Operacion policor për kapjen e një personi shumë të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore është zhvilluar në Vlorë orëve të fundit. Janë RENEA dhe FNSH që kanë mundur të sjellin në pranga shënjestrën e këtij sulmi policor, i cili iu është përgjigjur me armë zjarri.
Policia bën me dije se në tentativë për t’u shpëtuar bluve, 47-vjeçari i kërkuar, i dënuar me 25 vjet burg për vrasje, hapi zjarr ndaj forcave të Policisë duke u rrezikuar jetën e tyre, por mbetet i plagosur gjatë shkëmbimit proporcional të zjarrit.
Në zbatim të planit të masave për kapjen e pronave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, atyre në kërkim dhe që mbajë e qarkullojnë me armë zjarri, forcat speciale RENEA, në bashkëpunim me policinë e Vlorës, mëngjesin e sotëm, rreth orës 07:05 kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Hoshtima”.
Duke marrë parasysh rrezikshmërinë e presonit, si dhe informacionet që ky shtetas mbante armë zjarri, Forcat Speciale Renea kanë bërë rrethimin e banesës së shtetasit Xhevahir Jonuzi, 47 vjeç, banues në fshatin Hoshtimë.
Gjatë vendosjes së perimetrit të sigurisë, Jonuzi ka parë forcat e Policisë dhe ka dalë me vrap nga banesa me armë zjarri pistoletë, të cilën e mbante në dorë.
RENEA i ka bërë thirrje të dorëzohej dhe të hidhte armën e zjarrit, por shtetasi Jonuzi ka hapur zjarr në drejtim të forcave speciale duke rrezikuar jetën e tyre. Në proporcion të drejtë me zjarrin e personit, Forcat speciale i janë kundërpërgjigjur për ta neutralizuar dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit Xhevahir Jonuzi mbeti i plagosur në këmbë.
Ekipi i RENEA-s i ka dhënë ndihmën e parë të plagosurit dhe e ka dërguar menjëherë në spital, ku dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Këtë shtetas Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar me 25 vite burg për “Vrasje me paramendim”. Po ndaj këtij shtetasi, në vitin 2018, Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”. /Fjala.al/