“Të nxjerrim mësime nga kjo pandemi”, VOA: Testet e antitrupave, zhgënjim në betejën me COVID-19

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Organizmi krijon antitrupa për të luftuar virusin kur shfaqet infeksioni. Testi zbulon praninë e këtyre antitrupave, por shkencëtarët ende nuk dinë se çfarë mase imuniteti ofrojnë këto antitrupa ndaj koronavirusit.

Në prill, në kulmin e masave izoluese kundër koronavirusit, ekspertë të shëndetësisë në administratën Trump shprehën entuziazëm për një test që do të konfirmonte nëse një person ishte prekur më parë nga ky virus dhe mund të kishte imunitet ndaj tij në të ardhmen.

Testi i antitrupave do të tregonte “imunitetin e mrekullueshëm, shumë të bukur” tha Presidenti Trump duke shtuar se kjo do të mundësonte rihapjen e ekonomisë.

Në periudhën që pasoi u bë e qartë se këto teste nuk ofrojnë garanci për amerikanët që duan të kthehen në normalitet, thotë Dr. Jennifer Rakeman e Laboratorëve të Shëndetit Publik në Nju Jork.

Organizmi krijon antitrupa për të luftuar virusin kur shfaqet infeksioni. Testi zbulon praninë e këtyre antitrupave, por shkencëtarët ende nuk dinë se çfarë mase imuniteti ofrojnë këto antitrupa ndaj koronavirusit.

Faktikisht, “nuk është diçka që vërtetohet lehtë,” në rastin e imunitetit, thotë Marc Jenkins, pedagog në Universitetin e Minesotës. Për të matur imunitetin tek kafshët apo njeriu, nevojiten studime afatgjata. Kjo zakonisht bëhet nga Institutet Kombëtare të Shëndetit apo universitete të ndryshme, por aktualisht këto institucione janë më të preokupuara me punën për të zhvilluar një vaksinë.

Deri kur të mësojmë më shumë për saktësinë e testeve të antitrupave, rezultati i tyre nuk duhet të përdoret si justifikim për të rihapur shkollat apo aktivitetin ekonomik, thotë Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe Shoqata Amerikane Mjekësore.

Por testet kanë vlerë për studime të gjera për të analizuar përhapjen e koronavirusit dhe për të identifikuar ata që mund të dhurojnë plazëm për të kuruar personat e sëmurë me COVID-19.

OBSH: Të nxjerrim mësime nga pandemia

Të hënën, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se vendet që reformuan apo rindërtuan sistemin shëndetësor vitet e fundit dolën më mirë në betejën me koronavirusin.

Në një konferencë për shtyp, drejtori i përgjithshëm i organizatës, Tedros Adhanom Ghebreyesus u bëri thirrje vendeve të nxjerrin mësime nga pandemia që të jenë të përgatitur për një krizë të ngjashme në të ardhmen. Ai lavdëroi Tajlandën, Mongolinë, Senegalin dhe vende të tjera për reagimin ndaj epidemisë.

“Shumë nga këto vende kanë reaguar shumë mirë, pasi nxorën mësime nga epidemitë e mëparshme me SARS, MERS, fruthin, poliomelitin, Ebolën dhe sëmundje të tjera. Prandaj duhet të nxjerrim mësime nga kjo pandemi,” tha ai.

Lexo edhe :  Berisha në eufori: Rrotacion politik më 11 maj

Shifrat Globale

Ndërkohë të hënën, India ia kaloi Brazilit si vendi i dytë në botë për nga numri i rasteve të konfirmuara të koronavirusit. Ministria e shëndetësisë njoftoi një shifër rekord prej 90,802 rastesh të reja të hënën, duke e çuar numrin total të rasteve në Indi në më shumë se 4.2 milionë që nga fillimi i epidemisë. India regjistroi gjithashtu 1,016 vdekje të hënën, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 71,642.

Brazili raportoi 14,521 raste të reja të dielën. Megjithëse tani ka kaluar në vend të tretë pas Indisë për nga numri i përgjithshëm i infeksioneve, Brazili është në vend të dytë pas SHBA për nga numri i viktimave me 126,650 të vdekur nga COVID-19.

Shtetet e Bashkuara udhëheqin botën me rreth 6.3 milionë raste të konfirmuara dhe mbi 189,000 të vdekur. Në Australi, zyrtarët në shtetin e Viktorias njoftuan të hënën se kishte 41 raste të reja, rritja më e ulët një-ditore që nga fundi i qershorit.

Autoritetet në Viktoria kanë punuar për të vënë nën kontroll shpërthimin më të rëndë të COVID-it në Australi, duke vënë kufizime lëvizjesh në fillim të gushtit. Si rezultat i përmirësimeve, të dielën u njoftuan zbutje të disa masave kufizuese.

Vaksinat

Kryeministri Scott Morrison tha të hënën se Australia ka bërë marrëveshje me kompaninë CSL për të prodhuar dy vaksina të koronavirusit, nëse vërtetohet se ato janë të padëmshme dhe efektive në prova klinike.

Kompania CSL po punon për një vaksinë kandidate dhe është planifikuar të kalojë në fazën e dytë të provave klinike më vonë këtë vit. Vaksina tjetër është një projekt i përbashkët mes kompanisë AstraZeneca dhe Universitetit të Oksfordit aktualisht në prova të fazës së vonëshme. Zoti Morrison tha të hënën se kompania CSL do ta prodhojë në masë edhe këtë vaksinë dhe se ai parashikon që 3.8 milionë doza të jenë në dispozicion në janar ose shkurt 2021.

Izraeli po fillon mbylljet e pjesshme gjatë natës në 40 qytete dhe komunitete me nivelet më të larta të infeksionit në vend. Shkollat në ato zona gjithashtu do të mbyllen dhe nuk do të lejohen grumbullime me më shumë se 10 persona në mjedise të mbyllura dhe 20 vetë jashtë.

“E kam të qartë që këto kufizime nuk janë të lehta, por në situatën aktuale nuk ka rrugëdalje tjetër,” tha kryeministri Benjamin Netanyahu përmes një deklarate.VOA/Ka.Li/fjala.al

Të fundit

Nga Gjirokastra në Dibër, qytetet ku Rama e Berisha kanë simpatizantët më të zjarrtë

Eksperti i IT, Tomi Kallanxhi, ka treguar qytetet kryesore të Shqipërisë ku pëlqehen më shumë Berisha dhe Rama. I ftuar...

15 mesazhe të veçanta për t’u uruar njerëzve të dashur Vitin e Ri

Viti i Ri po afron dhe kjo mundësi e re për të arritur qëllime, sfida dhe ndryshime të reja është gjithmonë e mirëpritur nga...

Cilat janë frutat më të shtrenjta në botë dhe ku kultivohen?

Kur mendojmë për fruta, shpesh na vjen në mendje një shije të freskët dhe të shijshme që mund ta gjejmë në çdo dyqan ushqimesh. Por,...

Trafik i rënduar për fundvit, shumë emigrantë po zgjedhin të festojnë në Vlorë

Trafik i rënduar. Kjo është panorama që ka në këtë fundvit qyteti i Vlorës. Fluksi i lartë i emigrantëve që kanë ardhur për festat ka...

Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme nis në 2025

Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme në Shqipëri pritet të bëhet në vitin 2025, pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, me qëllim përafrimin e çmimit...

Lajme të tjera

Web TV