Pavarësisht ç’thotë Trump, SHBA ka hyrë në luftë – dhe pasojat do të jenë të thella

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Simon Tisdall*

Donald Trump ra drejtpërdrejt në kurthin që i kishte ngritur Benjamin Netanyahu. Bast i pamatur dhe i rrezikshëm, i cili e bën edhe më të mundshme – jo më pak – prodhimin e një arme bërthamore nga Irani.

Bombardimet nuk do ta zhdukin Iranin. Bombat amerikane nuk do të shkatërrojnë as dijet teknike për ndërtimin e një arme bërthamore, e as vullnetin për ta ndërtuar atë – nëse kjo është ajo që Teherani dëshiron. Sulmi masiv i urdhëruar nga Donald Trump nuk do të ndalë luftën e hapur që po zhvillohet midis Izraelit dhe Iranit. Nuk do të sjellë paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, nuk do të ndalë masakrën në Gaza, nuk do t’u sjellë drejtësi palestinezëve, dhe nuk do të sheshojë mbi gjysmë shekulli armiqësi të hidhur midis Teheranit dhe Uashingtonit.

Më e mundshme është që basti i çmendur dhe i pamatur i Trump-it t’i përflakë dhe përkeqësojë të gjitha këto probleme. Në varësi të reagimit të Iranit dhe aleatëve të tij, rajoni mund të zhytet në një përplasje të pakontrolluar. Bazat ushtarake amerikane në Gjirin Persik dhe në rajon, ku ndodhen rreth 40,000 trupa amerikane, duhet tani të konsiderohen objektiva të mundshëm për hakmarrje – dhe ndoshta edhe forcat britanike dhe të aleatëve.

Trump pretendon se nuk ka shpallur luftë kundër Iranit. Ai thotë se sulmi nuk është hapi i parë i një fushate për ndryshim regjimi në Teheran. Por kështu nuk e shohin as politikanët iranianë dhe as populli iranian. Mburrjet e parakohshme të Trump-it për “sukses spektakolar” dhe kërcënimet për bomba më të mëdha dhe më të shumta tingëllojnë si fjalët e një pushtuesi të pamëshirshëm që synon fitore totale, shkatërrimtare.

Trump, presidenti izolacionist që premtoi se do të shmangte luftërat jashtë vendit, ka rënë kokë e këmbë në një kurth të ngritur prej Netanyahut – kurth të cilin paraardhësit më të mençur të tij e shmangën. Netanyahu ka ekzagjeruar vazhdimisht rrezikun bërthamor të Iranit. Fjalimet e tij alarmante për këtë temë datojnë prej 30 vitesh. Ai ka pretenduar gjithmonë se di më shumë sesa inspektorët e OKB-së, shërbimet amerikane dhe evropiane të inteligjencës dhe madje edhe shefat e vet të spiunazhit – konkretisht, se Irani është gati të vendosë një armë bërthamore të gatshme për përdorim, e drejtuar drejt zemrës së Izraelit.

Kjo pretendim nuk është provuar kurrë. Irani ka mohuar gjithnjë synimin për të ndërtuar një bombë bërthamore. Udhëheqësi suprem i vendit, ajatollah Ali Khamenei, ka nxjerrë një fetva që ndalon zhvillimin e një programi të tillë. Akuza e fundit e Netanyahut se Irani është në fazë armatimi, për të justifikuar sulmet e paligjshme dhe të njëanshme të javës së kaluar nga Izraeli, nuk u mbështet as nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), as nga ekspertët amerikanë të inteligjencës. Por Trump-i, me mendje të dobët, vendosi t’i besojë. Duke lexuar nga skenari i Netanyahut, ai deklaroi të shtunën në mbrëmje se zhdukja e këtij “kërcënimi bërthamor të pakundërshtueshëm” ishte qëllimi i vetëm i sulmit ajror amerikan.

Kështu që, edhe një herë, SHBA-ja ka hyrë në luftë në Lindjen e Mesme mbi një gënjeshtër, mbi inteligjencë të dyshimtë – ndoshta të rreme – që është shtrembëruar me qëllim për arsye politike. Edhe një herë, si në Irak më 2003, objektivat e përgjithshme të luftës janë të paqarta dhe të hapura për interpretime, si nga miqtë, ashtu edhe nga armiqtë. Edhe një herë, duket se nuk ka asnjë “strategji daljeje”, asnjë gardh që ndalon përshkallëzimin dhe asnjë plan për atë që ndodh më pas. Kërkesa që Irani të dorëzohet ose të përballet me “tragjedi kombëtare” nuk është një politikë. Është një rrugë pa krye – dhe vdekjeprurëse.

Irani nuk do të zhduket, pavarësisht çfarë ëndërrojnë Trump dhe Netanyahu. Ai do të mbetet një forcë në rajon. Do të mbetet një vend me të cilin duhet llogaritur – një vend me 90 milionë banorë dhe me aleatë të fuqishëm si Kina, Rusia dhe vende të Jugut Global. Irani ka deklaruar tashmë se do të vazhdojë programin e tij bërthamor civil.

Lexo edhe :  “Do mbështesim popullin iranian”/ Putin pret delegacionin nga Teherani, dënon SHBA

Këto zhvillime tregojnë se sa i thellë është injorimi zyrtar amerikan për Iranin. Në ndryshim nga Britania, Uashingtoni nuk ka pasur praninë diplomatike në Iran që nga revolucioni. Ka pasur pak kontakte të drejtpërdrejta politike, dhe sanksionet e ashpra ekonomike vetëm e kanë thelluar distancën, duke ulur ndjeshëm mirëkuptimin reciprok. Vendimi i Trump-it për të shkelur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 (e negociuar nga Obama, Britania, Franca, Gjermania, Rusia, Kina dhe BE) ishte produkt i kësaj injorance. Dhjetë vjet më vonë, ai po përpiqet të arrijë me bomba atë që paraardhësit e tij më të mençur e arritën me diplomaci.

