Flet Ledio Braho, anëtar i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve
Nga Fernada Cenko
Anëtari i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ledio Braho, në një intervistë për gazetën “Fjala”, ka reaguar për kthimin në Parlament të ligjit zgjedhor. Në optikën e Brahos, veprimi i Metës për ta kthyer edhe një herë në Parlament apo edhe që i është drejtuar Komisonit të Venecies për opinion, nuk është se do të mbajë “peng” zhvillimin e zgjedhjeve më 25 prill 2021. Sipas tij, ndryshimet kushtetuese do të thotë që a priori do të hapen listat.
“Normalisht Kushtetuta ka ndryshuar, por, për mendimin tim, ndryshimet kushtetutese nuk do të thotë a priori ndalim i koalicioneve parazgjedhore. Ndryshimet kushtetuese do të thotë a priori që do të hapen listat dhe kjo patjetër do të rregullohet, për këtë ka kohë të mjaftueshme, edhe nëse bëhen ndryshime nga Parlamenti, në bazë edhe të kërkesave që kanë partitë e opozitës jashtëparlamentare, por, gjithsesi, kjo është për t’u parë”, u shpreh Braho.
1.Braho, presidenti Ilir Meta ka kthyer edhe një herë në Kuvend ligjin për Kodin Zgjedhor. Sa e pengon punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ky mosdekretim?
Presidenti e ka kthyer me dekret ligjin për Kodin Zgjedhor, ndryshimet që kanë të bëjnë kryesisht me hapjen e listave dhe heqjen e koalicioneve. Normalisht, punën aktuale që po bëjnë organet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kryesisht Komisioneri dhe Komisioni Rregullator dhe nënkomisioneri nuk e pengojnë, sepse ato po merren me rregulloren e brendshme të dy organeve që janë Komisioni Rregullator dhe Komisioni i Ankimimeve dhe i Sanksioneve. Komisioni po merret me identifikimin biometrik të votuesve, që është edhe çështja më emergjente. Ndërkohë që ndryshimet e fundit që janë bërë, që janë kthyer edhe nga presidenti sërish në Parlament, pengojnë pjesën sa i takon fletës së votimit, pasi fleta e votimit është një element që miratohet nga Komisioni Rregullator, në bazë të formulës që përcaktohet në Kodin Zgjedhor dhe pjesën e koalicioneve mes partive. Pra, pa hyrë në fuqi Kodi me gjithë ndryshimet, është e pamundur që partitë të bëjnë llogaritë për sa i përket pjesës se si do të veprohet me koalicionet. Normalisht, Kushtetuta ka ndryshuar, por, për mendimin tim, ndryshimet kushtetuese nuk do të thotë a priori ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Ndryshimet Kushtetuese do të thotë a priori që do të hapen listat dhe kjo patjeter do të rregullohet, për këtë ka kohë të mjaftueshme, edhe nëse bëhen ndryshime nga Parlamenti, në bazë edhe të kërkesave që kanë partitë e opozitës jashtëparlamentare, por, gjithsesi, kjo është për t’u parë. Pra, pjesa që është më immediate, që ka të bëjë me identifikimin biometrik të votuesve, kjo është një çëstje që nuk preket nga ky dekret, se pse kjo ka të bëjë me ndryshimet që u bënë më përpara. Kjo është një çështje që nuk preket, ajo që preket është pjesa e listave të hapura dhe koalicionet, se si do të rregullohen. Dhe kjo për mua është problem deri në momentin që nuk ndahen me një Kod Zgjedhor që është në fuqi. Për sa i përket kësaj pjese, do të çorientojë votuesin, se KQZ-ja nuk mund të bëjë dot edukimin e zgjedhësve pa hyrë në fuqi Kodi Zgjedhor. Kjo mund të sjellë probleme në zgjedhjet e 25 prillit, votuesit nuk do të kenë informacionin e duhur se si do të votohet atë ditë.
2.Po sa i takon dërgimit për opinion në Komisionin e Venecies, a do të ketë ndonjë pengesë?
Përderisa presidenti i është drejtuar Komisionit të Venecies, është një procedurë që merr kohë dhe nuk është e qartë, nëse deputetët e Kuvendit do të presin Komsionin e Venecies në lidhje me këtë çështje apo jo. Me shumë mundësi Parlamenti nuk do ta presë opinionin e Venecies, sepse këtu futet elementi kohë, nëse zgjat kjo, do të sjellë probleme të mëdha. Ajo që është për t’u theksuar, është se Komisioni i Venecies, sido që të jetë opinioni, do ta sjellë dhe, normalisht, situata është problematike, përderisa të gjitha partitë politike janë dakord për sa u përket listave të hapura. E vetmja çështje që mbetet për diskutim është mënyra e hapjes së listave, pra një hapje si kjo që është miratuar në Parlament, apo një hapje si ajo që propozohet nga opozita jashtëparlamnetare, tjetra është çështja e koalicioneve. Prapë unë e shoh problem çështjen e afateve dhe nuk besoj se Parlamenti do ta presë opinionin e Komisionit të Venecies.
3.Po nëse Venecia do të shprehet në favor të presidentit, çfarë problemi sjell?
Normalisht kur të ketë një opinion, atëherë do të ketë një ide, nëse ndryshimet e Kodit Zgjedhor janë në përputhje me Kushtetutën apo jo. Një opinion i Komisionit të Venecies që do të shkojë në favor të dekretit të presidentit, patjetër që do të sjellë probleme në aspektin politik në Shqipëri. Mund të sjellë probleme edhe në aspektin Kushtetues, pasi të krijohet Gjykata Kushtetuese. Pra, do të sjellë një situatë të tillë, që do të ketë kontestime për sa u përket zgjdhjeve të 25 prillit 2021./Bl.Ba/Fjala.al