Ndërsa numri i viktimave dhe i të prekurve nga koronavirusi vjen gjithnjë në rritje, qeveria shqiptare ndan një fond të veçantë për të prenotuar vaksinën kundër COVID-19. Cilat pritet të jenë opsionet e zgjedhjeve në rastin e daljes së një vaksine. Gara aktuale është se cili vend do të arrijë ta prodhojë vaksinën efikase, ndërsa nga Italia vijnë lajme shpresëdhënëse.
Nga Alessia Selimi
Qeveria shqiptare duket se ka menduar paraprakisht për kontratën që do të furnizojë vendin me vaksinën anti-Covid. Kryeministri Edi Rama ka komunikuar ekzistencën e një fondi, ndonëse nuk ka përmendur shifër ekzakte dhe vendin potencial me të cilin mund të bashkëpunojë. Nën presionin për të bërë një zgjedhje që do të ndikohet nga “lufta gjeopolitike” e vaksinës së re, Shqipëria mund t’i drejtojë sytë pa dyshim nga Italia. Bota mbetet e pafuqishme kundrejt pandemisë COVID-19, për sa kohë që nuk është hedhur ende në treg vaksina që e lufton atë. Rrjedhimisht, bilanci i jetëve të humbura veçse rëndohet.
Ekziston prej kohësh një garë e ashpër, e egër mes fuqive të mëdha, nga Lindja në Perëndim, për prodhimin e një vaksine efektive. Pashmangshmërisht janë krijuar edhe dasitë; janë prodhuar protesta, madje masive, sikundër teori konspirative, se kjo vaksinë do ta transformojë qenien njerëzore, do të monitorojë lëvizjet e do të shtypë aftësinë e të menduarit. Deri dje, qeveria shqiptare nuk kishte komunikuar ndonjë hap të marrë për sa i takon një kontrate paraprake për furnizimin me vaksinë anti-Covid, duke prodhuar kështu reagime dhe akuza të njëpasnjëshme nga ana e opozitës.
Por, duket se është përcaktuar një shumë parash për sigurimin e vaksinës për plot 3 milionë banorë. Gjatë një takimi me bluzat e bardha nga Spitali Infektiv, kryeministri Edi Rama bëri me dije se qeveria ka bërë një rezervim, por nuk përmendi shifër ekzakte dhe as vendin potencial me të cilin Shqipëria mund të bashkëpunojë. Megjithatë, të hënën, Italia u bë vendi i radhës që iu bashkua garës ndërkombëtare me kohën kundër koronavirusit. Doza e parë e preparatit provë iu injektua një vullnetareje 50-vjeçare, e cila ishte pjesë e një ekipi prej 4 mijë personash që priten t’u nënshtrohen testeve gjatë ditëve në vijim nga ekspertët në institutin ‘Spallanzani’ të Romës.
Dhe, duke marrë parasysh se në këtë çështje mjekësore përfshihen dukshëm interesat politikë dhe marrëveshjet mes shteteve, Shqipëria mund t’i drejtojë sytë fare mirë nga vendi fqinj, ku gjatë muajit prill dërgoi 90 mjekë dhe infermierë për të përballuar presionin që po kalonte sistemi shëndetësor italian, në sajë të koronavirusit. Kujtojmë se ky akt solidariteti forcoi më tej marrëdhëniet e mira mes dy vendeve. Nëse eksperimentet shkojnë sipas parashikimeve, vaksina anti-Covid që po zhvillohet nga instituti ‘Spallanzani’ do të jetë gati pranverën e vitit të ardhshëm.
“Kemi bërë një rezervim për vaksinën kur do të dalë. Edhe kjo është një histori më vete që do ta shohim në proces si vijon, pa llogaritur kompetentët e facebook-ut që flasin për çipa që do t’ju futen në tru për t’ju përgjuar se ku do shkoni, çfarë do të bëni, pjesë këto të fantazisë së një kohe të çmendur”, tha Rama duke mos e kursyer ironinë. Ai preferoi të mos ndalej gjatë te kjo pjesë, te protokollet që do të ndiqen për bërjen e kësaj vaksine, sesa te kapacitetet vaksinuese për të lehtësuar vunerabilitetin që shkakton te njerëzit gripi i stinës. “Gripi i stinës e bën më të rrezikshëm COVID-19.
