Nensi Dojaka, stilistja shqiptare që ktheu Bella Hadid në vitet ’90

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Revista prestigjioze, si Vogue dhe Forbes, i kanë kushtuar hapësirë si kurrë më parë një stilisteje nga Tirana që u vendos në kryeqytetin e Anglisë kur ishte 16 vjeç. Bëhet fjalë për Nensi Dojakën, e cila u promovua nga supermodelja Bella Hadid në eventin e përvitshëm MTV VMA. Kjo e fundit dukej sikur vinte nga fundi i viteve ’90; mbante veshur një palë pantallona të zeza me bel të ulët dhe bluzë prej tyli, po prapë të zezë, poshtë së cilës viheshin re reçipetat në formë disqesh.

Veshja e saj kompletohej me vathë prej ari, të përmasave të mëdha, një byzylyk me lidhës zinxhir dhe këpucë me majë katrore. Vogue e konsideron kurajoze dhe, madje, të rrezikshme paraqitjen e Bella Hadid, duke mos kursyer vlerësimet maksimale ndaj stilistes shqiptare. “Dojaka, e cila u zhvendos nga Tirana, Shqipëria, në Londër, kur ishte 16 vjeç për të ndjekur shkollën Central Saint Martins, ishte një koleksioniste e zjarrtë e revistave të modës së viteve ’90 dhe se fiksimi i adoleshencës e frymëzoi për koleksionin e saj të vjeshtës”, shkruhet në revistën prestigjioze të modës, teksa citohet stilistja.

“Natyra minimaliste, industriale viteve’90 ndihej e papërpunuar dhe tepër reale. Po ashtu, edhe përqendrimi në detaje, si ballafaqimi i femrës dhe mashkullit.” Duket se Nensi dhe Bella Hadid janë njohur përmes stilistit Carlos Nazario. “Doja me çdo kusht që një person publik të vishte krijimet e mia në tapet të kuq. Plus, mund ta imagjinoja Bella-n se si do të dukej e mahnitshme me to”, thotë Nensi, së cilës iu desh të qëndronte zgjuar deri vonë në Londër, për të komunikuar me Hadid pas eventit të Fashion East, në shkurt të këtij viti. “Isha shumë e ngazëllyer”, shprehet më tej Nensi.

Që kur Hadid u shfaq me veshjen e saj, emri i stilistes po gumëzhin në Shqipëri. “Unë jam shumë e lumtur që po sjell pak krenari në vendin tim të vogël, ku ka shumë njerëz të talentuar, dhe për të cilët mendoj se kanë nevojë për shtytje dhe mbështetje”, thotë Nensi. Supermodelja është gjithashtu e kënaqur me suksesin e stilistes shqiptare, që u vulos me blerjen e menjëhershme të veshjes me të cilën parakaloi në pasarelë; të dyja pjesët e sipërme (742 dollarë) dhe pantallonat (1063 dollarë) u shitën në SSENSE.com. Hadid, gjithashtu, nuk ngurron ta cilësojë Nensin në rrjet si një stiliste tepër të talentuar.

Nensi e themeloi markën e saj Eponymous ndërsa përfundoi studimet në Kolegjin e Modës në Londër, vetëm tri vite më parë. Kur bëhet fjalë për pamjen që ajo kërkon t’i japë jetë, ekziston një familjaritet qetësues me elementin e dekonstruksionit, ndonëse konceptohet si një stiliste shumë moderne, sepse ajo merr frymëzime nga realiteti i sotëm. Me kontrastet në lojë, koleksioni i saj është i sigurt, edhe pse ndihet një lloj kontradikte, brishtësi kundrejt ashpërsisë. Ka edhe shtresa prej pëlhure të ndryshme, çka jep thellësi dhe vendoset kundër materialit krejtësisht të tejdukshëm dhe lëkurës së zhveshur.

Poetike dhe subverse, njihuni me punën e stilistes nga Tirana

Stilistja shqiptare, Nensi Dojaka, parapëlqen të flasë me krijimet e saj. Megjithatë, së fundmi, ajo ka dhënë një intervistë për revistën prestigjioze Forbes, ku flet për rrugëtimin e saj si stiliste, vështirësitë e hasura dhe planet për të ardhmen. “Fjala” sjell në shqipe intervistën me gazetaren e njohur Fecility Carter.

Lexo edhe :  VIDEO/ Rama në Pallatin Mbretëror në Madrid, ndan pamjet nga takimi me Mbretin Filipe

Kujtimi i parë nga bota e modës…

Një fustan i firmës Miu Miu. E mora si dhuratë për datëlindjen time, kur isha 16 vjeç. Ishte kaq e lehtë, delikate dhe ndihej me tepër vlerë.

Ju keni studiuar në Central Saint Martins. Pse ju ka tërhequr ajo shkollë?

