Një takim simbolik, por me mesazhe të forta, vetëm pak ditë para ndeshjes së shumëpritur Shqipëri – Serbi. Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti, ishte mysafir i veçantë ditën e djeshme në komunën e Bujanocit, ku u prit nga kryetari Arbër Pajaziti.
Në një atmosferë miqësore, Pajaziti shprehu mirënjohje për rolin dhe përfaqësimin dinjitoz të Gjimshitit me fanellën kuqezi. “Ti je model për të gjithë të rinjtë shqiptarë në Luginën e Preshevës. Me përkushtimin dhe karakterin tënd, po i jep zë krenarisë sonë kombëtare,” tha ai.
Por përtej fjalëve mirënjohëse, kryetari kishte edhe një porosi të drejtpërdrejtë: “Duhet ta mposhtësh Serbinë!” – një thirrje që u prit me duartrokitje në sallë.
Gjimshiti, me modesti, u përgjigj shkurt: “Me kismet.” Pas përsëritjes së kërkesës nga një i pranishëm tjetër, mbrojtësi shtoi: “Do Zoti.”