Gazeta “Fjala” siguron përgjigjen e ministres së Arsimit drejtuar rektorit të Universitetit të Tiranës, ku ajo i quan legjitime zgjedhjet në këtë universitet dhe e akuzon atë për tentativë të bllokimit të tyre.
Zgjedhjet që mbahen në datën 30 korrik në universitetet publike pritet të rikonfirmojnë në postet për autoritetet drejtuese mjaft prej dekanëve dhe shefave të departamenteve.
Si po ecën procesi dhe pse studentët kërkojnë më shumë peshë në vendimmarrje. Flasin për gazetën kryetari i “Qëndresës qytetare”, Rigels Xhemollari, dhe studentja e Juridikut, kandidate për Senatin Akademik të UT-së, Desara Buçi.
Nga Ina Allkanjari
“Ju më keni zhgënjyer gjithmonë me prirjen për mos të bashkëpunuar dhe për krijimin e situatave problematike në institucion”. Kështu i është drejtuar ditën e djeshme ministrja e Arsimit, Besa Shahini, rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, nëpërmjet një letre zyrtare dërguar në drejtim të Rektoratit, ku specifikohet se zgjedhjet në UT janë legjitime.
Gazeta “Fjala” siguron letrën e MASR-së, në të cilën Shahini shkruan se veprimet përgatitore për zhvillimin e procesit zgjedhor kanë qenë plotësisht brenda parashikimeve ligjore dhe si të tilla duhet të vazhdojnë deri në përfundim të procesit zgjedhor. Në letër theksohet se MASR-ja në 12.01.2020 ka miratuar urdhrin nr. 8, për procesin zgjedhor të autoriteteve dhe organeve drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë, për arsye të përfundimit të mandatit të drejtuesve të tyre më datë 26.05.2020.
“Në urdhër janë shprehur qartësisht, data e zgjedhjeve dhe detyrimi që kandidatët për autoritete drejtuese dhe për anëtarë të organeve drejtuese në Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) publike të kryenin procesin e verifikimit të ligjshmërisë së fitimit të gradës shkencore dhe titullit akademik, përfshirë kontrollin antiplagjiaturë”, shkruan Shahini në letrën drejtuar Konit, teksa thekson se menjëherë pas daljes së urdhrit në janar 2020, rektori ka qenë i detyruar të themelojë Komisionin Institucional të Zgjedhjeve (KIZ) dhe Këshillin e Etikës, për të pasur mundësinë kandidatët të kryenin kontrollin e ligjshmërisë dhe atë të plagjaturës.
Sipas ministres, Koni nuk i ka themeluar këto instituvione. Më tej nënvizohet se për shkak të pandemisë COVID-19, me kërkesë të rektorëve u detyrua ta shtyjë dy herë datën e zgjedhjeve. “IAL-të e tjera publike kishin themeluar KIZ-et dhe ishin gati për zgjedhje në çdo moment, ndërja ju nuk i kishit themeluar. Rrjedhimisht, KIZ-i ekzistues në UT ka vijuar punën për të përgatitur zgjedhjet”, shkruan Shahini teksa specifikon se mandati i anëtarëve të KIZ-it është po aq i vlefshëm sa dhe mandati i rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.
Lidhur me pjesëmarrjen e studentëve në zgjedhje ministrja e Arsimit shprehet se rifillimi i veprimtarisë së transportit publik në të gjithë territorin në korrik, mundëson që studentët dhe pedagogët të marrin pjesë në procesin zgjedhor, ndërsa, sipas saj zhvillimi i pandemisë rrezikon fillimin e vitit akademik në vjeshtë, që do të thotë se vjeshta mund të mos jetë opsion i përshtatshëm për zhvillimin e zgjedhjeve.
Përplasjet Koni-KIZ
Megjithëse ministrja e Arsimit, Besa Shahini, përcaktoi datën 30 korrik si ditën kur do të zhvillohen zgjedhjet në universitete, përplasjet në Universitetin e Tiranës vijojnë. Më herët nëpërmjet një deklarate për mediat, rektori në ikje i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, theksoi se zgjedhjet në fund të korrikut nuk mund të mbahen, pasi nuk janë miratuar anëtarët e rinj të Komisionit Institucional Zgjedhor, si e vetmja strukturë për administrimin e procesit zgjedhor në UT.
