Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i ka kërkuar Presidentit të Republikës Bajram Begaj që të mos ndërhyjë përmes kabinetit të tij, në procesin e administrimit të zgjedhjeve. Duke ju referuar rastit të anëtarit të KAS Ilirjan Rusmali, që rezulton njëkohësisht të jetë edhe Këshilltar Ligjor i Presidentit të Republikës, Bardhi sqaron se angazhimi i Kabinetit të Presidentit në procesin e administrimit të zgjedhjeve nënkupton që Institucioni i Presidentit të Republikës po cenon rëndë parimin e neutralitetit dhe përfaqësimit të unitetit të popullit.
“Ndërhyrja juaj në procesin zgjedhor, përmes Kabinetit tuaj, minon figurën e Presidentit të Republikës dhe e bën atë palë të certifikimit të një farse të plotë elektorale, sic provoi edhe Raporti Paraprak i Vëzhguesve të OSBE-ODIHR, ku theksohet shkrirja e shtetit me partinë në pushtet. Është e papranueshme që shkrirja e shtetit me partinë në pushtet të shtrihet deri tek figura e Presidentit të Republikës apo Institucioni i Presidentit të Republikës. Kjo dëmton në mënyrë të pakthyeshme rolin dhe përgjegjësinë tuaj si Kryetar i Shtetit, si institucion kushtetues mbi palët politike apo si unifikuesin e popullit” shkruan Bardhi në letrën drejtuar kreut të shtetit.
Më poshtë letra e plotë që Grupi Parlamentar i PD i ka dërguar Presidentit të Republikës:
I nderuar z. President i Republikës,
Me shumë shqetësim dhe në shkelje flagrante të parimit të neutralitetit politik të Institucionit të Presidentit të Republikës, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike është njohur me faktin e përfshirjes së Kabitetit tuaj në procesin elektoral për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 Majit. Sipas Kushtetutës dhe ligjit, Presidenti i Republikës dhe Institucioni i Presidentit të Republikës është organ kushtetutes i pavarur, pa asnjë rol në procesin e administrimit të zgjedhjeve.
Mirëpo në kundërshtim me këtë përgjegjësi Tuajën dhe të Institucionit të Presidentit të Republikës, rezulton e provuar përfshirja në procesin e administrimit të zgjedhjeve përmes Këshilltarit tuaj Ligjor z. Ilirjan Rusmali, në rolin e anëtarit të Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Për vetë rolin dhe përgjegjësinë që ka KAS në procesin e zgjedhjeve, mënyrës ligjore të zgjedhjes së anëtarëve të tij , si dhe procesit kushtetues të zgjedhjes së Presidentit të Republikës apo përgjegjësive të mëvonshme kushtetuese të Presidentit të Republikës lidhur me rezultatin e zgjedhjeve, angazhimi i Kabinetit tuaj në procesin e administrimit të zgjedhjeve në fazë të mëhershme , është një ndërhyrje flagrante antikushtetuese e Institucionit të Presidentit të Republikës në zgjedhje./kb