Shpyllëzimi i Amazonës është në nivelet më të larta për dymbëdhjetë vitet e fundit, sipas të dhënave më të fundit nga Instituti Kombëtar brazilian i Hulumtimeve Hapësinore.
Nga korriku i vitit 2019 dhe deri në gusht të këtij viti raportohet se është shpyllëzuar një sipërfaqe prej 11.088 kilometrash katrorë, një rritje prej 9.6 për qind në krahasim me vitin e shkuar.
Shifrat janë më të larta të regjistruara që nga 2008, kur u shkatërrua një sipërfaqe prej 12.911 kilometrash katrorë.
Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, njihet për skepticizmin e tij ndaj ndryshimeve klimatike dhe është kritikuar gjerësisht për menaxhimin e kësaj dukurie.
“Vizioni i qeverisë së Bolsonaros mbi zhvillimin e Amazonës na kthen në të shkuarën, me shifra shpyllëzimi që nuk janë vërejtur që prej 2008”, thotë Cristiane Mazzetti e organizatës Greenpeace.
“Është një pikëpamje e prapambetur që nuk përfaqëson shumicën e qytetarëve të Brazilit dhe nuk është në përputhje me përpjekjet mbarë botërore mbi menaxhimin e krizës klimatike dhe biodiversitetit”.
Greenpeace tha se nëse miratohet buxheti i Bolsonaros për 2021, agjencive të mjedisit do iu shkurtohen rreth “35 për qind e buxhetit”.
Amazona është pylli më i madh tropikal në botë dhe ka një rol kritik në betejën kundër ndryshimeve klimatike për shkak të aftësisë së lartë thithëse të karbonit.
Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden është shprehur gjatë një debati elektoral se Brazili do të vuajë pasojat të rënda ekonomike nëse shpyllëzimi do të vijojë./Re.D/Fjala.al