Nga Artur Ajazi
Humbja e Partisë Demokratike në 11 Maj, ka nxjerrë sërish në diskutim “largimin“ e Sali Berishës. Mblidhen analistë, politikanë, fitues dhe humbës, mblidhen gazetarë kronike dhe politike, dhe të gjithë thonë “duhet të ikë Berisha”.
Kot lodheni, ai nuk ikën kur doni ju. Ai nuk largohet sikur PD të humbasë edhe 10 palë zgjedhje të tjera. Ai nuk largohet, edhe sikur ta dijë se “PD shkrihet pas humbjes së 11 Majit”. Pra, flisni dhe lodheni kot. Pastaj, ja vlen të mbash emisione pas emisioni, dhe diskutime pas diskutimi (kur këtë nuk po e kërkojnë njerëzit e tij në atë parti) dhe të merresh prej 2 javësh me diskutime të tilla ? A ja vlen të merresh me faktin se “a do të ikë, dhe kur do të ikë Berisha”, kur ky vend dhe ky popull ka me qindra dhe qindra halle dhe probleme të tjera ?
A ja vlen të merresh, edhe pas 35 vitesh me Berishën, kur shqiptarët presin pas 11 Majit, rritjen e pagave dhe pensioneve, ndihmës ekonomike, rritjen e sigurisë ,rendit dhe ruajtjen e shëndetit nga produktet ushqimore ? Natyrisht nuk ja vlen. Por ja që televizionet dhe gazetat merren me Saliun edhe pas 35 vitesh, duke mërzitur çdo shqiptar të zgjuar dhe të ftilluar. Sot më shumë se kurrë, mediat dhe ekranet e televizioneve, duhet të mbushen me problematika të ditës, projeksionet e të ardhmes, hallet e rrogëtarëve dhe pensionisteve, problemet e fermerëve dhe biznesit. Lodhja dhe strapacimi që bëjnë drejtuesit e emisioneve televizive, duke hartuar skenare të mërzitshme me “ikjen dhe mosikjen e Saliut”, duke e kthyer në temë të ditës problemin e tij, ka krijuar djesi të keqe tek qytetarët.
Duke u marrë me të shkuarën, apo dhe të ardhmen e Berishës, media po harron misionin e saj. Shpesh media të veçanta bien në kurthin e Berishës, pasi ai del dhe jep ndonjë konferencë shtypi, apo lexon ndonjë listë të gjatë “me shkeljet e ditës së votimit”. Një melodi e dëgjuar prej 30 vitesh nga PD dhe Berisha. Ka ardhur koha që mediat të reformohen cilësisht, dhe jo vetëm. Nuk mund ti gozhdosh shqiptarët para ekraneve darkave, dhe orarit të mëngjesit tek “leximi gazetave”, duke i ftuar ata “të diskutojnë mbi ikjen apo mosikjen e Berishës si kryetar PD”.
A thua se jemi “populli më i lumtur në botë, dhe nuk kemi halle dhe probleme të tjera veç Berishës”. Nuk fiton kredibilitet dhe shikueshmëri, duke nxjerrë ditë-natë në ekrane Berishën, Mul Nokën, apo Albana Vokshin, apo dhe duke u marrë pafundësisht me “hallin e humbjes së PD në 11 Maj”.
PD, dhe ata që kanë fituar dhe po fitojnë prej saj, duhet të kullandrisin vetë hallet e tyre politike, pa marrë asnjë ditë nga jeta dhe vëmëndja e qytetarëve. Ekrani, gazeta, dhe zeri radiofonik, duhet të jenë dritare e hapur për hallet dhe problemet e qytetarëve, ashtu siç politika duhet të jetë shërbyese e denjë e çdo qytetari që ka votuar majtas, apo djathtas.
Nuk mund të shpërdorosh besimin dhe sinqeritetin e qytetarëve, duke u dhënë hapësirë vetëm halleve të politikanëve. Zëri qytetar, mbetet arsyeja më e madhe për të kuptuar realitetin e sotëm nga ku politika e vjetëruar dhe destruktive, duhet të ndjehet e turpëruar./kb