Flakët e zjarrit kanë lënë pas dhjetëra banesa të djegura në fshatin Skënderbegas të Gramshit.
Flakët iu afruan edhe shtëpisë së Çlirim Çonikut.
Pas një beteje me zjarrin, ai tregon për agjencinë e lajmeve Reuters dëmet që ka pasur.
“Mos i ndodhtë asnjërit, askund, mos pafshim asnjëherë gjëra të tilla”, tha Çoniku.
65-vjeçari tregon se nuk pranoi të largohej nga prona e tij, pasi autoritetet dhanë urdhër për evakuim, sepse donte të mbronte shtëpinë dhe bagëtitë.
“Jam marrë me objektet. S’e mbajta dot objektin, punën time 35-vjeçare. Mundi im e djersa ime e 35 viteve. Zoti më dha fuqi që kam ruajtur vetëm shtëpinë për të fjetur gjumë”, shtoi ai.
Çlirimi tregon se ka humbur vreshtat e tij, më shumë se 500 pemë ulliri dhe të gjitha kafshët e tij, përveç qenit të tij besnik, Dasti.
“Janë rrafshuar 100% të gjitha prodhimet, arat, ullinjtë, vreshtat… vetëm qeni ka shpëtuar. Vajta ia zgjidha zinxhirin dhe erdhi pas meje nga frika. Nuk ndahej pas meje qeni”, tha Çoniku.
Gruaja e tij, Manushaqja, ishte evakuuar nga zjarrfikësit ditën e martë për shkak të rrezikut nga flakët, pasi zjarri u përhap me shpejtësi nga era në të gjithë fshatin. Por këtë të mërkurë, pas qetësimit të situatës, ajo u lejua të kthehej në shtëpi.
“Burri ka luftuar ashpër me flakët, por prapë jam shumë e kënaqur që më shpëtoi burri. Për mallin nuk dua ta di, se punoj dhe e bëj prapë”, tha ajo.
Zjarri, i nxitur nga erërat e forta, shkatërroi një pjesë të madhe të fshatit Skënderbegas. Flakët dogjën dhjetëra shtëpi dhe shkatërruan hektarë të tërë tokë bujqësore dhe sipërfaqe të mëdha me pyje./kb