Sa i mundur është rikthimi i “Konsesnsusi Washingtonit” dhe “Programi i axhustimeve strukturore”?
Ekskluzive/ Nga Adrian CIVICI
Shfaqja e pandemisë së Covid-19 dhe politikat e izolimit total apo të pjesshëm në shumicën e vendeve të botës e kthyen vëmendjen te instrumenti i borxhit publik si zgjidhje shpëtimtare, e domosdoshme dhe ndoshta kryesore që qeveritë kishin në dorë si “armën shpëtimtare” në luftën kundër coronavirusit, armikut të padukshëm, shkatërrues e vdekjeprurës. Filozofia dominuese, gjatë përballjes me efektet e pandemisë së Covid-19 ishte “jemi të detyruar të rrisim nivelet e borxhit publik … në këto kushte, nuk kemi rrugë tjetër më të shpejtë dhe më të sigurtë”. Me sa duket, nuk kishte rrugë tjetër më të shpejtë dhe më bindëse për përballimin e situatës së jashtëzakonshme shëndetësore, ekonomike e sociale se sa rritja e borxhit publik.
Sipas FMN dhe Bankës Botërore, borxhi publik pritet të arrijë në nivelin 101.5% të GDP botërore. Në kushtet e një PBB botërore prej 87 697 miliardë usd (viti 2019), borxhi publik global prej 101.5% nënkupton një shifër borxhi të barabartë me 89 012 miliardë usd. Deri tani, vlerësohet se qeveritë e vendeve të ndryshme të botës kanë shpenzuar mbi 18 000 miliardë usd në kuadrin e programeve të urgjencës sanitare dhe ndihmave për ekonominë, bizneset dhe individët në kuadrin e paralizës ekonomike të shkaktuar nga izolimi total apo pjesor, ndërkohë që për javët e muajt në vazhdim mund të aprovohen dhe mbi 12 000 miliardë usd të tjera. Një pjesë e rëndësishme e tyre do të përballohet me borxh publik.
Debati kryesor në këtë aspekt ka të bëjë me “pranimin si politikë normale” të rritjes së borxheve si dhe nivelin apo momentin “se kur duhet të stopohet kjo tendencë gjithnjë në rritje” e tij. Mbas një periudhe relativisht pozitive në nivelet dhe politikat specifike të kontrollit të borxhit publik si në vendet e zhvilluara ashtu dhe në vendet e varfëra apo ato në zhvillim dhe me ekonomi emergjente në vitet 1998-2008, kriza globale financiare e shpërthyer në vitin 2008 e rriktheu dhe njëherë në plan të parë tendencën e rritjes së frikshme të borxheve publike, që po arrin maja akoma më të larta në 2020.
Shqetësimi kryesor i ekonomistëve në këtë aspek është i dyfishtë : nga njëra anë, dilema dhe pikëpyetjet që lidhe me arsyetimin se “borxhi publik ju krijon qeverive mundësi që të disponojnë burime financiare suplementare për ti investuar në shëndetësi, edukim apo infrastrukturë … por, nëse ky borxh bëhet problematik, gjithë këto projete e angazhime të qeverive, mund të penalizohen rëndë … kjo evidenton domosdoshmërinë urgjente për ta mbajtur borxhin publik në nivele të kontrollueshme dhe të menaxhueshme”; dhe, nga tjetër dilema dhe pikëpyetjet se “se si do menaxhohet problemi i borxheve të larta publike në periudhën post-covid 19 nga ana e G20, FMN dhe Bankës Botërore, veçanërisht borxhet e vendeve në zhvillim dhe ato me ekonomi emergjente.”
Çfarë duhet bërë në nivel ndërkombëtar për zgjidhjen e kësaj “patate të nxehtë”, sidomos për të ardhmen e afërt post pandemike të vendeve në zhvillim dhe atyre me ekonomi emergjente në lidhje me borxhet e tyre publike tepër të larta dhe ekonomitë e tyre të goditura nga kriza e pandemisë? FMN dhe Banka Botërore parashikojnë një stabilizim të trajektores së borxhit publik në vitin 2021, por ato kërkojnë kujdes dhe vlerësim real të gjendjes nga vendet me borxh të lartë, pasi akoma ka shumë të panjohura e sfida që duhen përballuar në lidhje me parashikimet për ecurinë e këtij procesi në vitet në vazhdim.
Një artikull dhe analizë mjaft interesante “Dilema post-Pandemike e Borxhit Publik” dedikuar kësaj problematike të rëndësishme që kërkon zgjidhje urgjente në të ardhmen e afërt, shkruar nga Michael Spence, laureat i çmimit Nobel në ekonomi, Graduate School of Business në Stanford University dhe Danny Leipziger, profesor i ekonomisë pranë George Washington University’s School of Business, në të cilin jepen disa drejtime e orientime se si duhet të menaxhohet në shkallë ndërkombëtare, sidomos nga G20, FMN dhe Banka Botërore problemi i borxheve të larta publike, sidomos për vendet në zhvillim dhe ato me ekonomi emergjente.
Duke ju referuar eksperiencës së krizave të borxheve në vitet 1980-të kur FMN dhe Banka Botërore bashkëpunuan për të prodhuar paketa politikash afatmesme që do të krijonin mundësi për financime të reja dhe integrimin e fondeve specifike në kuadrin e planeve bindëse e të arsyeshme zhvillimi ekonomiko-social, të tilla si “Konsensusi i Washingtonit” apo “Programet e axhustimit strukturor”, autorët sugjerojnë rripërsëritjen apo riaktivizimin e një skeme të tillë në mënyrë që të krijohen siguritë e duhura për huadhënësit dhe huamarrësit të cilat do të çojnë në një zgjidhje të pranueshme e më afatgjatë të problematikës së borxhit publik.
Veçanërisht, vendet në zhvillim dhe ato me ekonomi emergjente duhet të fillojnë të mendojnë dhe përballjen me një skenar të tillë, sidomos ato me borxh të lartë edhe problematik në raport me nivelin e produktivitetit dhe cilësinë e ekonomive dhe financave të tyre.