‘Rubensi i rremë’ i Galerisë Kombëtare duket shumë i vërtetë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Si mund të quhet “i rremë” dhe “një objekt i dobët” kryevepra e mbushur me sensualitet “Samsoni dhe Dalila” nga Rubens? Mjeshtri flamand thjesht po bën një punë të shkëlqyer duke kopjuar artistin e tij të preferuar të jashtëligjshëm – veten.

Nga Jonathan Jones

Samsoni, një burrë i fuqishëm dhe muskulor, fle në prehrin e joshëses së tij, Dalilës, në një dhomë gjumi të ndriçuar hijshëm nga drita e qirinjve. Ndërsa Dalila vështron trupin pa ndjenja të heroit të madh biblik, bashkëpunëtori i saj po i pret flokët kaçurrelë që i japin forcën mbinjerëzore. Në derë, ushtarët presin me pishtarë. Në qendër të gjithë skenës është shpina lakuriq e Samsonit, e valëzuar nga muskujt, që pushon mbi mëndafshin rozë të fustanit të Dalilës.

A është kjo vepër e mjeshtrit barok flamand Peter Paul Rubens? Po, patjetër që është. Është për t’u habitur që dikush mendon ndryshe. Por disa e mendojnë. Michael Daley dhe grupi i tij kritikues ArtWatch UK, së bashku me historianen e artit Euphrosyne Doxiadis (dhe të tjerë), kanë tërhequr vëmendje me pretendimet e tyre se Galeria Kombëtare zotëron një “falsifikim” ose “kopje moderne” dhe se po e fsheh këtë fakt.

Vetëm Rubens mund të kishte pikturuar një trup mashkullor kaq të seksualizuar dhe, vetëm disa centimetra më tej, të përkëdhelte me furçë gjinjtë e Dalilës.

Duket sikur po flasin për një tjetër pikturë nga ajo që njoh unë. Në një artikull për platformën UnHerd, ku flet për përpjekjen e saj shumëvjeçare për t’i mohuar kësaj vepre autorësinë e Rubensit, Doxiadis zbulon se, që kur e pa për herë të parë në Galerinë Kombëtare në vitet 1980, ajo e hodhi poshtë – dhe ende e konsideron – si “një objekt i dobët, që i mungon shkëlqimi i piktorit tim të preferuar evropian”.

Të gjithë kemi shijet tona, por unë nuk e njoh këtë përshkrim. “Objekt i dobët”? “Samsoni dhe Dalila” qëndron në një sallë mes kryeveprave të tjera të Rubensit dhe merr me lehtësi vendin që i takon – e dominon ambientin, tërheq vëmendjen dhe të shpërblen nëse e vështron me kujdes, madje edhe në vizita të përsëritura. E pashë sërish vetëm javën e kaluar, siç kam bërë për vite me radhë, gjithmonë duke zbuluar nuanca të reja.

Kjo pikturë e mrekullueshme ka ngatërruar njerëz që nga momenti kur Galeria Kombëtare e bleu më 1980 – për faktin se nuk i ngjan “klisheve” të Rubensit. Ku janë pëlhurat e valëzuara, qielli flakërues dhe penelatat e zbukuruara? Por kjo mospërputhje ka një arsye të mirë: është përpjekja pasionante e Rubensit për të pikturuar si dikush tjetër.

Kur e pikturoi “Samsonin dhe Dalilën” në vitet 1609-10, Rubensi sapo ishte kthyer në qytetin e tij të lindjes, Antuerp, pas tetë vitesh në Itali. Si shumë artistë të Europës Veriore në fund të Rilindjes, edhe ai shkoi për të studiuar mjeshtrat si Leonardo, Michelangelo e Titian, por u magjeps veçanërisht nga një artist i gjallë – Caravaggio, i cili asokohe ishte i pranishëm me veprat e tij në Romë dhe Firence.

Ata kurrë nuk u takuan – Caravaggio kishte vrarë një burrë në 1606 dhe ishte në arrati – por pa e ditur, kishte në Rubensin një mbrojtës të flaktë. Kur piktura tronditëse dhe pa devocion “Vdekja e Virgjëreshës” u refuzua nga një kishë në Romë, Rubensi bindi Dukën e Mantovës ta blinte atë. Më pas kjo pikturë mbërriti në Britani përmes koleksionit të Charles I, për të përfunduar në Francë pas prerjes së kokës së mbretit.

Lexo edhe :  Lufta Izrael-Iran/ Kur e shkuara shpërthen në të tashmen

Rubensi e kopjoi hapur “Meduzën” e Caravaggios në disa nga veprat e tij, përfshirë në mburojën e Athenës në pikturën “Gjykimi i Parisit”, që ndodhet në Galerinë Kombëtare.