“Në datën 30 korrik 2020, në Universitetin e Tiranës, nuk mund të zhvillohen zgjedhjet për autoritetet drejtuese dhe për anëtarë të Senatit Akademik të UT, në kushtet e pamundësisë të Senatit Akademik për të miratuar KIZ, dhe të kaosit dhe konfuzionit të shkaktuar nga 5 (pesë) ish-personel akademik i UT”, deklaroi Mynyr Koni.
Nga ana tjetër, në një letër drejtuar ministres së Arsimit, Besa Shahini, rektori i UT u shpreh se ndonëse shpalli periudhën e vetëkandidimeve për anëtarë të KIZ-it të Uuniversitetit të Tiranës dhe të Komisionit të Apelimit të UT, kjo gjë nuk u realizua, për shkak të mungesës së aplikimeve nga personeli akademik i UT, ky komision nuk arriti të miratohet nga Senati Akademik.
Koni theksoi se tashmë ky proces aplikimi nuk mund të hapet përsëri, duke pasur parasysh të gjitha procedurat që duhet të kryhen gjatë një procesi zgjedhor dhe afatet kohore për çdo procedurë. Kjo situatë, sipas rektorit, e vendos UT-në përballë pamundësisë për të zhvilluar zgjedhje dhe rrjedhimisht, postin aktual të rektorit do të vijojë ta mbajë Mynyr Koni.
Koni i dërgoi letër ministres së Arsmit, një ditë pas shpalljes së vendimit të KZF-së të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, lidhur me listën e kandidatëve për drejtues të njësisë kryesore dhe drejtues të njësisë bazë. Pra, një ditë pas përfshirjes në procesin zgjedhor edhe të këtij fakulteti, i cili duke shpallur kandidaturat e tij, legjitimon procesin zgjedhor.
Përfshirja e FSHN-së në procesin zgjedhor, shënon një hap të rëndësishëm për procesin, pasi ky ishte fakulteti i fundit në UT i cili shpalli kandidaturat. Kujtojmë se rektori Mynyr Koni, më herët shkarkoi 5 anëtarë të KIZ-it, vendim i cili është cilësuar i kundërligjshëm nga Senati Akademik i UT-së në një vendim të posaçëm, në 21 maj 2020. Në vendim deklarohet se shkarkimi i anëtarëve të KIZ-it është i pavlefshëm.
Gjithashtu, në pikën 2 të këtij vendimi theksohet se zgjedhja e KIZ-it të ri do të bëhet mbas përfundimit të procesit zgjedhor në UT. : Për shkak se procesi zgjedhor në UT ka filluar, zgjedhja e KIZ-it të ri do të bëhet mbas përfundimit të këtij procesi për autoritetet drejtuese dhe organin drejtues në Universitetin e Tiranës”, thuhet në vendimin e Senatit Akademik. Ndërkohë më 30 korrik, datë kur është përcaktuar zhvillimi i procesit zgjedhor në universitete, pritet të votojnë 760 personel akademik dhe 30 mijë studentë.
Intervista
“Zgjedhje pa alternativa, shumë nga autoritetet kandidojnë të vetëm”
Kreu i organizatës “Qëndresa qytetare”, Rigels Xhemollari, në një intervistë për gazetën “Fjala”, komenton procesin zgjedhor në universitetet publike, duke e kritikuar për mungesë alternativash në shumicën e tyre.
Ministria e Arsimit ka vendosur që zgjedhjet për autoritete drejtuese dhe anëtarë të senateve akademike në universitetet publike, të mbahen në datën 30 korrik. Deri më tani ka përfunduar procesi i regjistrimit të kandidaturave. A mund të kemi një analizë prej jush, se sa persona rikandidojnë sërish për të njëjtin post, dhe kush janë ata?
