Një tjetër yll i ekranit amerikan është shuar në moshën 52-vjeçare. Ananda Lewis, ish-prezantuesja e njohur e MTV-së dhe një nga figurat më të dashura të viteve ’90, ka ndërruar jetë. Lajmin e trishtë e bëri publik motra e saj, Lakshmi Lewis, përmes një postimi prekës në Facebook, ku shkroi: “Ajo është e lirë, në krahët e Zotit,” duke ndarë edhe një fotografi bardhë e zi të Anandës.
Ananda u bë e famshme në fund të viteve ’90 si prezantuese e emisioneve ikonike të MTV, si “Total Request Live” dhe “Hot Zone”. Me stilin e saj unik dhe karizmën e veçantë, ajo u kthye në një zë të rëndësishëm të kulturës rinore hip-hop. Në vitin 1999, The New York Times e cilësoi atë si “vajzën e momentit” për kulturën e asaj periudhe.
Në vitin 2001, Ananda la MTV-në për të nisur talk-show-n e saj personal dhe vazhdoi të jetë një figurë e pavarur në mediat amerikane.
Në vitin 2020, ajo zbuloi publikisht se po luftonte me kancerin e gjirit në stadin e tretë, që më pas u përparua në stadin e katërt. Ananda ishte shumë e hapur për betejën me sëmundjen dhe ndau me ndjekësit edhe pendesën e saj për shmangien e trajtimeve standarde në fillim të diagnozës.
Në një ese për revistën Essence, ajo shkroi: “Kur të vijë momenti im, dua të them me bindje: ‘E jetova jetën tamam siç doja’.”
Largimi i Anandës lë një boshllëk të madh në zemrat e shumë njerëzve që u rritën me energjinë dhe zërin e saj të fuqishëm. Ajo do të mbahet mend jo vetëm për karrierën e saj të shkëlqyer televizive, por edhe për forcën, sinqeritetin dhe përkushtimin ndaj së vërtetës./e.t