Eduard Zaloshnja
Kur u realizua rrotacioni i fundit i pushtetit (më 2013), pjesëmarrja në zgjedhje arriti nivelin 53.5%, krahasuar me 50.5% në zgjedhjet paraardhëse. Dhe atëherë, zgjedhësit e diasporës nuk mund ta dërgonin votën me postë falas (si tani) – ata duhet të vinin fizikisht me autobuzë, tragete, etj, për të votuar këtu…
Më 11 majt të këtij viti, pjesëmarrja në zgjedhje mezi arriti nivelin 44.8%, krahasuar me 46.3% në zgjedhjet paraardhëse. Dhe tani (ndryshe nga më parë), zgjedhësit e diasporës mund ta dërgonin votën me postë falas, pa patur nevojë të vinin me autobuzë, tragete, etj, për të votuar këtu…
Konkretisht, nga 3.71 milionë shtetas gjithsej në listat e zgjedhësve, vetëm 1.66 milionë votuan më 11 maj (44.8%).
Ndër 1.91 milionë zgjedhësit e këtushëm, vetëm 1.46 milionë e morën mundimin të shkonin të votonin në qendrat e votimit pranë shtëpive të tyre. Kurse ndër 1.8 milionë zgjedhësit në emigracion, vetëm 0.2 milion e morën mundimin ta dërgonin votën me postë falas.
Këto shifra flasin për një frymëzim fare të mekët elektoral nga opozita e vjetër dhe e re (si brenda, edhe jashtë vendit).
Dhe kur pjesëmarrja mbetet e ulët, partitë e mazhorancës patjetër që përfitojnë – për PS+PSD votuan rreth 810 mijë votues brenda vendit dhe rreth 125 mijë jashtë vendit (gjithsej 935 mijë). Kurse për opozitën (të vjetër e të re) votuan vetëm 650 mijë brenda vendit dhe vetëm 75 mijë jashtë vendit (gjithsej vetëm 725 mijë).
Duke përmbledhur, mund të thuhet se opozita (e vjetër dhe e re) dështoi keqazi në këto zgjedhje me pjesëmarrjen, që ishte plot 1.5 pikë përqindje më e ulët se sa para katër vjetësh. Dhe mos të harrojmë se para katër viteve, vetëm zgjedhësit e këtushëm mund të votonin – ata të diasporës nuk mund të votonin dot as me postë (si sivjet) dhe as duke ardhur fizikisht këtu (prej pandemisë së atëhershme).
SHËNIM: Në llogaritjet e mësipërme, 55 mijë votat që u rezultuan të pavlefshme votuesve të 11 majit (prej fletëvotimeve të ndërlikuara) janë shpërndarë në mënyrë proporcinale mes partive./e.t