Nga Angela Rasmussen
Ka dilema të mëdha në lidhje me përgjigjen imune që zhvillojnë pacientët që janë rikuperuar nga Covid-19. Sipas një studimi të fundit në Mbretërinë e Bashkuar u vu re një rënie e antitrupave në më shumë se 350,000 njerëz, duke theksuar edhe njëherë faktin se anti-trupat zhduken shpejt vetëm disa muaj pas infektimit.
Ndërkohë një studim tjetër tregoi të kundërtën: në më shumë se 30,000 pacientë në New York, shumica tregoi nivele të larta të antitrupave IgG, të cilat janë lloji i antitrupave që zakonisht neutralizojnë Sars-Cov-2, virusi që shkakton Covid- 19.
Natyrisht kjo lë vend për dyshime.
A është Sars-Cov-2 një virus aq i fuqishëm sa të “shkatërrojë” sistemin imunitar që na mbron kundër shumë patogjenëve të tjerë?
A mundet njerëzit të cilët janë rikuperuar nga Covid-19 të kenë imunitet mbrojtës për një kohë të gjatë?
Shumica e provave në të dy pacientët me Covid-19 dhe modelet e kafshëve tregojnë se përgjigja imune është e njëjtë me një infeksion akut viral. Fillimisht, trupi krijon nivele të larta të antitrupave IgG, por pasi ne rikuperohemi, ato antitrupa bien në nivelin bazë.
Antitrupat prodhohen nga qelizat B, një lloj i specializuar i qelizave imune që njeh një antigjen specifik. Kur rikuperohemi nga një infeksion, qelizat B që prodhojnë antitrupa shndërrohen nga qelizat plazmatike, të cilat janë të specializuara për të pompuar sasi masive të antitrupave specifikë Sars-Cov-2, në qeliza B të kujtesës. Këto qeliza prodhojnë nivele më të ulëta të antitrupave IgG; por e rëndësishmja ato qëndrojnë në trup për vite me radhë. Nëse ri-ekspozohen ndaj Sars-Cov-2, ato shndërrohen në qeliza plazmatike dhe fillojnë prodhimin e antitrupave, transmeton abcnews.al
Shumica e njerëzve që shërohen nga Covid-19 kanë antitrupa që mund të neutralizojnë virusin muaj pas infektimit. Kjo tregon që infeksioni Sars-Cov-2 prodhon një përgjigje imune që është mbrojtëse, të paktën për disa muaj.
Për të përcaktuar se sa zgjat kjo mbrojtje, për fat të keq, nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse të presim. Sars-Cov-2 ka rreth një vit që është mes nesh dhe nuk ka asnjë mënyrë për të studiuar qëndrueshmërinë imune përveçse të presësh dhe të shohësh.
Për më tepër, antitrupat nuk janë pjesa e vetme e rëndësishme e sistemit imunitar. Qelizat T janë gjithashtu një përbërës kryesor ndaj përgjigjes imune.
Ato janë: qelizat T ndihmëse, të cilat koordinojnë përgjigjet imune dhe lehtësojnë kujtesën imunologjike dhe qelizat T vrasëse, të cilat vrasin qelizat e infektuara. Studimet e mëparshme kanë treguar se infeksioni Sars-Cov-2 shkakton përgjigje të fuqishme të qelizave T.
Ajo çfarë është interesante është se disa njerëz që nuk janë infektuar kurrë me Covid-19 kanë qeliza T të kujtesës nga infeksionet e mëparshme.
Është e rëndësishme të theksohet se roli i qelizave T në mbrojtjen kundër Sars-Cov-2 është kryesisht i panjohur dhe kjo është një fushë që ende ka nevojë për hulumtim.
Vetëm qelizat T nuk ka gjasa të sigurojnë mbrojtje të plotë imune, por ato janë një kontribuues kryesor në kujtesën imune, dhe janë tregues se nivelet e antitrupave nuk tregojnë vetëm historinë e plotë të imunitetit mbrojtës.
Përgjigjet e qelizave të tilla tregojnë se Sars-Cov-2 nuk është një virus anormal. Sars-Cov-2 sigurisht mund të pengojë disa përgjigje antivirale, e cila është ndoshta mënyra se si shkakton gjendjen e rëndë nga Covid-19 te disa njerëz, por nuk është e paprekshme nga mbrojtja jonë imune.
Ndërsa ka pasur disa raste të raportuara të ri-infektimit, aktualisht nuk ka prova se kjo është diçka e zakonshme dhe normale. Ekziston mundësia që ri-infektimi tek njerëzit me imunitet jo shumë të fortë mund të rezultojë në sëmundje më të lehtë, megjithëse kjo është ende një hipotezë që nuk është vërtetuar.
Duhet të ketë më shumë hulumtime për ri-infektimin për të kuptuar se sa e zakonshme është, por ne nuk duhet ta konsiderojmë atë si dëshmi se imuniteti nuk parandalon infektimin nga Sars-Cov-2 në të ardhmen.
Përkundrazi, ka të dhëna premtuese te studimet mbi kafshët dhe provat klinike që vaksinat kandidate kanë nivele të antitrupave ekuivalente me pacientët që rikuperohen dhe nivele më të larta të antitrupave.
Kjo është e vërtetë për vaksinën Pfizer, e cila sipas testeve klinike ka rezultuar mbrojtëse ndaj rasteve simptomatike. Kjo sugjeron që vaksinat mund të ofrojnë mbrojtje më të fortë dhe për një kohë më të gjatë sesa infeksioni natyror.
Për të shpjeguar transmetimin, shkallën e vdekshmërisë dhe pasojat e Covid-19 është joshëse të mendosh se virusi është një patogjen i veçantë, të cilin nuk e kemi hasur kurrë më parë.
Në realitet, janë politikat tona joadekuate dhe mungesa e strategjisë së shëndetit publik të bazuar në prova që na kanë çuar atje ku jemi sot në SHBA, Britani dhe shumicën pjesës tjetër të Europës.
Sistemi ynë imunitar po i përgjigjet këtij virusi ashtu siç e prisnim; është udhëheqja jonë e cila ka dështuar.
Burimi: The Guardian