Një nga sfidat më të mëdha që po përballet Shqipëria është shpopullimi i saj për shkak të humbjes së shpresës dhe besimit se vendi do të zhvillohet ndonjëherë, veçanërisht nga ana ekonomike.
Për këtë arsye, në Konferencën e 16-të parlamentare rajonale për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor është diskutuaredhe çështja e emigracionit dhe shpopullimit të Shqipërisë.
Duke pasur në fokus çështje si transporti, lëvizja e studentëve dhe njohja e diplomave perspektivat e komunikimit mes vendeve dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor, ambasadori i BE-së Luigji Soreca theksoi se procesi i integrimit do të synojë të përmirësojë jetën e shqiptarëve.
Ndërkaq, nga ana e saj Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu theksoi se duhet të ndërtohet një axhendë kombëtare dhe jo të ecet sipas axhendave individuale, për të frenuar ikjen masive të shqiptarëve.
Në të njëjtën linjë foli edhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi. Sipas tij, çështjet si transporti, lëvizja e studentëve dhe njohja e diplomave dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor, do të mundësojnë fuqizimin e ekonomisë sonë.
“Kjo Konferencë do të diskutojë disa çështje të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal, të cilat zhvillohen e mbështeten nga Procesi i Berlinit, lidhshmëria, transporti, lëvizja e studentëve dhe njohja e diplomave. Këto çështje mund të vlerësohen në disa perspektiva, si: komunikimi midis vendeve tona, mbështetja e rinisë dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor. Të gjitha këto aspekte janë thelbësore për zhvillimin, bashkëpunimin dhe kohezionin rajonal. Nëpërmjet tyre, vendet tona do të mundësojnë fuqizimin e ekonomive dhe shoqërive të tyre, për të ndërtuar një rajon me zhvillim, mirëqenie, paqe, stabilitet, siguri e qarkullim të lirë të ideve, mallrave, kapitaleve, shërbimeve e qytetarëve”, tha Ruçi. /Fjala.al/