Inflacion VIP-ash, me “zogj”, kallashnikovë e kobure në brez

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Ma hëngri shpirtin kjo puna e VIP-ave. Dhe në Shqipëri ne kemi jo pak të tillë.

Realisht VIP-a apo të fabrikuar si të tillë, për këtë çështje vështirë të japë zgjidhje edhe gjyqi i Hagës.

Nja 30 vite më parë, a ndoshta 25, s’më kujtohet mirë, kur u ndesha më këtë sentencë hyjnore që m’u duk si kriptogram a fjalëkryq pa zgjidhje, bëra si bëra dhe pyeta ca me takt që të mos dukesha nul fare.

-Çfarë do të thotë VIP?

-Very Important Person.

-Ç’a thu ore???

-Ja atë që thashë. Mos të duket pak.

-Demek… – bëra unë sikur kuptova.

-Po ore po.

Ende s’po i bija në të. Se doja të isha i qartë deri në fund. Pa ekuivoke.

-Në shqip si përkthehet, mor aman, se unë kam bërë rusisht në shkollë?

-Person Shumë i Rëndësishëm, or plak.

“Or plak”. Hajde terminologji hajde. Ta mbushte shpirtin.

Ç’është e vërteta në atë kohë isha djalë i ri, por më pëlqente ky zhargon urban. Më shumë më pëlqente të më thërrisnin “profesor”. Më kishte qëlluar nja dy herë. Imagjino, 21 vjeç dhe “profesor”. Se ishte bërë dhe si punë modë, jo për gjë. Por ja që planet m’u prishën. Kishte hyrë VIP-i në mes. Nga t’ia mbaje.

-Po cilët na qenkan këta VIP-a?

-Si me ta shpjegu unë ty: Elvis Presli, ose Majkëll Xhekson për shembull. Ose ndonjë futbollist si Maradona.

-E çfarë kanë këta për të qenë VIP-a?

-Shumë para, shumë famë, shumë femra… domethënë të gjitha me “shumë”.

-Po ndonjë tjetër, se sikur s’po më mbushet mendja?

-Kenedi…

-Ëhë… – u kujtova unë.

-Edhe Merilin Monro, e njeh?

Truri më punonte me xhiro të shpejta.

-Asaj që i ngrihej fustani përpjetë.

-Fiks.

-Edhe kjo ka pasur shumë para?

-Nuk ia kam parë llogarinë bankare, por sa për famë…

-E kuptova.

Ca vite më vonë ia arrita të dëgjoja se edhe unë isha futur në radhën e VIP-ave.

-E Nardo, je bo VIP fare, të pash mbrëmë në televizor.

Ia hodha, thashë me vete. Po dola dhe nja dy-tre herë të tjera në ekran u vulos kjo punë. Sa u mata ta ftoja tjetrin për një birrë, se më bëri goxha nder, u kujtova se nuk kisha marrë rrogën prej dy muajsh. Një çikë ngushtë për të qenë VIP, por si të gjithë, fillimet janë të vështira. Më pas do rregullohesha. U mjaftova me një faleminderit dhe u justifikova se më duhet të shpejtoja për një takim të rëndësishëm. Një ditë tjetër më erdhi një ftesë e papritur nga një tavolinë me fytyra të njohura:

Lexo edhe :  SHBA në sintoni të plotë me shumicën dërrmuese të zgjedhësve shqiptarë

-Profesor Nardi, eja ta pimë një kafe, apo ju VIP-at nuk uleni me ne Popullin e Thjeshtë.

Epo ky e meritonte vërtet një birrë. Edhe “profesor” edhe “VIP”. Etiketim më të plotë nuk kisha ku gjeja. U ula. Pagova dhe tavolinën se për shans, një nga rrogat e vonuara ma kishin likuiduar ata të financës. Në fund të fundit VIP-it i takonte të paguante e t’i linte ndonjë qindarkë bakshish edhe kamerierit.

