Qeveria franceze ka njoftuar ndalimin e pirjes së duhanit duke filluar nga 1 korriku në vendet publike të hapura ku mund të jenë të pranishëm fëmijët, siç janë plazhet, parqet dhe kopshtet publike, rreth shkollave, stacionet e autobusëve dhe objektet sportive.
“Ku ka fëmijë, duhani duhet të zhduket”, tha Ministrja e Shëndetësisë dhe Familjes, Catherine Vautrin, në një intervistë të botuar në faqen e internetit të gazetës rajonale Ouest-France.
“Për zonat përreth shkollave, perimetri do të specifikohet në dekret. Përtej distancës së saktë përreth shkollës, ideja është që fëmija që po largohet nga shkolla të mos ketë një mur me prindër që pinë duhan përpara tij”, tha minsitrja, shkruan A2 CNN.
Sipas ministres shkelja e këtyre rregullave të reja, të cilat nuk do të ndikojnë në cigaret elektronike në këtë fazë, mund të rezultojë në një gjobë të klasit 4, ose 135 euro.
Pavarësisht se shumica dërrmuese e francezëve janë në favor të kësaj ideje, sipas një sondazhi të YouGov për Le HuffPost, tarracat e bareve dhe restoranteve nuk do të preken.
E pyetur për një rritje të mundshme të çmimeve të duhanit, ministrja siguroi se një rritje nuk ishte në agjendë./e.t