Deputeti i PS-së, Arben Pëllumbi, në një intervistë për emisionin “HARD TALK nga Roland Qafoku”, analizon situatën politike në vend dhe arsyet që, sipas tij, PS-ja duhet ta fitojë mandatin e tretë rresht, për të qeverisur vendin, dhe si po organizohet kjo parti për zgjedhjet e 25 prillit të vitit të ardhshëm.
Nga Roland Qafoku
-Si është bilanci i PS-së në 8 vite qeverisje?
Ç’është e vërteta, ne betejën më të madhe e kemi me ju, jo me elektoratin. Po të më pyesnit se pse do ta votonin PS-në sot, pavarësisht fashave dhe interesave të ndryshme që kanë, unë do t’ju thosha që biznesi i vogël e voton PS-në se i kemi bërë taksat zero. Një çift i ri do ta votojë PS-në, sepse kemi vendosur 400 mijë lekë çekun e bebes.
Një bujk duhet të na votojë, sepse kemi bërë një reformë të tërë në sistemin e bujqësisë. Përjashtuam nga TVSH-ja të gjitha makineritë dhe pajisjet, përjashtuam plehërat, përjashtuam makineritë bujqësore, përjashtuam fidanët, dhe për këtë arsye u rritëm në eksportet bujqësore.
Për të mbërritur tek ajo që është më e rëndësishme, reforma në drejtësi. Ka qenë një nga reformat më të vështira të mundshme, shtete më të fuqishme se ne nuk kanë arritur dot ta bëjnë, ka qenë një reformë e dhimbshme, sepse kemi vuajtur edhe disa gjëra që nuk i prisnim, siç mund të ishte mungesa e Gjykatës Kushtetuese.
-Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë që në 6 vjet dëmi i konstatuar është 4 miliardë euro gjatë qeverisjes së PS-së.
Kontrolli i Lartë i Shtetit në përgjithësi, për vetë natyrën e tij të kontrollit në raportet që nxjerr, nxjerr edhe dëmet e prezumuara, pra dëme që mund të ndodhin “sikur të”. E dyta që është ekskluzive e kësaj periudhe, KLSH-ja në vitet e fundit u kthye thjesht në një gjobëvënëse dhe këtë e dinë që të gjithë.
Zoti Leskaj nuk është se bëri në vitet e fundit drejtimin më të mirë të mundshëm edhe të tijin personal, por institucioni që ai drejtonte ishte një institucion që u kthye në gjobëvënës ndaj pushtetit lokal dhe ndaj institucioneve.
-Po si e vërtetoni këtë?
E vërtetojnë ata që janë marrë më këtë punë.
-Si po organizohet PS-ja për zgjedhjet e 25 prillit?
Mandati i tretë nuk është se duhet me se s’bën, se nuk është qëllim në vetvete fitorja. Duhet që ne të kemi mundësi t’i çojmë deri në fund ato reforma që kemi nisur, që e thënë më thjesht për t’u kuptuar, kemi një anije të cilën e kemi përballë një dallge të madhe dhe jemi drejt kreshtës së dallgës, na duhet edhe pak që ta kalojmë atë.
I jemi drejtuar përsëri elektoratit për të na besuar. Është një elektorat që e prek ditë për ditë prezencën tonë atje. PS-ja është një forcë e cila ka struktura që i funksionojnë gjatë gjithë vitit. Ne kemi jetë partie ditë për ditë. Kemi rreth dy vjet e ca që jemi në aksione të vazhdueshme organizimi.
Kemi pasur procese zgjedhjesh brenda në parti që kulmuan me kongresin e fundshkurtit të këtij viti dhe, sigurisht, e gjitha kjo është një atmosferë brenda forcës sonë politike, ku ngjallet optimizëm dhe nuk ka lejuar të ulet fryma e punës dhe impenjimit dhe e qenies pranë njerëzve, edhe këtë vit të vështirë, ku për shumë muaj u detyruam të jemi të mbyllur.
-Zoti Rama tha se asnjeri nuk e ka të sigurt se do jetë sërish deputet.
Kjo nuk është ndonjë gjë e re, sepse ju e dini që në çdo palë zgjedhje, skuadra e kandidatëve për deputet ka rinovimet e veta. Edhe në varësi të performancës, por edhe të pritshmërive që elektorati ka. Ne kemi filluar një proces “Vlerëso deputetin tënd”.
I kemi shëprndarë te 102 mijë anëtarët e PS-së brenda territorit të Shqipërisë, pasi ka 107 mijë anëtarë, por 5 mijë janë jashtë kufijve. Ua kemi shpërndarë me postë një zarf me kredencialet e nevojshme për t’u futur në platformën e PS-së që të votojnë deputetin e qarkut të tyre. Tirana ka 18 për shëmbull.