Një trup vulnerabël e merr goditjen më të fortë dhe është më i rrezikuar. Kështu që, kemi vendosur një financim të konsiderueshëm për vaksinimin falas”, u shpreh Rama, pa ofruar sërish një shifër ekzakte. Pak javë më parë, kryedemokrati, Lulzim Basha, e akuzoi kryeministrin dhe qeverinë e tij për vegjetim në luftën kundër koronavirusit. “Qeveria Rama është e vetmja qeveri që nuk ka thënë ende asnjë fjalë dhe nuk ka bërë publik asnjë plan për sigurimin e vaksinës”, u shpreh Basha, duke bërë krahasimin me shumë vende të tjera, ndërkohë që i bëri gjithashtu thirrje kryeministrit të nisë sa më parë punën për përcaktimin e fondeve të nevojshme për vaksinën anti-Covid. Ndërkaq, presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar publikisht se Rusia e ka bërë gati vaksinën dhe se së shpejti do ta hedhë në treg për përdorim.
Kjo deklaratë është parë me skepticizëm nga Perëndimi, duke shtruar pikëpyetje të shumta për efikasitetin dhe sigurinë që mund të ofrojë vaksina “Sputnik V”. Kështu, universitetet më prestigjioze në botë dhe kompanitë farmaceutike më të mëdha si në Kinë, SHBA, Britani të Madhe e së fundmi edhe në Itali, janë futur në garë me njëra-tjetrën. Një çështje e tillë shkencore, nga e cila varet fati i njerëzimit, është e lidhur ngushtë me politikën; ky virus vdekjeprurës duket se do të nxjerrë në pah fuqinë e një shteti, se kush do ta prodhojë më parë vaksinën anti-Covid. Sakaq, bilancet në mbarë botë veçse rëndohen, edhe në Shqipëri. Prej muajit mars kur u shënua viktima e parë me koronavirus në vend deri më sot, mësohet se 259 persona kanë humbur jetën duke mos e fituar dot betejën me virusin.
Gjatë 24 orëve të fundit, 5 pacientë të shtruar në dy spitalet Covid nuk kanë mundur të mbijetojnë. Bëhet fjalë për një 56-vjeçar nga Durrësi, një 73-vjeçar nga Tirana, një 75-vjeçar nga Lezha dhe për një tjetër 73-vjeçar dhe një 81-vjeçar nga Korça, me sëmundje bashkëshoqëruese. Aktualisht, në Spitalin Infektiv dhe në spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 160 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19; 13 pacientë janë në terapi intensive dhe 4 prej tyre janë të intubuar. I rikthyer sërish mes bluzave të bardha, në spitalin rajonal të Beratit u konfirmuan të infektuar me COVID-19 një mjek, një infermiere dhe farmacistja e spitalit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në të dy spitalet Covid janë gjithashtu duke marrë trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes 38 qytetarë të cilët rezultojnë tashmë negativë.
Boks
Italia nisi të hënën testimin e vaksinës anti-Covid te njerëzit, duke iu bashkëngjitur kështu fuqive të mëdha. Doza e parë e preparatit provë iu injektua një vullnetareje 50-vjeçare, e cila është pjesë e një ekipi prej 4 mijë personash që pritet t’u nënshtrohet testeve gjatë javëve në vijim nga ekspertët në institutin ‘Spallanzani’ të Romës. “Pacienti i parë do të monitorohet sot për 4 orë dhe më pas do të shkojë në shtëpi; do të mbahet nën mbikëqyrje për 12 javët e ardhshme”, u shpreh një prej ekspertëve.
Nëse eksperimentet shkojnë sipas parashikimeve, vaksina do të jetë gati pranverën e vitit të ardhshëm. Vullnetarët janë ndarë në grupe me nga 2 grupmosha. 45 grupe i përkasin moshave nga 18 deri në 55 vjeç dhe po aq janë të moshave mbi 65 vjeç. Pjesëtarëve të këtyre grupeve u jepen doza me sasi të ndryshme, për të parë efektet që jep injeksioni. Testimi kryet në bashkëpunim me spitalet infektive në qytete të ndryshme të Italisë. Një tjetër ekip ekspertësh italianë të një laboratori farmacetik në qytezën e Pomecias, në jug të Romës, janë përfshirë po ashtu në një vaksinë anti-Covid që po zhvillohet nga Universiteti i Oksfordit në Britaninë e Madhe.
