Sali Berisha, i ftuar në studion e “Debat”, u pyet se çfarë mendonte për deklaratat e Myslym Murrizit, i cili tha se “priten arrestime brenda listës së PD-së”, gjë që mund të sjellë ndryshime në deputetët demokratë.
Përgjigjja e kreut demokrat ishte kjo:
“Nuk ka asnjë të inkriminuar nga kandidatët e PD-së.
Zoti Murrizi duhet të flasë me fakte dhe jo me dëshira apo hamendje. Cilido që flet, duhet të flasë me fakte”.
Berisha tha se opozita nuk do t’i njohë këto zgjedhje. I pyetur nëse opozita do të braktisë 50 mandatet, kreu demokrat tha se vendimet do të merren në kohën e duhur.
“Zgjedhjet ne nuk i njohim dhe do të bëjmë çdo përpjekje për një qeveri teknike dhe zgjedhje të reja. Deri tani nuk kemi vendosur asgjë, do të ketë diskutime. Por, nëse krijohet qeveri teknike, do të krijohet me objektiva të caktuara”, – tha Berisha.
Ai theksoi se duhet krijuar qeveri teknike dhe tha se këtë do ta bëjnë të mundur shqiptarët me revoltën dhe protestën e tyre. Më tej shtoi se një mirëkuptim i gjerë për qeverinë nga ndërkombëtarët, do të ishte i dobishëm për PD.
“Natyrisht që një mirëkuptim i gjerë ndërkombëtar për ne do të ishte i dobishëm. Mirëkuptimin për qeveri teknike e kemi nga të gjitha partitë e spektrit tonë dhe do të punojmë me të gjitha partitë e tjera, edhe me liberalët dhe socialdemokratët”, – shtoi Berisha./E.T