Nga Leonard Veizi
Tani që dollia u kthye në art, për shqiptarët s’do ketë më frerë.
– Me fund!
Sepse Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale ka vendosur, me solemnitet dhe gotën ngritur: Rituali i Dollisë shpallet Pasuri Kombëtare. Zyrtarisht. Po, po! Një trashëgimi e skalitur në ADN-në tonë, që nuk e lëshojmë nga dora, e as nga gota.
Do futemi në Evropë, apo jo?
Do futemi, dhe me zakonet tona më të domosdoshme.
– Shëndeti i Safait!
– Shëndet të kesh!
– Të zotit të kësaj shtëpie, që marton djalin dhe na ka thirrur të gjithëve siç jemi. Miq kemi qenë brez pas brezi. E forcofshim dhe më tej. Rrofsh e u shtofsh me njerëz e me mall, e i trashëgofsh!
Lajmi doli nga dera e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila kësaj here la “inovacionin” mënjanë dhe u përqendrua te rakia: “Ky ritual përfaqëson një traditë të lashtë të mikpritjes shqiptare,” thuhej në njoftim.
Sepse dollia nuk është thjesht një çikë alkool në fillim të darkës, e pak në fund. Jo, është një rit i pasionuar shoqëror e familjar, një skenografi intime fjalësh të ngrohta, thirrjesh nga zemra dhe urimesh që kalojnë brez pas brezi.
– Dollibashi, urdhër!
Fjala merr aromën e damixhanit dhe rrëshqet në qelqe si tingujt e një violine me ritme popullore. Dhe gjithmonë dikush komandon:
– Te Ramizi do veç!
– Të kam gjetur, Ramiz!
Po kjo nuk është ndonjë risi moderne. Jo, mor jo. Kujtoni filmin “Malet me blerim mbuluar” të Dhimitër Anagnostit. Se kinematografia shqiptare i ka kushtuar jo pak episode këtij zakoni të lashtë shqiptar. Ishte dimri i vitit 1944, partizanët përplaseshin me gjermanët, por xha Lamja – i patundur – ngrinte dolli siç i ka hije shqiptarit: mes tymit të barutit, zhurmës së pushkëve dhe shëndeteve për martesa të lumtura, që lindnin djem, të cilët duhet të rriteshin me dyfek në krye të djepit.
Dhe djemtë duheshin martuar si në kohë paqeje, ashtu edhe në luftë. Si Gjinoja te “Përrallë nga e kaluara”:
– Mirë se erdhët! – përsëriste Gjinoja 14-vjeç fjalët e babait. Se ai ishte dhëndri dhe duhet të ngrinte dollinë. – Gëzofshi dhe në shtëpitë tuaja!
– Pije tani!
– Sa të bëhet për të kënduar kokoshi i Gjinos, këndon ndonjë tjetër më parë! – flisnin pas krahëve thashethemexhinjtë, pasi ngritën dollinë.
Dhe për ta kuptuar më mirë këtë art në formën e alkoolit me fjalë, dëgjoni pak nga dollitë e arta të kohës së socializmit, siç transkriptohen nga filmi “Jeta në duart e tjetrit”:
– Këtë dolli do ta ngre për shokun Spiro. Me fund!
– Këtë tjetrën për shokun Thanas, babain e Spiros. Ky shëndet t’i bëhet gjak e dhjamë!
– Ja ta gëzojmë. Ju paça!
Dhe pas kësaj, kërciste mishi.
Ah, sikur të ishte futur edhe mishi i qengjit në Ritualin e Dollisë! Domethënë, të kishte një klauzolë për “ritualin e ngrënies së mishit”. Atëherë do vinte çdo vinte. Do kërciste dollia me dhallë – siç thoshte dhe xha Shahini te “Zonja nga qyteti”. Jo për gjë, por dhe muhabeti merrte tjetër kuptim.
Nejse. Iku e vate ajo punë. Dollia është e para e tavolinës sigurisht. Të tjerat nënkuptohen.
Dhe ja si e simbolizonte dollinë Baki Branica te filmi “Dhe vjen një ditë”:
– Në këtë gëzim të 30-vjetorit të ndërmarrjes “Butrinti”, janë ngritur shumë shëndete. Por unë dua të ngre edhe një: për specialistët! Për intelektualët tanë! Për shokun Llano, drejtorin e drejtorisë në digaster; për kryeinxhinierin tim të dashur Aleko – që sa më shumë zihemi, aq më shumë duhemi! Për ata që e kanë merituar me djersën e ballit të ngrihen në shkallën e kuadrove drejtuese. I paçim me nder, ballë-lartësitë. Ashtu siç i do Partia! Unë me fund. Ju të tjerët, sipas dëshirës…
Dhe përpara se të shkojmë te shoku Spiro që ngriti dolli për veten në sy të Anës – që e kishte gruan e shokut – me fjalët: “Po e pi për cilësitë e mira që kam”, – le të ndalemi te “Dueli i heshtur”, ku Islam Kallulli deklaron me plot pathos:
– Për shëndetin tonë, që me aq sakrifica dolëm në botën e lirë!
– Për miqtë tanë të mëdhenj!
– Për vdekjen e komunistëve!
Dhe pas tij, Pepin Dobrusha, që në atë çast s’po nxirrte zorrët nga dallgët e detit, e shoqëron me një dolli “alla speciale”:
– Për shëndetin tim dhe për shëndetin e të bukurave sinjorina!
– Bravo Pepin!
Ndërsa daj Zenua tek “Shi nw plazh” nuk e linte krushkun Milo në prespektivë të çohej nga trapeza pa pirë dhe një dolli tjetër
-Do pimë edhe nga një, me eks do ta pimë dhe vëllazërisht
-Vetëm jo me fund se këtij i bën keq për mëlçinë – ndërhyri Izmini, që ishte krushka në prespektivë, rrobaqepse në profesion e pak llafazane si natyrë.
Kështu pra, Dollia Shqiptare është tani zyrtarisht një vlerë kombëtare. Por populli e ka shpallur që kur s’mbahet mend. Vetëm se tani është edhe me firmë dhe me vulë – që të mos na e grabisin ndonjë ditë fqinjët, siç na kanë bërë dhe me gjëra të tjera.
Hajde, ta gëzojmë!
Rituali është yni. Gotat janë mbushur ding!
– Me fund!