Rama nga Infektivi: Rritje të konsiderueshme pagash për bluzat e bardha më 2021
Bluzat e bardha që prej muajsh po përballen me koronavirusin do të përftojnë vitin e ardhshëm rritje page. Gjatë takimit me mjekët dhe infermierët në Spitalin Infektiv, kryeministri Edi Rama premtoi rritje të konsiderueshme pagash mbi 5 apo 7 %. Duke e përfshirë këtë premtim në vazhdën e masave të marra në sistemin shëndetësor, Rama vijon ta mohojë largimin e bluzave të bardha dhe pretendon se të rinjtë e shohin tashmë Shqipërinë si një mundësi të arsyeshme për ta filluar karrierën.
“Po përgatitemi për një rritje masive të pagave. Duam të realizojmë një rritje pagash që të jetë shumë e konsiderueshme, jo 5 apo 7%. Ne duam gjithashtu që në aspektin e pagës, përtej bonusit që marrin, mjekët dhe infermierët në të gjithë Shqipërinë të jenë në një nivel në mesataren e lartë të rajonit, kjo është ambicia. Nuk po flasim për një rritje që do të planifikohet në kohë, por ta fusim në buxhetin e ri dhe ta bëjmë fakt në fillim të vitit të ardhshëm. Ajo nuk e kompenson aspektin fizik apo moral, është një vlerësim objektiv. Kemi ndërmarrë hapa që të mos i lëmë mjekët të largohen dhe nga pikëpamja financiare të ketë një balancë, më pas zgjedhjen e bën secili, jetojmë në një sistem të hapur. Largimi ka rënë ndjeshëm dhe specializantët që dalin qëndrojnë jo nga halli, por e shohin si mundësi të arsyeshme ta fillojnë këtu karrierën”, tha kryeministri Edi Rama.
Fillon trajtimi me plazmën e gjakut te pacientët me koronavirus
Të gjithë pacientët e infektuar me COVID-19 do të trajtohen tani e tutje me plazmë gjaku nga dhurues që e kanë kaluar më parë COVID-19. Shefja e Infektivit, Najada Çomo, komunikoi gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama në Spitalin Infektiv se pas një muaji e gjysmë përgatitjeje, dje filloi mjekimi i dy pacientëve pozitivë me plazmë gjaku, ku gjenden antitrupa që luftojnë virusin. Ajo gjithashtu i bëri thirrje për dhurim gjaku të gjithë atyre që e kanë kaluar COVID-19. “Fitorja e kësaj lufte është bërë falë mjekimit të bërë tek Infektivi, në sajë të barnave që përditësohen nga bota dhe qeverisë që na i ka sjellë. Ka një muaj e gjysmë që përgatitemi për plazmën, sot filloi mjekimi i dy pacientëve. Sot i bëjmë thirrje popullatës që të dhurojë gjak, u bëjmë thirrje të gjithë atyre që e kanë kaluar. Është e rëndësishme. Ne jemi një skuadër e madhe dhe e bashkuar. Kemi staf të shtuar dhe prurje të reja. Kemi infermierë”, tha Najada Çomo.
Tabela
COVID-19 – Statistika
Testime totale 57874
Raste pozitive 8759
Raste të shëruara 4530
Raste aktive 3970
Humbje jete 259 (Qarku Tiranë 123, Durrës 37, Shkodër 35, Fier 12, Korçë 12, Elbasan 11, Lezhë 9, Kukës 6, Vlorë 6, Dibër 4, Gjirokastër 3, Berat 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 1994
Durrës 510
Shkodër 304
Fier 180
Lezhë 176
Korçë 191
Vlorë 142
Kukës 140
Elbasan 155
Berat 78
Gjirokastër 49
Dibër 51
Koronavirusi në Shqipëri, Erion Dasho: Nuk ka transparencë me numrin të prekurve
Eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho, analizon situatën e koronavirusit në vend dhe ngre shqetësimin nëse ka mbetur në Shqipëri një burim informacioni i besueshëm. Ai përllogarit shifrat e bëra publike, i krahason me të dhënat jo zyrtare, dhe i konsideron statistikat kontradiktore jo në pak raste. Kësisoj, Dasho shtron pyetjet: Sa të sëmurë nga Covid-i kemi në spitalet tona dhe sa të vdekur nga Covid-i ka në Shqipëri?! A ka mbetur në këtë vend një burim informacioni të cilit mund t’i besosh?! /Ra.My.Fjala.al/