Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, u shpreh se nuk besonte që taksa të cilën Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, do të mbijetojë dhe shtoi se një pjesë e këtij problemi do të zgjidhet pas formimit të Qeverisë së re të Kosovës.
“Besoj se (taksa) është e paqëndrueshme dhe se, me formimin e qeverisë në Prishtinë, një pjesë e problemit do të zgjidhet. Kushdo që e formon qeverinë… Është e qartë se pa Listën Serbe ajo nuk do të bëhet dhe heqja e taksës do të jetë një nga kërkesat kryesore të Listës Serbe“, tha Vuçiç, duke iu referuar subjektit politik të serbëve të Kosovës.
Vuçiç i bëri komentet në Davos të Zvicrës, ku po i zhvillon punimet Forumi Ekonomik Botëror.
Autoritetet e Kosovës u kanë vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnja në fund të vitit 2018.
Me gjithë thirrjet e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara për heqjen e saj, ajo vazhdon të mbetet në fuqi.
Si pasojë e saj është ndërprerë edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.