Nëse planifikoni të shkoni në Evropë këtë verë, por ende nuk keni vendosur plotësisht për një itinerar, ka të ngjarë që të habiteni me kostot shumë të larta – kur vendosni në minutën e fundit, shkruan Vinicius Costa në një artikull të botuar në revistën amerikane të udhëtimeve “Travel off Path”.
Nga Costa Brava e Spanjës, duke kaluar Rivierën Franceze, deri në Bregun Amalfi të Italisë dhe deri në Bregun Dalmatian idilik të Kroacisë, nevojitet një buxhet ditor deri në 194 dollarë ose më shumë, për të mos përmendur turmat masive.
Megjithatë, jo çdo destinacion veror evropian është aq i shtrenjtë sa Positano, në Bregun e Amalfit, në Itali.
Në fakt, ekzistojnë katër vende tërheqëse të “Botës së Vjetër” të cilat ofrojnë akomodim dhe ushqim me kosto më të lirë:
1-Vlora, Shqipëri; 2-Liqeni i Ohrit, Shqipëri/ Maqedoni e Veriut; 3-Nessebar, Bullgari; 4- Batumi, Gjeorgji.
Vlorë, Shqipëri
E vendosur midis maleve dhe detit, Vlora është destinacioni kryesor turistik në bregdetin e Shqipërisë, “perla e fshehur” e një vendi që është bërë pika e nxehtë e verës së ardhshme të Evropës.
Vlora është një qytet i qetë me një qendër historike të rinovuar së fundmi, me një trashëgimi të pasur kulturore, dhe një vijë bregdetare mahnitëse – të mbushur me apartamente të larta, bare plazhi të gjalla dhe taverna mikpritëse që shërbejnë ushqime të freskëta deti gjatë gjithë ditës.
Ky qytet i bukur bregdetar do të mundësojë fluturime direkte brenda Evropës.
Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është planifikuar të hapet në vitin 2026.
Çmimet mesatare në Vlorë, Shqipëri
Vakt i Lirë – (Restorant) 8 dollarë
Vakt me 3 pjata për 2 persona – (Restorant i nivelit të mesëm) 28 dollarë
Akomodim i lirë – (Hostel) 14 dollarë
Akomodim i nivelit të mesëm (Hotel/B&B/shtëpi pritjeje me 3 yje) 59–69 dollarë
Hotel me 5 yje (Luksoz gjithëpërfshirës) 184–295 dollarë
Tarifa e taksisë (Për 0, 5 milje) 1,90 dollarë
Liqeni i Ohrit
Liqeni i Ohrit shtrihet në kufirin malor midis pjesës jugperëndimore të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë lindore. Është një nga liqenet më të thella dhe më të vjetra të Evropës, me një ekosistem unik ujor me rëndësi botërore, me më shumë se 200 specie endemike.
Imagjinoni një varg qytetesh buzë liqenit të kryqëzuara me rrugë me kalldrëm, me anije shumëngjyrëshe të ankoruara pranë porteve të tyre piktoreske, kisha mahnitëse të lashta dhe madje plazhe me guralecë – të shtrira pranë klubeve të lundrimit.
Mos humbisni Qytetin e Ohrit, një nga vendbanimet më të vjetra në Evropë.
I ndërtuar kryesisht midis shekujve VII dhe XIX, ai ka manastirin më të vjetër sllav (Shën Pantelejmonin) dhe më shumë se 800 ikona të stilit bizantin që datojnë nga shekulli XI deri në fund të shekullit të XIV./kb