Dhuna e idjotëve që po na i degdis djemtë matanë detit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Me shumë gjasa, një 18-vjeçar nga Vlora, që punonte si kamarier – student, i qetë, i sjellshëm, i cili po aq mirë mund të ishte edhe nga Shkodra – do të marrë çantën e shpinës dhe do të niset për udhë. Do të ikë. Në emigracion. Pa shumë fjalë. Pa zhurmë.

Me siguri ai nuk donte ta braktiste vendlindjen, përderisa kishte zënë punë si kamarier në një nga baret e qytetit bregdetar, por mund të detyrohet nga rrethanat.

Gjithsesi, ky është një mendim hipotetik, sepse ngjarjet mund edhe të mos rrjedhin kështu. Por, duke parë historikun e përgjithshëm të vendit në këto vite, mbi trasenë e shtruar mund të lëvizin trena papushim.

Dhe ky djalosh i shkolluar, kur t’i afrohet tragetit atje te Triporti, do të ndalet për një çast. Do të kthejë kokën mbrapa, drejt Vlorës së bukur – ashtu siç nganjëherë kthehemi drejt një dashurie të pamundur. Do ta përshëndesë me inat, me dëshpërim, me gjuhën e mendjes që vlon brenda vetes:

“Ky vend s’bëhet!”

Po ore, po… ke të drejtë. Ky vend nuk bëhet. Dhe ky vend do t’i marrë me dru të gjithë ata që duan të punojnë. Sepse parapëlqehen gangsterët. Ata që rrinë me kobure në brez dhe që, për ta pasur mirë me strukturat shtetërore, bëhen pjesë përbërëse e strukturave të shtetit.

E si mund të bëhet ky vend, kur një djalë që nuk humbet kohën me videogame, që nuk endet i dehur në zgëqet e qytetit, që nuk tymos bar nëpër cepa, por zgjedh të punojë – me mund dinjitetin, për vete dhe ndoshta për familjen që mund të ketë 101 halle – e që përplaset me shpërfilljen inatçore dhe krejt idiote të njerëzve që ia presin rrugën në mes?

Lexo edhe :  Napoleon Bonaparti dhe shqiptarët

Një klient – për të cilin thuhet se është një ish-polic, gjë që nuk ka kurrfarë rëndësie – i jep një “mësim” djaloshit ende të pamësuar me fyerjet dhe dhunën e më të mëdhenjve, apo më të fortëve. E ofendon. I ngre dorën. Sepse, sipas tij, kamarieri ia kishte futur rëndshëm në faturë: jo një shishe shampanjë të ardhur drejt e nga Riviera Franceze, por një bidon uji. Uji i ftohtë i Vlorës, që dikur derdhej kot rrugëve, sot qenka bërë mall me çmim, me kupon fiskal – dhe me hakmarrje, nëse të rëndon në tavolinë.

Dy shuplaka. Tri fjalë të ndyra.

– Ore lyrash, mua do ma fusësh ti…

E pas kësaj, një ndjesi braktisjeje që përpëlitet nën lëkurë.

Kështu lajmi mori dhenë. U shpërnda gjerësisht në rrjete sociale. Një trim me “yll në ballë” duke goditur nje djalosh me syza. Por shans që syzet nuk iu thyen.

– Të iki, vëlla, sa nuk është vonë. “Ciao” dhe “in bocca al lupo” andej nga Brindisi…

Po si bëhet ky vend, kur të rinjtë që duan të qëndrojnë e të punojnë këtu, ne i largojmë me grusht? I largojmë qoftë edhe me indiferencën tonë. I largojmë drejt Perëndimit, ndërkohë që vendet bosh po na i zënë djemtë e Lindjes së Mesme dhe vajzat e asaj të largët… të cilët së shpejti do të jenë shqiptarët e shekullit të ri: me pasaportë dhe kartë identiteti.

Të fundit

Apple ka shitur mbi tre miliardë iPhone

Apple është përballur me kritika vitet e fundit për arsye të ndryshme, që nga gabimet lidhur me inteligjencën artificiale...

Tronditëse në Itali/ Vdes në vendin e punës 21-vjeçari shqiptar (Emri)

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në qytetin Villadossola, në provincën Verbano-Cusio-Ossola të Italisë, ku një punëtor 21-vjeçar, me origjinë nga Kosova, ka humbur jetën...

Koshat e mbetjeve në rrugë/ Braçe paralajmëron: Do dëmtoni imazhin e Tiranës

Deputeti i PS, Erion Braçe, ka reaguar pas pamjeve ku koshat e mbeturinave janë vendosur në mënyrë që pengojnë qarkullimin në rrugë. Ai thekson se...

Në këtë qytet është “e ndaluar të vdesësh për shkak të mungesës së varrezave”

Ky ligj i jep dënimit me vdekje një kuptim krejt të ri. Në Lanjaron — një qytet i vogël në provincën e Granadës në Andaluzi,...

Gabimi që shumëkush e bën/ Këto fruta nuk duhen konsumuar kurrë në mëngjes

Edhe pse frutat shpesh rekomandohen si mënyra ideale për të filluar ditën, disa prej tyre nuk janë zgjedhja më e mirë për mëngjes, veçanërisht...

Lajme të tjera

Web TV