Ujërat rrjedhin, bashkë me kohën kuptohet. Formacioni i VIP-ave zgjerohej. Tani më duket se ka shkuar në kufijtë e të pamundurës. Do kapërcejë dhe klonin me siguri.

Mizëri VIP-ash.

Këto ditë janari, aty në kafen e përditshme, i hedh ndonjë sy portaleve, ku më së shumti gëlojnë faqet me bluetooth…. VIP-i në skenë me mikrofon në gojë. VIP-ja në Karaibe me bikini. VIP-es i duket “zogu”. VIP-i me kallashnikov në dorë e kobure në brez.

Këta janë VIP-a o të keqen.

Inflacion.

-Pse ore kaq shumë VIP-a kemi ne në Shqipëri?

Pyetja nuk mbetet asnjëherë pa përgjigje.

-Vallahi-bilahi, sa të dush kina. Nji ku ke 12 revista, të gjitha me surrate femnash. Të gjitha VIP-e janë. Ça kujton ti?!

Ndalem të shoh portretet e retushuara me kozmetikë e photoshop. Nuk dua të merrem me thashetheme, por nuk duroj dot.

-Po kjo çne në radhën e VIP-ave?

-Si ore “çne”, ajo është hata fare, ta shohësh me brekë plazhi të ikën mendja fare. Jarebi ta shohësh pa gjë fare…

-Ore para ca vitesh, kjo dhe motrat e saj nuk ia dilnin në vishnin as brekë të zakonshme, se ishin nja dhjetë frymë në shtëpi…

-E o derbardhë mos u bëj trap dhe ti, këtu qëndron sekreti. Po dole një herë pa brekë ia hodhe bythës. Ngjitesh në skenë dhe s’ka nevojë as të flasësh, e as të këndosh. Të kap dhe kamera nga poshtë dhe tak-fak bëhesh VIP. Pastaj thuaj sa të duash ti: s’kishte brekë të vishte.

-Ke të drejtë, s’më kishte shkuar në mendje hiç… Pa brekë është dhe moda…

E ja kështu vajti kjo punë.

-Hajde VIP hajde, kishe nxjerrë një roman të ri më thanë.

Këtë herë nuk më pëlqeu fare etiketimi.

-Po çne unë VIP, edhe librin ma sponsorizuan se këto kohë jam pa punë, – ia kthej.

-Mos e vrit mendjen shumë, kush nuk e merr në punë një VIP si ty…

-Rrofsh or mik. Më lehtësove.

Ja, mendova me vete, kësaj i thonë ta kapësh veten, e të jesh në një hap me Francën dhe Amerikën.  Për djall m’u kujtua sërish Kenedi, Maradona, Elvis Presli e Merilin Monro…

Të fundit

Përhapet kanceri i zorrës së trashë, mjekët ngrenë alarmin: Po prek edhe të rinjtë

Në Shqipëri po rriten shifrat e të prekurve nga kanceri kolorektal apo i zorrës së trashë siç njihet ndryshe. Kjo...

Zbulohet skenari i protestës së PD më 23 dhjetor/Ja cilat rrugë do të bllokohen në Tiranë

Partia Demokratike, do të mbajë protestën e radhës në 23 dhjetor. Ajo do të jetë e ngjashme me protesën e fundit, ku drejtues dhe...

“Troket” dimri me temperatura minus/ Ja si pritet të jetë moti, çfarë do të ndodhë

Për javën që presim përpara vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të qëndrueshme për shkak të masave ajrore të ftohta dhe...

Kërkesë e lartë për gjel deti/ Shitësit në Baldushk: Çmimi i njëjtë, nuk është rritur

Edhe këtë vit Baldushku është në krye të listës së shitjeve për gjelin e detit. Për ABC News banorët shprehen të kënaqur me shitjen,...

Papa Françesku: Le të ndalet lufta, të dëgjohen këngët e paqes

Papa Françesku, në mesazhin e sotëm të së dielës drejtuar besimtarëve, apeloi për armëpushim në Gaza, Ukrainë dhe në çdo pjesë tjetër të botës...

Lajme të tjera

Web TV