Homazh/ Rama përkujton Pandeli Cale: Firmëtar i pavarësisë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot Pandeli Cale, firmëtar i Pavarësisë, duke theksuar se gjithë jeta e tij u dallua për nga shqiptaria, oborrësia dhe burrëria.

“Pandeli Cale ndërroi jetë në një spital të Selanikut më 1923, në muajin më të nxehtë të atij viti. E nxehtë pati qenë mikroklima e gjithë jetës së tij, e cila mes furtunave dhe rrebesheve të historisë shqiptare, u dallua për nga shqiptaria, oborrësia dhe burrëria. I kish marrë që në familje këto virtute zoti Pandeli, në një shtëpi shumë të vjetër e nga më të dëgjuarat e Korçës. I kish sprovuar më pas, përmes shkollimit të spikatur në Misir e falë udhëtimeve ndriçuese nëpër siujdhesat e botës mesdhetare”, – theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “Cale ishte i kalitur në gjuhë të huaja e i stolisur me çka i duhej një zotërie për të shkëlqyer në kryeqytetet e Orientit e të Oksidentit. Kjo fotografi e papublikuar më parë e dëshmon këtë bukur mirë më duket”.

Megjithatë, vijon Rama, në vend të rehatllëkut mes librave e pasurive, Pandeli Cale, që do të kishte jetuar fare pa kokëçarje falë çifligjeve të trashëguara, zgjodhi të regjej e të sprovohej në shërbim të vëllezërve të tij shqiptarë.

“I ri ndërroi jetë, por edhe fare më i ri ndërroi frakun allafrënga me fustanellën dhe gunën e komitit. Me nj’anë shkrepte martinën në male me Mihal Gramenon e Themistokli Germenjin, Llambi Bimblin, Sali Butkën e Ferit Frashërin, m’anën tjetër mprehte në kallamar penën, me të cilën u hartuan memorandumet e krerëve shqiptarë për t’ia dalë ëndrrës së mëmëdheut të mosvarur. Bukureshti e Korça bashkë e dërguan delegat në Kongresin e Vlorës të 28 Nëntorit 1912, për të firmosur Pavarësinë. Myslimanë e të krishterë, gegë e toskë i dhanë pëlqimin si ministër, në të parën qeveri të mosvarme shqiptare. I mprehtë në mendime, njerëzor, por kryelartë që nuk e negocionte lartësinë e zotnillëkut të vet, thonë se bëri plot miq po jo pak armiq, e kësisoj provoi edhe kolltukun e zyrës ministrore edhe akullsinë e qelisë së burgut”, nënvizoi Rama.

Lexo edhe :  "20 vjet në zyra, asnjë shërbim qytetarëve". Rama e ka seriozisht me Vlorën

Kreu i qeverisë tha se “parlamentar në kuptimin më të lartë të fjalës dhe mundimtar në kuptimin më të plotë të patriotit, ai e përfaqësoi Korçën dhe Shqipërinë si politikan i shquar dhe njeri i përkushtuar. Vlera e tij doli e plotë në pah gjatë viteve sfilitëse të Luftës së përbotshme dhe Konferencës së Paqes, e sidomos, kur bashkë me Fan Nolin, Hilë Mosin, Dr. Adamidi-Frashërin, ia dolën të anëtarësojnë Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, në dhjetor 1920”.

“Pasi vdiq në dhe të huaj nga një sëmundje e pashërueshme, të gjithë shqiptarët, e jo vetëm ata të Korçës, e deshën pranë. Ia sollën eshtrat e ia ormisën pak kohë pasi ndërroi jetë, në banesën e fundit në qytetin e tij të lindjes. Dedikimi i përmortshëm që Hilë Mosi mbajti me solemnitet të madh në momentin e lamtumirës për këtë personalitet, e dalloi më së miri vendin që i kish bërë vetes, në zemrën dhe kujtesën e mbarë patriotëve, i ndjeri Pandeli Cale”, përfundon Rama./Bl.Ba/Fjala.al

Të fundit

Epoka e dronëve pa pilot, revolucioni i mbrojtjes amerikane

Kreu i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, Pete Hegseth, ka njoftuar fillimin e një epoke të re në fushën...

Tmerri i ri në Tiranë… parkimi dysh

Nga Leonard Veizi Duhet të jesh polic që të kuptosh çfarë do të thotë një polic. Dhe jo, kjo nuk është si ato barcaletat me...

Rama mbledh kryebashkiakët në Durrës, fokus në problematikat e sezonit turistik

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të premte një takim me kryetarët e bashkive të vendit në qytetin e Durrësit, në kuadër të vlerësimit të...

Udhëtimi që tronditi botën, anija Exodus niset nga Franca drejt Palestinës britanike

11 korrik 1947 Më 11 korrik 1947, anija Exodus 1947 u nis nga porti i Sète, në jug të Francës, duke mbartur mbi 4,500 refugjatë...

Plazhi i Darëzezës “pastrohet” nga zaptuesit/ Policia sekuestron 90 çadra e shezlongë

Policia e Fierit në bashkëpunim me ata Bashkiakë dhe të Seksionit të Krimit Ekonomik ka vijuar aksionin për lirimin e hapësirave publike. Në plazhin e...

Lajme të tjera

Web TV