Parashikimi i Fatos Tarifës: Si do jetë presidenca e Biden

Fatos Tarifa bën parashikimin se si do jetë presidenca e Joe Biden. Ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA në mënyrë të koncentruar thotë se normalizimi i raporteve ndërkombëtare  është pjesa më e rëndësishme. Gjatë emisionit HARD TALK NGA ROLAND QAFOKU,  Tarifa bëri parashikim edhe për çështjen e Kosovës.

 

-Si parashikohet Biden si president?

-Ai me përvojën që ka, me intuitën dhe instiktin demokratik që ka, do bëjë më të mirën që mundet për tu dhënë përgjigje disa sfidave të mëdha të shoqërisë amerikane në radhë të parë. Pandemia është përcaktuar deri tani si sfida më e madhe e tij. Ai do restaurojë pozitën e Amerikës në marrëdhëniet e saj me shoqërinë ndërkombëtare, sidomos me aleatët evropiane. Një aleancë të cilën Trump e dëmtoi shumë. Biden do afrohet me aleatët evropiane, të NATO-s, dhe me BE-në si të tillë. Rifutja e BE në të gjitha ato marrëveshje ndërkombëtare për të bashkëvepruar me vendet e mëdha dhe aleatët e saj për zgjidhjen e problemeve të mëdha globale. Amerika nuk mund të zgjidhë dot të gjitha problemet e globit. Por po kaq e vërtetë është që asnjë nga problemet e mëdha të globit në kohën tonë nuk mund të zgjidhet pa pjesëmarrjen e Amerikës. Ajo që ne kemi interes është se çfarë do të bëjë Biden me Kosovën dhe Shqipërinë. Ballkani ku bëjmë pjesë dhe ne, nuk është më për SHBA-të një rajon i së njëjtës rëndësi që kishte në vitin 1999. Por do ketë një interes të veçantë kryesisht për zhvillimet demokratike në shoqërinë shqiptare, këtej dhe andej kufirit./Fjala.al/Ke.Ba