Nga Ardi Stefa
Njëri prej zërave kritikë në çështjet e arsimit, eksperti Ardi Stefa, në një analizë për vendimin e Ministrisë për të rihapur shkollat, sjell në vëmendje disa probleme që hasen me zbatueshmërinë e masave të marra anti-Covid.
Duke e cilësuar një vendim të duhur hapjen e shkollave, ai bën një krahasim me masat që po merren në vendet e BE-së për të realizuar protokollin anti-Covid. “Në vendet e BE-së sot po investohet në tri drejtime: shtimi i ndërtesave të reja shkollore, me synim që të ulet numri i nxënësve në çdo klasë; rritja e numrit të mësuesve, për të përballuar me pak nxënës në klasa; përmirësim i sistemit të komunikimit elektronik, i rrjeteve të internetit, i pajisjeve individuale për çdo mësues e nxënës (dërrasa interaktive, kompjuterë dhe tablete), kualifikim i mësuesve për t’i zotëruar sa më mirë këto mjete, si ndihmëse të rëndësishme në përvetësimin e dijeve dhe jo si primare në mësimdhënie.” – shkruan Stefa.
Më tej ai thotë se çdo ndryshim thelbësor në sistemin arsimor kërkon një rishikim të buxhetit nga qeveria. “Në planet e MASR-së patjetër që duhet të parashikohen ndërhyrjet afatshkurtra anti-Covid, por mbi të gjitha, masat afatgjata për të përballuar me siguri dhe pa ndërprerje shkollore çdo lloj pandemie.” – shkruan Stefa.
Më tej ai sjell disa faktorë që mund të jenë problematikë në zbatimin e këtyre masave, duke pasur parasysh kushtet e shkollave në vendin tonë dhe jep disa propozime për realizimin e protokollit të sigurisë si: test anti-Covid paraprak për gjithë personelin mësimor dhe shërbyes, mbajtjen e detyrueshme të maskës etj.
Po ashtu, Stefa vë në dyshim mundësinë për zbatimin e masave. “Sipas udhëzimit të datës 23 gusht, “brenda klasës, nxënësit qëndrojnë në distancë 1,5- 2 metra larg nga njëri- tjetri. Kur kjo nuk është e mundur, nxënësit ndahen në klasa të tjera!”. E, pra, në Shqipëri kjo nuk është e mundur. Pra, presupozohet mësimi me turne.
Dhe këtu nuk merren parasysh disa parametra, njerëzorë e pedagogjikë”. Duke rimarrë dhe një herë shembullin evropian ai shton “Italia ka investuar 2,9 miliardë euro për rikonstruksionin e ambienteve shkollore, hapësirat e reja mësimore, për blerjen e 2,4 milionë bankave teke nëpër klasa, për blerjen e maskave, dezinfektantëve dhe dorezave për të gjithë nxënësit dhe personelin mësimor e ndihmës! Është shpallur konkursi për punësimin e rreth 84000 mësuesve të rinj.
Është investuar në digjitalizimin e shkollave dhe krejt arsimit, duke pajisur me tableta nxënësit, mësuesit dhe duke kompensuar internetin për të gjitha shtresat në nevojë. Te ne? Sa nga këto janë zbatuar? Sa është buxheti shtesë për arsimin? – Zero! Sa janë shkollat që i plotësojnë kushtet e hapësirave për nxënësit? – Pak ose aspak!
Sa hapësira të reja janë marrë me qira për të përballuar numrin e reduktuar të nxënësve nëpër klasa? – Asnjë! Sa shkolla kanë higjienën e domosdoshme, ajrimin, ujin e pijshëm të rrjedhshëm gjatë gjithë ditës? – Nuk e di! Sa banka teke keni porositur për shkollat? – Nuk më rezulton! Sa maska, dezinfektantë keni blerë për shkollat? – Zero, pasi kjo është një kosto, që duhet ta përballojnë familjet e falimentuara tashmë ekonomikisht.
Sa keni investuar në digjitalizimin e arsimit, pajisjen me mjete didaktike, tableta, akses në internet, rimbursimin e internetit për mësuesit? – Zero! Cila është platforma didaktike, në rast të ndonjë ndërprerjeje të përkohshme të shkollës? – Nuk keni! Sa mësues të rinj keni marrë për këtë vit shkollor? – Deri tani keni folur për 1300 mësues ndihmës për fëmijët me nevoja të veçanta. Dhe vetëm kaq!”- shkruan ndër të tjera në analizën e tij Stefa./Bl.Ba/Fjala.al