Gazeta “Fjala”, dy ditë më parë, ka botuar një shkrim analitik për ndryshimet e mundshme në qeveri, cilët ministra pritet që të ikin dhe cilët do të qëndrojnë. Pas ministres së Arsimit një tjetër ministër, ai i Brendshmi, ka thënë se s’do të jetë më ministër. A mendoni se kryeministri Edi Rama do të nxitet tani që të bëjë ndryshime rrënjësore në qeveri, 8 muaj para zgjedhjeve dhe, nëse po, çfarë përfitimi do të kishte kjo lëvizje për të dhe PS-në në funksion të fushatës?
Sipas informacioneve që qarkullojnë nga gazetarët, por dhe në korridoret politike, pritet që kryeministri Edi Rama në Asamblenë politike të PS-së, të cilën po e shtyn, në fakt, edhe pse ishte planifikuar të bëhej në fillim të shtatorit, të bëjë ndryshime rrënjësore në qeveri. Por nuk janë vetëm këta dy ministria që përfliten se do të ikin. E para është Besa Shahini, perfomanca e së cilës ka lënë për të dëshiruar, përveç pakënaqësisë së maturantëve që e pamë me testin e provimit të maturës, por edhe sjelljes që ministrja ka pasur ndaj drejtorive arsimore, të cilat në një mënyrë a në një tjetër për socialistët kanë qenë një hambar votash. Por duket se gafa e saj që deklaron se do të ikë nga Shqipëria, pra një ministre Arsimi që largohet nga Shqipëria, nuk është një shembull i mirë për maturantët apo studentët, dhe kjo e ka irrituar kryeministrin për të qenë më konkret në ndryshimet në qeveri. Nëpër korridoret e gazetarisë flitet se mund të ikin edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, dhe ajo e Financave, Anila Denaj. Në një kontekst të tillë shohim se kryeministri Rama ka ndër mend të lëvizë ata ministra që kanë qenë thuajse teknikë ose aspak të dukshëm dhe jo më të flasim për njerëz që do të kenë mundësi në mbledhjen e votave për PS-në në zgjedhjet e 25 prillit. Thënë kjo, sipas thashetheme të korridoreve politike, kryeministri Rama ka ndër mend të vendosë njerëz partiakë në këto funksione, për t’i fuqizuar, për t’i nxjerrë në mbledhjen e votave, pasi PS-ja deri më tani ka thënë se do të dalë e vetme në zgjedhje. Ju thoni se çfarë përfitimi do të kishte kryeministri dhe partia e tij nga kjo në këtë situatë? Duhet të kuptoni se të gjitha ndryshimet në qeveri janë në funksion të zgjedhjeve, situatës dhe performancës së qeverisjes si një e tërë, pasi në të gjitha këto ministri që përfliten për të ndryshuar ministrat, performanca e këtyre institucioneve nuk mund ndryshojë për kaq pak muaj. Kanë bërë apo ç’kanë bërë, kanë qenë evidente për t’u parë, për t’u krahasuar me standardet e BE-së gjatë 8 viteve të qeverisjes së PS-së, por çdo gjë që po ndodh tani është realisht në funksion të zgjedhjeve.
Pavarësisht arsyeve publike të dhëna nga Shahini dhe Lleshaj, besohet se ata po largohen, për shkak të mosmarrëveshjeve me kryeministrin. A mendoni se ka dhe ministra të tjerë që kanë probleme me performancën e tyre. Nëse do të bëheshin sot ndryshimet në qeveri, cilët janë ata ministra që duhet të iknin dhe ata që duhet të qëndronin, sipas gjykimit tuaj?
Unë mendoj se nuk ka në qeverisjen e PS-së, të paktën në mandatin e dytë të saj, kontradikta të ministrave me kryeministrin. Këto janë gjëra të superuara, të kaluara, ashtu sikurse e kemi parë kabineti qeveritar apo çka ministrat shfaqin, jo vetëm në diskursin publik, por edhe në korridoret e ngushta të politikës, nuk është se mund të ketë ndonjë figurë të fortë, potente, që t’i kundërvihet kryeministrit Rama. Duhet ta harrojmë atë performancë që ka pasur Këshilli i Ministrave në mandatin e parë qeverisës, ku ka pasur dhe zëra kritikë, si Ditmir Bushati, Niko Peleshi apo Saimir Tahiri, që tashmë mund të thuhet se është larguar nga politika, apo Fatmir Xhafa që udhëhoqi reformën drejtësi, të cilët nuk kanë qenë ‘yesman’-ë të kryeministrit. Kështu që, në këtë situatën reale që flasim tani, nuk mendoj se ka ndonjë ministër që ka kontradikta me kryeministrin. Ata ishin në kohën e duhur, në vendin e duhur për t’u bërë ministra dhe janë në kohën e duhur, në vendin e duhur për t’u hequr nga ajo detyrë që të ketë mundësi që PS-ja të mbledhë votat e 2021-shit, nëse do të perifrazonim një shprehje të thënë nga ish-drejtoresha e Tatimeve, që ishte po ashtu në kohën e duhur dhe vendin e duhur për t’u bërë drejtoreshë.
Nga pikëpamja e përbërjes, shumë emra ministrash nuk i thonë asgjë publikut, pasi janë të pavotuar dhe pa karrierë politike të mëparshme, në këtë kontekst, një rifreskim i qeverisë a mund të premtonte një ndryshim në raportin e PS-së me votuesin për zgjedhjet e reja?
Pyetja ka të bëjë direkt me atë që quhet performancë e qeverisjes në raport me publikun. Pra, a është e gatshme PS-ja për të pasur një mandat të tretë qeverisës. Në mendimin tim do të jetë një garë dhe luftë e ashpër politike, dhe jemi ende herët për të ravijëzuar fituesin e këtyre zgjedhjeve. Shohim se në tërësi opozita, PD dhe LSI, po bëjnë përpjekje serioze për të garantuar një lloj ndryshimi në qeverisje, por që, në mendimin tim, do të jetë shumë e vështirë. Kjo, sepse duke pasur parasysh bojkotin e zgjedhjeve lokale 2019, duke pasur parasysh statistikat dhe raportin e atyre që votuan apo bojkotuan zgjedhjet për shkak të opozitës. Sipas këtyre të dhënave, duket se opozita vijon të ruajë atë elektorat që e mbështet në zgjedhje. Nuk po flasim për një elektorat gri, që është i pavendosur e që voton për shkak të performancës qeverisëse. Do të shohim si do të zhvillohet beteja politike në këta muaj, se çfarë armësh ka opozita për të denoncuar qeverisjen e këtyre 8 viteve, sa të organizuar do të jenë opozitarët për të krijuar frymën e munguar. Më shumë sesa realisht për PS-në dhe qeverisjen e saj, zgjedhjet e 2021-shit unë mendoj se janë në dorë të opozitës, mënyrës se si do të organizohet për të arritur rezultatin që do, apo për t’iu afruar rezultatit që do populli. Nuk duhen anashkaluar përpjekjet që do të bëjë Rama dhe socialistët. Ne si gazetarë që kemi mbuluar politikën në kaq shumë vite, kemi parë se si socialistët, për hir të pushtetit, bëhen të gjithë bashkë për të mbledhur votat për veten. Edhe sikur Rama të fitojë një mandat të tretë, do të shohim që do të jetë një qeverisje krejt ndryshe nga 2 mandatet e para, por nëse do t’i humbë, në PS nuk do të ndodhë asgjë, kurse në PD e LSI do të ndodhë ajo që quhet shqyerja për pushtet./Bl.Ba/Fjala.al