Rektorët dhe dekanët që kërkojnë të përsëritin mandatin e tyre 4-vjeçar janë njerëzit më të interesuar që zgjedhjet të zhvillohen në 30 korrik dhe përbëjnë rreth 60 – 70% të kandidatëve për postet drejtuese në universitete. Zhvillimi i këtyre zgjedhjeve, kësaj kategorie drejtuesish i pamundëson procesin e llogaridhënies, për të cilin të gjithë do të ishin në vështirësi përballë studentëve dhe stafeve akademike, qoftë në aspektin e kërkimit shkencor, po ashtu edhe në atë administrativ e financiar.
Po për sa u përket kandidaturave të vetme, pa konkurrencë, si paraqitet situata?
Në Universitetin e Durrësit, Elbasanit dhe në shumë fakultete të Universitetit të Tiranës kemi një fenomen aspak pozitiv, për sa i përket demokracisë së brendshme në universitete, ku kandidatët nuk janë vetëm drejtues në detyrë që kërkojnë të përsërisin mandatet, por garojnë edhe të vetëm në zgjedhje. Në këtë moment këta nuk mund të quhen kandidatë, sepse garojnë me veten dhe procesi do të jetë votim dhe jo zgjedhje mes dy alternativave.
A janë legjitime këto zgjedhje?
Zgjedhjet e 30 korrikut nuk mund të jenë legjitime, pasi legjitimiteti i një procesi varet nga transparenca, integriteti i kandidatëve të cilët refuzuan edhe kalimin në filtrin e plagjiaturës dhe nga platformat dhe idetë që ata përfaqësojnë. Këto tri elemente i mungojnë këtij procesi të shndërruar tashmë në garë për like në facebook dhe instagram.
Si pritet të jetë pjesëmarrja e studentëve?
Po luhet një lojë e fshehtë nga kandidatët me pjesëmarrjen e studentëve. Po i detyrojnë pedagogët që t’i caktojnë pikërisht datat e provimeve në datën 30 korrik, për të pasur fluks dhe pjesëmarrje të detyruar në votime. Nga ana tjetër, pandemia COVID-19 është një rrezik që u kanoset studentëve të cilët do të marrin pjesë në zgjedhje, pasi nëse do të marrim rastin ideal, ku 6000 apo 7000 studentë të një fakulteti do të shkojnë të votojnë brenda një dite dhe një orari, ambienti i sallave të votimit mund të shndërrohet në një vatër të përhapjes së infeksionit.
“Qëndresa qytetare” ka propozuar zhvillimin e zgjedhjeve në nëntor 2020, për t’i dhënë mundësi një pjesëmarrjeje të pacenuar të studentëve dhe pse jo edhe kohës që parlamenti të miratojë ndryshimin ligjor që stafi ynë do të propozojë për rritjen e peshës së votës së studentëve në masën 30%.
Sa e rëndësishmë është rritja e peshës së votës së studentëve?
Rritja e peshës së votës në këtë moment do t’u jepte mundësi të gjithë vendimmarrësve të plotësonin kërkesën e paprekur nga Pakti për Universitetin, por edhe do të prishte të gjitha balancat e krijuara mes klaneve dhe marrëveshjeve mes vetë drejtuesve aktualë. Sot vota e 1 pedagogu në Universitetin e Tiranës vlen sa vota e 360 studentëve, pra praktikisht e papërfillshme dhe pa ndikim në zgjedhjen e titullarëve. Rritja në masën 30%, i jep peshën e duhur kategorisë që popullon 90% të universitetit.
Detaj me shifer
70% e kandidatëve për dekanë dhe rektorë në universitetet publike në vend kërkojnë të rimarrin mandatin e dytë 4-vjeçar për këto poste.
Flet një prej studentëve kandidatë për Senatin Akademik të UT-së
Desara Buçi: Duhet forcuar zëri i studentëve në vendimmarrje
Desara Buçi, studente e vitit të tretë Bachelor në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, ka vendosur të kandidojë për anëtare e Senatit Akademik si përfaqësuese e studentëve në zgjedhjet që pritet të realizohen në 30 korrik. “Kam nisur studimet në këtë degë, pasi gjithmonë e kam parë drejtesinë si instrumentin më të fortë të ruatjes së baraspeshës sociale, ligjore dhe politike”, shprehet Desara Buçi në një intervistë për gazetën “Fjala”.
