ta ftohur sadopak vullkanin e gurrmazit.

Një sprite kundër acarimit të gjuhës dhe qellzës virusin nuk e vret, por të paktën e plagos.
Kuti e madhe me vegla shpëtimtare për kohë lufte gripale, si ngjitëse, tableta, bustina, tuba, kablla.

Ibupropfen. E provova tre ditë rrjesht, s’më bëri asnjë efekt.

Tylolhot. E ka fal Zoti. Bëri efekt menjëherë.

Dy termometra, që po të thyhet njëri, vazhdon tjetri. Si heronjtë. Njëri bie, mijëra ngrihen.

Lupë për të lexuar gërmat e vogla të manualeve paisjeve elektro shtëpiake si thekse buke, tenxhere me presion, frulator etj.

Kuti e vogël kartoni me vegla të domosdoshme brenda, prerës thonjsh, lapustile, etj.

Telekomandë Nvidia Shield Pro, shpikja kaurreske më fantastike për të parë rrjedhshëm filma me cilësi të lartë.

Celular Android pa të cilin s’mund të jetoj.

Tabletë Android, pa të të cilën s’mund të ekzistoj

Libër me poezi të përkthyera nga Petraq Kolvica. Mes tyre, këto vargje nga Anna Ahmatova:

“Ka fjalë që nuk thuhen për së dyti
I the, përsëritja është kot i kotit
Të pambarim janë vetëm kaltërsitë
e qiellit…
dhe përdëllesa e Zotit”.

Copë letër mbi të cilën kam shkrojtur “Grace Quigley”. Është titulli i filmit ndoshta më të bukur që ekziston. Një grua ka mbetur e vetme. Shkon i troket në derë një vrasësi me pagesë. I lutet që, kundrejt një shume modeste, ta vrasë edhe atë, gruan e vetmuar pra. Llaf e muhabet, ai për të vrarë, ajo për të vdekur, pasi këmbejnë hallet, vijnë në vete, nisin të ngjallen.

Lexo edhe :  Dënimi i kursimtarit shqiptar

Kuti qelqi që nuk e di ça ka brenda. Kur ta hap nëse gripi do vazhdojë gjatë, jam i bindur se nuk do më zhgënjejë.
Ca pare që nuk duken mirë, por aty janë.

Disk SSD 500 Giga ku mbaj filma të zgjedhur për tu zbavit nga pak. Dy nga këta filma janë, i pari “Il mio migliore amico”, me një biznesmen të bindur se kishte miq të ngushtë të panumurt, por në fakt s’kishte asnjë, dhe i dyti “The way back”, himn vendosmërisë njerëzore për të jetur i lirë, bazuar në ngjarje të vërtetë, me disa të burgosur që u arratisen nga një gulag stalinist në Siberi, bëjnë pesë mijë kilometra rrugë në kushte të skëterrshme, kalojnë Himalajat, mbërrijnë në Indi.

Kufje me nigju muzikë me Spotify kur çohem me përgatit noi gjë të thjeshtë për të ngrënë, noi ushqim biblik tip buk e krypë.

Laptop që për tre a katër vjet se kam zënë me dorë. Ndoshta një ditë do më vlejë, prandaj s’e hedh.

Diku në hortizont të ferrit tim, një divan si dudum, pastaj diku më afër ku i bi me qen karavastaja, ku dielli në perëndim është një top i zjarrtë dhe i frohtë, një si bunker cilindrik atomik prej llamarine me diametër nja dhjetë centimetra me brenda ca paramanta, gjilpëra, kopsa, rri e pret kot si karakoll, si ajo ambulanca pranë një feste ku vetëm vallzohet, por ndoshta edhe plagoset dikush.

Pak më tëhu, një abazhur ka zgjatur kokën kurioze po orienton miun e laptopit që ka humbur rrugën.

Më tutje, ku Ferri im mbaron, fillojnë të tjera ferre: ferri i komshiut me pesqint halle matanë murit, ferri komshies poshtë e cila prej vitesh ka ikur nëpër botë, ferri i komshiut sipër që ende nuk e di se kryeqyteti dhe fshati i Kuksit prejnga u rrokullis, nuk janë e njëjta gjë, dhe vazhdon të bëjë zhurmë si me e pas shpinë gurore.

Rashë në Ferrin tim ditën kur isha nisur në Parajsën time. Osnat, Niçë e tatëpjetë, deri në Lozhan. Ku çdo shtëpi është vend i shenjtë, Xhami ose Kishë. Çdo shkëmb është tempull. Çdo banor është fisnik. Çdo livadh është sofër. Çdo ujë është i bekuar. Çdo bimë është mjekësore. Çdo pyll është Farmaci pa lek./kb

Të fundit

Mero Baze: Hipokrizia e Berishës me kandidatët e vet

Ka dy modele sjelljeje ndaj kandidatëve që kanë pretendime për votën preferenciale, e cila sipas tyre nuk është numëruar...

“Nuk jam Nesti Angoni”, çfarë po paralajmëron Myslim Murrizi?

Demokrati Myslim Murrizi sot ka shkruar një postim të gjatë në rrjetet sociale, ku ka vijuar me akuzat e tij brenda PD dhe ka...

“PD do të shkatërrohet nëse nuk dëgjon çfarë do elektorati, por ndjek Berishën”

nga SPARTAK NGJELA - E djathta shqiptare është në krizën e identitetit të saj - kjo është e vërteta politike e kësaj kohe. Dhe...

Blendi Kajsiu: Bashkia e Tiranës shkërrmoq propagandën për ‘vjedhjen’ e zgjedhjeve

Përralla e vjetër elektorale e berishizmit është se zgjedhjet nuk i humb Sali Berisha por i manipulon Edi Rama, me krimin e organizuar, me...

Jakin Marena: Vesi del me shpirtin, pse Berisha ‘përlotet’ për zgjedhjet në komunizëm?!

Kryetari i PD, Sali Berisha, po përdor të gjitha mënyrat dhe mjetet për të bindur mbështetësit e vet demokratë në alibinë e tij, se...

Lajme të tjera

Web TV