I dashur Sali,
Nuk gjej dot fjalët për të të shprehur mirënjohjen time për gjithçka që ke bërë në muajt e fundit. Pa ty, unë sot nuk do të isha kaq i fuqishëm. Edhe mund t’i kisha fituar zgjedhjet, me 2-3 mandate më shumë apo me ndonjë koalicion, por falë teje u rrita në 83 mandate. Jam thuajse sulltan. Pa ty, kjo nuk do të ishte e mundur. Je kalorësi i errësirës që vjen për të më dhuruar kurorën çdo katër vjet. Pa luftë, veç me një konferencë shtypi të përditshme (për popullin si serial killer) dhe një përçarje që s’mbaron kurrë.
Më lejo të të falenderoj për bujarinë tënde, sepse unë nuk harroj asgjë. Përkundrazi. Të kam ndjekur me vëmendje dhe kam kuptuar se, edhe nëse do të kisha vënë tim bir në krye të Partisë Demokratike, nuk do të më shërbente kaq mirë sa ti. More 250 mijë vota më pak se opozita e vitit 2021. Sinqerisht, nuk e prisja që ta shkatërroje opozitën kaq bukur.
Faleminderit që mbajte në listat e mbyllura pleqtë e tu, ata që populli nuk i voton kurrë, por vetëm ti i vlerëson, se nuk ta prishin kurrë dhe i ke besnikë. Janë si qenushë të vegjël, gati për shërbim. Më ke gajasur fare kur mbajte Tritan Shehun në listën e mbyllur. Ai është simboli i filozofisë tënde opozitare për të mos fituar kurrë. Ka qysh në 1991 në parlament, por ti sërish e mbajte gjallë. Deri në fund të mandatit, Tritani gjithsej do të ketë bërë 38 vite në parlament. Ka qenë edhe zv/kryeministër. Ka qenë edhe ministër. Askush nuk e do në Gjirokastër, kështu që faleminderit që atje le një 77-vjeçar si numrin 1 të partisë tënde familjare. Më pëlqeve shumë që vazhdove me Flamur Nokën, Edi Palokën, Jozefina Topallin, Ilir Metën dhe Gaz Bardhin. Ata më duhen mua, se nuk kanë më asnjë kokërr vote. Je gjenial! Ti vendos në lista ata që nuk i do populli, sepse shijon më shumë humbjen e zgjedhjeve sesa fitoren. Ke lindur për të qenë opozitar. E ke në shpirt dhe unë nuk ta prish qejfin. Aty më duhesh, në krye të opozitës.
Faleminderit për primaret! Ishe fantastik! I çmende të gjithë me atë “meritokracinë” e famshme dhe në fund bëre atë që bën gjithmonë. I përdore njerëzit si gur shahu. Ata votonin, ti bëje listat sipas qejfit. Partia Demokratike u përça edhe më shumë dhe… më bëre nder të madh! E shijova shumë atë moment, sidomos kur Myslim Murrizi denoncoi vjedhje votash në një kuti. Je fati im! Ti vjedh partinë tënde dhe pastaj më ankohesh mua për vjedhje të zgjedhjeve. Ti kujdesesh vetëm për hallet e tua personale e familjare. Nuk e çan kokën për rrotacionin. Unë, pa ty, nuk di si të shtyj ditën.
Faleminderit që nuk e hape kurrë partinë! Ç’të duhen emrat e rinj? Lëre popullin, se nuk ngopet kurrë. Populli do opozitë dinjitoze, të re dhe me njerëz që kanë personalitet, por mua më duhet opozita fiks siç e bën ti. Mbaj gjithë të vjetrit, sa më gjatë që të mundesh. E reja nuk na duhet, Sali. Na prish punë. Në opozitë na duhen ata që populli nuk i sheh dot me sy.
Zëri yt që kumbon në ecejaket idiote të opozitës është si himn për mua. Po, më i ëmbël se çdo sondazh, më i sigurt se mbështetja e Melonit dhe e çdo ambasadori në botë. Sa herë ti flet, populli kujton të kaluarën dhe më sheh mua si të ardhmen. Ti je “gogoli” që tremb fëmijët në zhegun e verës.
Të lutem, vazhdo me këmbënguljen e një sizifi që nuk ngjitet kurrë në majë, por që i ndihmon të tjerët të ndërtojnë pallate në shpatin e shpresës së rrënuar. Vetëm ti më jep luksin e rrallë që një kryeministër ta bëjë gjumin top, duke ditur se opozita është një roman i zhubravitur, me ty si autor të pakonkurrueshëm për të shkruar kapituj që askush s’i lexon më. Mos vendos një kukull si kryetar të PD-së! Lëre, se e kanë kuptuar filmin qysh me Lulin. Të gjithë e dinë se ti nuk e lëshon kompaninë familjare, kështu që mbaje vetë! Më duhesh ti, edhe nëse ndonjë ditë do të të lërë mendja. Aq më mirë.
Ah, se harrova! Të kam sjellë një ekip mjekësh nga Zvicra. Janë më të mirët në botë. U thashë që të të ruajnë shëndetin. Do të të shërbejnë 24 orë në 24. Ti thjesht bëje partinë paçavure. Ky është misioni yt, se vetë ke thënë ‘jam misionar’. Mos të të shkojë ndërmend të japësh dorëheqjen. Më duhesh, Sali! Ki durim edhe 8 vite të tjera, sa të rritet Zaho. Kur të vdesësh ti, Shqipëria do të bëhet mbretëri (nëse nuk është tani). Partia Demokratike atëherë do të ketë nja 3-4 deputetë, kështu që bota do të thotë se Shqipëria nuk ka arsye për të organizuar zgjedhje. Falë teje, Zaho e ka të ardhmen e sigurt. Sot princ, nesër mbret.
Me respekt, shefi yt Edi
Shënim: Ky është thjesht një shkrim ironik, jo letër e vërtetë. Duam thjesht të tregojmë realitetin e politikës aktuale në Shqipëri. Urojmë ta keni kuptuar. Letrat Rama-Berisha do të vijojnë në artikuj të tjerë. m.p.