Paqja duket më e paarritshme se kurrë – dhe Netanyahu po feston. SHBA-ja tani është e përfshirë. Dhe, sipas Netanyahu-t, ai dhe Izraeli nuk mund të humbasin. Por, por… Irani nuk mund të shpërfillet. Duhet të përballet. Dhe përballja që po afron, në planin afatshkurtër dhe afatgjatë, mund të jetë shumë më e tmerrshme se çdo histori frike e Netanyahut.

Irani kishte paralajmëruar më parë se nëse sulmohet nga SHBA-ja, do të godasë bazat amerikane – dhe ka shumë të tilla: në Bahrein, Irak, Jordani e gjetkë. Houthit në Jemen janë zotuar të rifillojnë sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq. Ngushtica e Hormuzit, nyje jetike për furnizimin global me energji, mund të minohet – siç ndodhi gjatë luftës Iran-Irak në vitet 1980. Rezultati mund të jetë një tronditje globale për çmimet e naftës dhe një kolaps i tregjeve. Irani, sipas raporteve, vijon të lëshojë raketa drejt Izraelit, pavarësisht pretendimeve nga Jerusalemi se shumica e bazave raketore balistike iraniane janë shkatërruar.

Duke reaguar ndaj sulmit të Trump-it, zyrtarët iranianë thonë se asnjë opsion nuk është jashtë tavolinës për sa i përket kundërpërgjigjes. Ata gjithashtu theksojnë se nuk do të negociojnë nën zjarr, pavarësisht thirrjes nga kryeministri britanik Keir Starmer. Duke hedhur poshtë pretendimet e paprovuara të Trump-it për “shkatërrim total të objekteve bërthamore”, ata këmbëngulin se Irani do ta rindërtojë dhe do të vazhdojë programin e vet bërthamor. Pyetja e madhe tani është: A do të kthehet ky program realisht në një program të armatimit?

Dy pasoja radikale afatgjata mund të rrjedhin nga ky moment kyç:

Regjimi i Khameneit – i papëlqyer, i korruptuar, i paaftë ushtarakisht dhe keqmenaxhues ekonomik – dhe i privuar nga mbështetja e Hezbollahut libanez dhe Hamasit në Gaza, mund të shembet nën peshën e këtij katastrofe. Deri tani nuk ka pasur shenja kryengritjeje apo ndryshimi qeverie – gjë jo e habitshme, duke pasur parasysh që Teherani dhe qytete të tjera janë nën bombardim. Por rënia e regjimit nuk përjashtohet.

Në vend që të dorëzojnë të drejtën e çmuar për pasurim uraniumi dhe t’i binden ultimatumit Trump-Netanyahu, udhëheqësit iranianë – kushdo që të jenë – mund të vendosin të ndjekin shembullin e Koresë së Veriut dhe të përpiqen të marrin një bombë sa më shpejt që të jetë e mundur, për të shmangur poshtërime të ardhshme. Kjo mund të përfshijë tërheqjen nga Traktati i Mospërhapjes Bërthamore dhe refuzimin e inspektimeve të OKB-së. Pas viteve të tëra përpjekjesh për të luajtur sipas rregullave perëndimore, Irani mund të zgjedhë realisht rrugën e vet të “rebelimit”.

Mësimi më i zymtë që mund të nxjerrin vendet e tjera nga kjo ngjarje është se zotërimi i armëve bërthamore për vetëmbrojtje është e vetmja garanci. Proliferimi i armëve bërthamore është rreziku më i madh dhe i menjëhershëm për të ardhmen e planetit. Ajo që bëri Trump – përmes dhunës dhe aventurës – për të zhdukur një kërcënim të paprovuar, mund ta bëjë shumë më real rrezikun e një bote të armatosur bërthamor.

*Simon Tisdall është komentator për çështjet e jashtme në gazetën The Guardian/ Përgatiti për botim: L.Veizi

Të fundit

500 të vdekur dhe mbi 3 mijë të plagosur që nga sulmi i Izraelit në Iran

Ushtria izraelite thotë se ka goditur një numër objektivash në të gjithë Iranin sot. Në një përditësim në mediat...

Shkodër, gjendet i pajetë në lumin Buna trupi i qytetarit nga Tirana

Një i moshuar është gjetur i pajetë pasditen e kësaj të hënë. Policia e Shkodrës njofton se rreth orës 14:30, në fshatin Muriqan, në...

Izraeli godet burgun famëkeq Evin në Teheran

Autoritetet izraelite kanë deklaruar se në valën më të fundit të sulmeve ndaj Iranit, një prej objektivave ka qenë burgu famëkeq Evin, në kryeqytetin...

Do të rritet çmimi i naftës? Donald Trump paralajmëron: “Po ju vëzhgoj, mos guxoni!”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj kompanive të naftës, pas sulmeve të ndërmarra ndaj objekteve bërthamore të Iranit....

Bayern gjen sulmuesin! Ai është gjerman dhe kushton 30 mln euro

Bayern duket se e ka gjetur lojtarin e duhur për ofensivën. Nuk është më Wirtz, as Nico Williams apo Leao, por një lojtar gjerman...

Lajme të tjera

Web TV