Sipas saj, një ndër problematikat themelore në universitete qëndron në faktin se studentët janë të papërfillur dhe totalisht të mënjanuar nga vendimmarrja. Sipas saj, një ndër arsyet e kandidimit është pikërisht forcimimi i zërit të studentëve përballë atyre që mundohen ta shuajnë.
Ju jeni një prej studentëve që keni vendosur të kandidoni për Senatin Akademik në Universitetin e Tiranës. Çfarë të shtyu të aplikosh për t’u bërë pjesë e kësaj përfaqësie?
Vendosa të kandidoja për Senatin Akademik pas një seri dyzimesh dhe pikëpyetjesh.
Por ia dola ta bindja veten se kishte ardhur koha që vullneti, eksperiencat e ndryshme organizative, vendosmëria dhe dëshira për përgjegjësi e imja, të kanalizohej në një hap konkret, siç mund të jetë Senati Akademik i UT-së.
Nuk ishte e lehtë si zgjidhje, pasi mund të duket shumë ambicioze për shumë studentë, por për mua shihet si një përgjegjësi e jashtëzakonshme.
A mendoni se studentët kanë zë mjaftueshem në universitetet publike në vend?
Mendoj që studentët dhe atë pak zë që kanë, e kanë të papërfillur dhe totalisht të mënjanuar nga vendimmarrja universitare. Janë ngritur shumë problematika, këtu mund të përmendim dhe protestën studentore, por gjithçka ka përfunduar në vesh të shurdhët, çka ka sjellë dhe sfumimin e zërit studentor. Duhet punuar dhe mos ndaluar asnjë moment që ky zë të bëhet akoma më i fortë dhe më i qëndrueshëm përballë të gjithë atyre që mundohen ta shuajnë.
Si pritet të jetë pjesëmarrja e studentëve ditën e zgjedhjeve?
Ka pasur një debat mbi datën dhe legjitimitetin e zgjedhjeve. Kjo ndikon shumë në pjesëmarrje, por dhe faktorë të tjerë, si temperatuarat e larta, auditorët e boshatisur, pandemia, të gjitha këto mendoj se do ta ulin numrin e pjesëmarrjes dhe pritshmërive nga ky proces.
Si po shkon fushata zgjedhore, si do t’u vijë në ndihmë studentëve kandidatura juaj?
Fushatën e kam mbështetur në dy pika.
E para, ajo në terren që përmban takime në çdo fakultet dhe me çdo student të mundshëm.
E dyta, ajo e medias sociale ku përfshihet pjesa e shpalosjes së platformës, marrja e sugjerimeve, kritikave, pakënaqësive, çdo mezashi apo ide rreth universitetit.
Për mua, si Desara, kontakti me shumë studentë dhe dëgjesa e sa më shumë problematikave, ideve dhe mendimeve të ndryshme, është fushata më e shëndetshme që ne studentët mund të kemi dhe që pastaj mund të pasqyrohet në vendime pas fushatës.
Ka pasur shumë konflikte për legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve, cili është mendimi juaj?
Pavarësisht kandidimit tim, mendimi im qëndron për një datë tjetër zgjedhjesh.
Data e re do t’i bënte zgjedhjet më gjithëpërfshirëse dhe më kompetitive në aspektin e garës.
Shpresoj që të gjendet një zgjidhje e përbashkët dhe e dakordësuar nga të gjitha palët, pasi vendimet e njëanshme e cenojnë këtë proces, duke e bërë më pak demokratik dhe duke rrezikuar fort autonominë universitare. Uroj që studentët të bëjnë zgjedhjen e duhur dhe mos reshtin në ndërtimin e një universiteti sa më dinjitoz dhe cilësor. Asgjë nuk ndodh, nëse më parë nuk e kemi besuar atë.