Ndryshimet kushtetuese trazojnë politikën, ndërhyjnë ndërkombëtarët

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Rama ashpërson tonet: Jemi qendra e gravitetit të politikës shqiptare. Në vitin 1922 ishte rasti i fundit që një parti la Kuvendin dhe më pas u shkri fare

Nga Leonard Veizi

Shqipëria vogël ka treguar se prodhon shumë më tepër politikë sesa i mbajnë këllqet. Ekuilibrat vazhdojnë të jenë të brishtë, ndërsa spektatorët-militantë e mbajnë lart frymën luftarake. Situatat e amplifikuara nuk tkurren as kur në lojë futen ndërkombëtarët e shqetësuar.

E njëjta gjë po ndodh aktualisht në skenën e politikës, ku mazhoranca, opozita jashtëparlamentare, ajo që është e sigluar brenda në Kuvend, si dhe institucioni i Presidencës janë në një përplasje të vazhdueshme që ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese, e ku në plan të parë dalin koalicionet parazgjedhore…

…Praktikisht, marrëveshja e 5 qershorit ka rënë, edhe pse kryeministri Rama nuk e pranon një gjë të tillë. Ndryshimet kushtetuese, listat e hapura dhe eliminimi i koalicioneve parazgjedhore kanë futur në ngërçin e ri politikën shqiptare. Por edhe ndërkombëtarët duken fort të shqetësuar, përderisa kanë “kërcënuar” hapur se prisja e marrëveshjes çon në bllokimin e negociatave për në BE.

Dy ditë më parë, në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, u miratua ndryshimi kushtetues, sipas të cilit në zgjedhjet parlamentare nuk do të ketë koalicione parazgjedhore. Në këtë tension të ri politik, zëri zyrtar i Bashkimit Evropian në Shqipëri, ambasadori Luigi Soreca, u ka bërë thirrje palëve që të zbatojnë marrëveshjen e 5 qershorit, duke e votuar sa më shpejt në Kuvend. Kjo është deklarata e dytë e fortë, e dhënë për tensionet politike, ku dhe nënkryetari i CDU-CSU-së paralajmëroi ndërprerjen e negociatave të integrimit, nëse ndërhyhej tej marrëveshjes së 5 qershorit.

I ndodhur përpara një presioni të tillë, Rama ka ngritur tonet dhe ka reaguar duke thënë: “Jemi qendra e gravitetit të politikës shqiptare. Qendra përpiqet nga të dyja anët, ndaj PD-ja dhe grupimi jashtë Kuvendit të pranojë realitetin. Janë pakicë dreqi e mori, janë pakicë… pakica duhet të mbrohet me të gjithë dinjitetin e vet, por jo t’i imponohet shumicës me dogma dhe dokrra. Mos harroni se ikën nga Parlamenti që, po të ishte puna për perspektivën evropiane, s’kanë shok. Duhet të shkojnë në 1922, kur ishte rasti i fundit që një parti la Kuvendin dhe më pas u shkri fare. Ne do të bëjmë më të mirën për vendin”.

Rama kundër Bashës e Metës

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur akuzave të opozitës jashtëparlamentare dhe presidentit Ilir Meta për ndryshimet kushtetuese. Në një konferencë për shtypin, Rama tha se këto akuza janë të papranueshme dhe se në aspektin etik është e padenjë të sulmohet dhe përbuzet Kuvendi. Me tone të forta, kreu i qeverisë deklaroi: “Parlamenti është sovran dhe mbi të nuk mund të dalë askush”.

Më tej Rama tha: “Kjo nismë kushtetuese ka pasur konsensus të plotë me opozitën parlamentare në votim dhe faktikisht jemi në mes, si shumicë dhe PS, të dy palëve me të cilat kemi konsensus të plotë për atë që këto palë më vete duan, dhe nuk kemi konsensus për atë që këto palë në vete nuk duan. Reagimi i opozitës jashtëparlamentare dhe presidenciale ndaj kësaj nisme kushtetuese është i papranueshëm, qoftë në aspektin etik, politik apo kombëtar.

Pse? Sepse unë e di, ju dhe populli, as opozita parlamentare apo presidenciale nuk e vlerësojnë Kuvendin, por kjo nuk e ndryshon faktin që Parlamenti i vendit është sovran. Qoftë presidenti, sepse etika profesionale është baza e shkruar në kapitullin e parë të edukatës, apo opozita parlamentare që vendosi ta braktisë Kuvendin me vullnet të lirë.

Lexo edhe :  “Olsi Rama s’ka lidhje me laboratorin e Xibrakës”, reagon kryeministri

Ne do ta diskutojmë me opozitën parlamentare detajimin e nismës, pa cenuar asnjë pikë të çka në kodin zgjedhor do të integrohet si fryt i marrëveshjes me opozitën jashtë Parlamentit. Sot PS-ja ka konfirmuar zbatimin e marrëveshjes së 5 qershorit”.

Presidenti takim me kryeopozitarin

Kreu i shtetit i ka kërkuar Bashës që opozita të ruajë qetësinë, ndërsa e ka cilësuar si kriminale tentativën e mazhorancës për të ndryshuar Kushtetutën në mënyrë të njëanshme. Gjithashtu, Presidenti Meta është shprehur në takim se shqiptarët duhet t’i bashkojë Kushtetuta dhe rruga evropiane e Shqipërisë.