Çdo anëtar i PS-së në Tiranë jep vlerësimin e tij për 18 deputetët nga 1 te 5. 1 është shumë keq dhe 5 është shumë mirë. Ekipi drejtues i ka idetë e tij të sakta se kush ka performuar më mirë, kush nuk ka performuar më mirë, por është krejt tjetër gjë të pyesësh edhe strukturat e tua se çfarë mendimi kanë për secilin nga deputetët e qarkut, me të cilët mirë ose keq i është dashur të bashkëpunojë në këto katër vite. Ky proces vazhdon deri në fund të nëntorit.
-Betejën e keni me Ilir Metën apo me PD-në?
Ne betejën e kemi me të gjithë ata që i vendosen përballë PS-së dhe bëjnë ç’është e mundur që ne të mos fitojmë mandatin tonë të tretë. Në këto momente presidenti ka dalë për ne nga kostumi i presidentit dhe ka marë rolin e një kryeopozitari.
Për sa kohë na akuzon, për sa kohë na sulmon politikisht, sigurisht që edhe ne do t’i japim përgjigjet tona, mendimet tona, opinionet tona, në raport me ato që thotë dhe me ato që bën. Nuk është përmendur në rolin e tij të presidentit, por si opozitar dhe kundërshtar i PS-së.
Dhe në këto kushte Basha ka qenë më i maturuar dhe më i pjekur në këtë periudhë. Sigurisht, ai ngelet kundërshtari ynë i drejtpërdrejtë. Po të kemi parasysh që udhëhoqi një vit përpara gjithë ato demonstrata me molotovë, sigurisht në këtë sens sot u është drejtuar institucioneve.
-A do të ketë ndryshime në Kryesi?
Kryeministri kërkoi një votëbesim për këtë deri në zgjedhjet e prillit. Në përgjithësi nuk presim që të kemi ndryshime në Kryesi, në rast se nuk do të ketë ndonjë gjë të paparashikuar. Ne i kemi eksperiencat përpara mandatit të ardhshëm, përpara 2017-s bëmë disa ndryshime. Në filozofinë tonë është rinovimi, shtimi i forcave, energjive të reja, por ky është një aspekt që e gjykon vetë kryeministri.
-Ju keni lindur në Korçë, por jeta juaj është në Tiranë.
Është pak e bukur kjo pjesë. Se në fakt ne në Tiranë jetonim. Por meqë prindërit e mi ishin akoma pa shtëpi këtu dhe pa kushte të mira, edhe nuk njihnin ndonjë mjek, ime më vajti për të lindur në Korçë, ku i kishim më shumë këto mundësi, ndaj unë linda atje.
-Edi Rama është djali i Kristaq Ramës. Ilir Beqja është djali i Hamit Beqjes. Damian Gjiknuri është djali i Lekë Gjiknurit. Ditmir Bushati është djali i Sulejman Bushatit. Arben Pëllumbi është djali i Servet Pëllumbit. A u keni ngjarë baballarëve që keni hyrë në politikë?
Mendimi im është që trashëgimia, qoftë kjo politike, ose në çdo aspekt, ka vetëm avantazhe. Sepse ti je rritur në një ambient që e njeh. Ti di si është konceptuar dhe si është vepruar në një situatë të paraardhësve. Ti je një personazh nga i cili njerëzit presin për mirë apo për keq. Ke një peshë më të madhe dhe përgjegjësi në momentet kur ti hyn në lojë. Në përgjithësi, trashëgimia në çdo fushë të jetës ka rezultuar të jetë pozitive.
-A ju bën vërejtje babi juaj?
Juve në këtë aspekt e njihni më mirë sesa unë. Sigurisht që bën vërejtje. Cilido qoftë njeriu më me eksperiencë që e shikon ndeshjen nga stoli, ka çfarë të thotë. Sepse në fushën e lojës sado i përgatitur të jesh, ndonjëherë gjërat nuk shkojnë siç i ke menduar të shkojnë.
-Si i parashikoni rezultatet e 25 prillit 2021?
Unë nuk jam profet që të parashikoj si shkojnë gjërat, por unë di një gjë. Jemi duke punuar dhe me një pjesë tjetër të elektoratit, e cila për një arsye apo për një tjetër nuk ka marë pjesë në zgjedhjet e 2013-s ose 2017-s. Ne tentojmë të mbajmë votat tona dhe të rritemi me rritjen natyrale që pëson lista e votuesve. Lista e votuesve mendohet që do të rritet me 200 mijë veta, kështu që synojmë që në këtë rritje ne të kapim pjesën që na takon. Objektivi ynë është që të kalojmë 800 mijë vota.
-Po si numër deputetësh keni 71?
Ne kemi vënë objektiv që të mbajmë 74, por unë nuk fola për numrin e deputetëve, por për numrin e votave.
la.mi/Fjala.al