Por “Samsoni dhe Dalila” është nderimi më ekstravagant i Rubensit ndaj Caravaggios – një përpjekje për ta kuptuar thellësisht ndriçimin dramatik, sensualitetin tronditës dhe brushën e butë, por precize të këtij artisti të jashtëligjshëm. Ushtarët në derë, gruaja plakë me qiri, prerja e flokëve – megjithëse Caravaggio preferonte të priste kokën krejt – janë të gjitha skena të frymëzuara nga ai.

Mënyra si Rubens përqendrohet në çdo rrudhë dhe hije të shpinës mashkullore të ekspozuar është tipike për Caravaggion. Por ajo që e veçon është fakti që vetëm Rubens do të pikturonte një trup mashkullor kaq erotik dhe, njëkohësisht, do të ngulmonte me kaq kujdes mbi gjinjtë e Dalilës – me një rrip pëlhure që thekson plotësisht lakuriqësinë e tyre. Kjo nuk është thjesht vëzhgim voyeuristik. Dalila është një nga shumë gratë e fuqishme që shfaqen në veprat e Rubensit – aq shpesh, sa është një tjetër provë për autorësinë e tij.

Edhe kur përpiqet të imitojë Caravaggion, Rubensi nuk mund të mos jetë vetvetja. Drita është e tija, ndriçimi nga qiriri është i ngrohtë si gjalpë, i butë si petull në një kuzhinë të Antuerpit. Kjo përzierje sensualiteti jugor dhe ngrohtësie veriore është një tjetër tipar i Rubensit.

Elementët që i bezdisin disa – përzierja e Caravaggios me lirinë trupore të Rubensit – në fakt janë shenja të autenticitetit. Cili falsifikator do të ishte aq i hollë sa të rindërtonte pikërisht këtë moment kur Rubensi sfidon Caravaggion? Sidomos në gjysmën e parë të shekullit XX, kur Caravaggio nuk vlerësohej sa sot? Dritarja kohore për një falsifikim të tillë është tepër e ngushtë – midis viteve 1950, kur Caravaggio filloi të rizbulohej, dhe vitit 1980, kur piktura u ble nga Galeria Kombëtare.

Kam kritikuar shpesh Galerinë Kombëtare, por ajo nuk bën mbulim të të vërtetës. Në vitin 2010, organizoi një ekspozitë ku pranoi “falsifikimet” në koleksionin e saj. Edhe sot, informacioni për këto ndodhet në etiketat e veprave: p.sh., te “Perëndimi i Diellit” i Giorgiones thuhet se Shën Gjergji dhe dragoi janë shtesa moderne. Për “Rubensin” nuk ka asnjë rrëfim – sepse nuk ka asgjë për të rrëfyer.

A është “Samsoni dhe Dalila” një “objekt i dobët” që mund ta ketë shpikur ndonjë kopjues i shekullit XX? Jo. Është një kryevepër e përkryer dhe joshëse për fuqinë e dëshirës – ku Rubensi përvetëson vizionin e Caravaggios, por mbetet në çdo brushë thjesht vetvetja.

Burimi: theguardian.com/ Përgatiti L.Veizi

Të fundit

500 të vdekur dhe mbi 3 mijë të plagosur që nga sulmi i Izraelit në Iran

Ushtria izraelite thotë se ka goditur një numër objektivash në të gjithë Iranin sot. Në një përditësim në mediat...

Shkodër, gjendet i pajetë në lumin Buna trupi i qytetarit nga Tirana

Një i moshuar është gjetur i pajetë pasditen e kësaj të hënë. Policia e Shkodrës njofton se rreth orës 14:30, në fshatin Muriqan, në...

Izraeli godet burgun famëkeq Evin në Teheran

Autoritetet izraelite kanë deklaruar se në valën më të fundit të sulmeve ndaj Iranit, një prej objektivave ka qenë burgu famëkeq Evin, në kryeqytetin...

Do të rritet çmimi i naftës? Donald Trump paralajmëron: “Po ju vëzhgoj, mos guxoni!”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj kompanive të naftës, pas sulmeve të ndërmarra ndaj objekteve bërthamore të Iranit....

Bayern gjen sulmuesin! Ai është gjerman dhe kushton 30 mln euro

Bayern duket se e ka gjetur lojtarin e duhur për ofensivën. Nuk është më Wirtz, as Nico Williams apo Leao, por një lojtar gjerman...

Lajme të tjera

Web TV