“Keni rol të rëndësishëm me qetësinë dhe përgjegjshmërinë tuaj për të bashkëpunuar edhe me partnerët evropianë dhe botën demokratike, se e kam theksuar se gjatë tensioneve artificiale në vendin tonë, konfliktet në Shqipëri nuk janë të rastësishme”, mësohet të ketë thënë Meta në takimin 45-minutësh me Bashën.

Kreu i opozitës në këtë takim shoqërohej nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, ndërsa në fokus të diskutimeve ishin ndryshimet kushtetuese, një ditë pasi u miratuan unanimisht në Komisionin e Ligjeve.

Soreca: “5 qershori”, kusht për negociatat

Votimi i marrëveshjes së 5 qershorit për reformën elektorale është konsideruar kusht për negociatat e integrimit. Me këtë mesazh ambasadori i BE-së, Soreca, i ka konsideruar ndryshimet e Kushtetutës si tejkalim të këtij pakti.

Duke saktësuar se për këtë duhej të ishin zhvilluar konsultime, ai thekson se për to duhet gjetur mekanizmi gjithëpërfshirës. “BE-ja e ka mirëpritur marrëveshjen e 5 qershorit. Ka qenë proces gjithëpërfshirës. Është thelbësore që kjo marrëveshje të miratohet. Ky është prioriteti kryesor.

Ndaj, ftojmë Parlamentin që ta votojë.” Nga Vlora, Soreca i cili së bashku me ambasadoren e SHBA-së, Kim, dhe atë britanik, Norman, i përsëriti politikës shqiptare se pa reformën zgjedhore nuk ulen në një tryezë me BE-në. “Reforma zgjedhore është kusht kyç për fillimin e negociatave të anëtarësimit, kjo është bërë e qartë edhe në përfundimet e këshillit, në mars 2020.

Pa këtë kusht, Shqipëria nuk mund të ulet në konferencën e parë ndërqeveritare.” Për ndryshimet kushtetuese që hapin listat dhe ndalojnë koalicionet zgjedhore, ambasadori tha se nuk janë pjesë e rekomandimeve, ndaj rekomandoi dialog me mekanizmin e marrëveshjes së 5 qershorit.

“Kemi parë që janë bërë disa propozime shtesë, të ashtuquajturat ndryshime kushtetuese për sistemin zgjedhor. Këto nuk janë pjesë e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, pra janë jashtë tyre. Sipas orientimeve të Venecies e OSBE-së, këto ndryshime për sistemin zgjedhor do të kërkonin të bëheshin konsultimet e duhura.

Ne, natyrisht, e njohim rolin e Parlamentit për sistemin zgjedhor. Ne inkurajojmë të gjitha palët e përfshira që të vijojnë diskutimin, dialogun me të njëjtën frymë bashkëpunuese dhe të njëjtin mekanizëm gjithëpërfshirës për marrëveshjen e 5 qershorit”.

PD: Rama gënjeu për ndryshimet kushtetuese

Sekretari i përgjithshëm i PD-së ka nxjerrë fakte, ku, sipas tij, kryeministri Edi Rama ka gënjyer lidhur me deklaratën se ndryshimet kushtetuese nuk i prekin koalicionet zgjedhore.

Në një deklaratë nga selia blu, Bardhi citoi nenin 68 të Kushtetutës, ku thuhet se kandidatët për deputetë mund të paraqiten në nivel zone zgjedhore dhe nga koalicionet zgjedhore të partive politike, ndërsa pas ndryshimeve kushtetuese kjo gjë eliminohet.

Sipas tij, kjo ndërhyrje e njëanshme në Kushtetutë shkel marrëveshjen e 5 qershorit, të firmosur nga të gjitha palët për kodin e ri zgjedhor.

Më tej, Bardhi shtoi se kreu i qeverisë është i tmerruar nga zgjedhjet dhe rotacioni i pashmangshëm, dhe me prishjen e marrëveshjes ai po kërcënon rëndë stabilitetin e vendit dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

la.mmi/Fjala.al

Të fundit

Kanceri që përhapet më shpejt/ Është i rrezikshëm dhe prek moshat e reja!

Kanceri i qafës se mitrës është nder kancerët që përhapet shumë lehtë dhe prek moshat e reja, pasi virusi...

“Po e detyrojnë Serbinë të njohë Kosovën”/ Rusia kërkon takim urgjent me Vuçiç

Rusia kërkon konsultime urgjente me Serbinë pas sanksioneve amerikane. Ministri i jashtëm, Sergej Lavrov, thotë se shpreson që të marrë shumë shpejt një përgjigje...

Kur ka nisur fushata e parë kundër duhanit?

Nazistët promovuan fushatën e parë kundër duhanit sepse ishin të shqetësuar për shëndetin dhe higjienën e arianëve. Në fakt, duke filluar nga vitet 1930, kanceri i mushkërive ,...

Ç’po ndodh mes presidentit e qeverisë?/ “Koka” e Vuçiç do të varet në referendum

Fati i Aleksandër Vuçiç si president i Serbisë do të varet në një referendum. Kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiç, gjatë të mërkurës do të...

Si ishte karta e identitetit të romakëve të lashtë?

Në Romën e lashtë, për të demonstruar se ishe qytetar romak , para së gjithash, duhej ta deklaroje në frazën rituale " Civis Romanus sum ". Ajo u shqiptua...

Lajme të tjera

Web TV