Unë e dua faktin që mësimdhënia në Central Saint Martins sillet fillimisht rreth identitetit të stilistit dhe arrin më pas në rrënjë të këtij profesioni. Çka është më e rëndësishme, kjo shkollë nxjerr në pah atë çka është unike në qasjet e çdo studenti.

Ishte një lëvizje e sigurt ajo për të ngritur markën tuaj, ndërsa studionit në Kolegjin e Modës në Londër?

Unë fillova të punoj për idenë e një marke në fund të studimeve bachelor, por e zhvillova më tej gjatë studimeve master. Në fillim ishte një vendim i marrë thjesht nga pasioni që kisha për atë që po bëja. Më pas, kur fillova të shisja disa pjesë në Ssense, nga koleksioni im i parë, ishte thjesht e natyrshme të përparoja në atë që kisha filluar tashmë.

Cilët stilistë kanë pasur ndikim në punën tuaj?

Për të qenë e sinqertë, unë admiroj punën e shumë stilistëve; veçanërisht stilistë si Helmut, Ann Demeulemeester, Alessandro Dell’acqua. Më pëlqen se si kishte një element të vargjeve poetike që lë të kuptohet përmbysja. Kjo është vërtet frymëzuese për mua.

Linja juaj e veshjeve të mundëson një rikthim në kohë, konkretisht në vitet ’90. Por është gjithashtu shumë moderne. Si do ta përkufizonit ndryshe ju?

Unë kam hulumtuar aq shumë në revistat e viteve ’90, sepse i dua rrobat, estetikën, madje edhe mënyrën e shkrepjes së fotove në atë kohë. Ka diçka të papërpunuar dhe me shpirt që dëshiroj vërtet ta rikthej. Por gjithçka është e përzier me pëlhurat dhe shijen time personale, e cila, gjithashtu, ndikohet nga ajo që shohim tani. Ekziston ajo përzierje e ashpërsisë dhe dualitetit me të cilën luaj shumë.

Kush është klienti juaj?

Një grua me vetëbesim që nuk ka frikë të duket ndryshe, dhe të thyejë atë paramendim të një veshjeje të bukur.

Cilat janë gurët e themelit të kompanisë suaj?

Materiale me cilësi të mirë, një produkt i punuar me ndershmëri dhe propozimi i një mënyre pak më ndryshe për të veshur / bashkuar rrobat.

Cila ishte veshja e parë që keni krijuar dhe si lindi?

Gjëja e parë që krijova, me të cilën krenohesha, ishte një fustan super i shkurtër, i bërë nga shtresa të trefishta leshi të imët dhe organza në kafe dhe të zezë. Më pëlqente efekti i atyre shtresave të tejdukshme, duke krijuar forma të reja, thjesht duke u mbivendosur.

Na tregoni pak për procesin e prodhimit …

Sa i përket krijimit të koleksionit, unë gjithmonë filloj me hedhjen e pëlhurës në manekinë. Zakonisht, pasi shumë nga veshjet janë asimetrike, ato janë të komplikuara për t’u thjeshtuar në një produkt komercial. Këtu fillon puna e vërtetë. Më pëlqen t’i përziej pëlhurat. Përsëri, gjithçka ka të bëjë me kontrastin dhe dëshirën për t’i dhënë veshjes pamje shumëdimensionale.

Cilat janë qëllimet tuaja afatgjata?

Unë patjetër do të vazhdoj zhvillimin dhe konsolidimin e estetikës dhe cilësisë së produkteve e, mbase, do të zgjerohem edhe në këpucë.

Ku mund të blejmë?

Për momentin, në Ssense, H Lorenzo dhe Macondo në Itali./Ra.My.Fjala.al/

Të fundit

Donald Trump sinjalizon mbështetjen e tij për kriptomonedhat

Presidenti Donald Trump thotë se dëshiron t’i bëjë Shtetet e Bashkuara kryeqytetin botëror të kriptomonedhave. Siç njofton korrespodentja Michelle Quinn,...

PS humbi sot fytyrën e vet/ Minxhozi: Arrestimi i Veliajt, lajmi më i keq për mazhorancën

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u arrestua të hënën me urdhër të Prokurorisë së Posaçme për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të...

Skenarët, çfarë ndodh me Bashkinë e Tiranës/ Afati i pritjes është tre muaj

Pak pasi hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dolën nga Bashkia Tiranë duke marrë kryebashkiakun Erion Veliaj, kryeministri Edi Rama është njoftuar teksa ishte...

Veliaj reagon pas arrestimit: Nuk kam më detyrimin të hesht

Reagimi: Nuk më befason ky fund absurd i këtij kapitulli të gjatë zvarritjeje sa në gojët e qenërisë mediatike dhe sa në duart e një...

Ministri Gonxhe përkujton Musine Kokalarin

"Musine Kokalari – Zëri i lirisë që nuk u shua kurrë! Në ditën e lindjes së Musine Kokalarit, kujtojmë gruan që sfidoi heshtjen me fjalën...

Lajme të tjera

Web TV