Një gjykatë federale amerikane ka bllokuar tarifat e shpallura nga presidenti Donald Trump, duke i cilësuar ato si tejkalim të kompetencave të tij.
Gjykata e Tregtisë Ndërkombëtare vendosi se ligji i shpalljes së emergjencës ekonomike i vitit 1977 nuk e autorizon presidentin të imponojë tarifa për shumicën e vendeve, përfshirë Kinën, Meksikën dhe Kanadanë.
Ky vendim përfaqëson një goditje të rëndë për politikën ekonomike të administratës Trump.
Në përgjigje, administrata e Trump depozitoi menjëherë një apel, duke theksuar se “nuk është për gjykatësit pa mandat të vendosin si të adresohen emergjencat kombëtare”.
Aktualisht, nuk ka ndryshime, pasi vendimi kalon nëpër procesin e apelimit, që mund të arrijë deri në Gjykatën e Lartë të SHBA-së. Nëse vendimi i Gjykatës do të qëndrojë, bizneset që kanë paguar tarifa do të kenë të drejtë të kërkojnë rimbursime me interes.
Demokratët e kanë cilësuar vendimin si një fitore për shtetin e së drejtës. Senatori Ron Wyden e quajti përdorimin e ligjit të emergjencës për tarifa si një “keqinterpretim të Kushtetutës”. Ndërkohë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Kush Desai, e quajti vendimin një ndërhyrje të padrejtë të gjykatës.
Ky zhvillim ka rëndësi të madhe për politikën tregtare të SHBA-së dhe mund të ketë ndikime të gjera në marrëdhëniet ndërkombëtare ekonomike/kb