E kërkoi drejtuesi i Partizanit, Disiplina gjobit Vllazninë për tifozët në “Loro Boriçi”
Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, i mbledhur të martën, marrë në shqyrtim ngjarjet e fundit në të gjitha nivelet e futbollit shqiptar, duke dhënë edhe vendimet përkatëse në lidhje me ndeshjet e fundjavës. Ajo që ra në sy ishte ndëshkimi financiar i skuadrave për shkelje të protokollit shëndetësor. Vllaznia fitoi 1-0 të dielën në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës përballë Partizanit dhe vazhdon të kryesojë Kategorinë Superiore.
Në tribunën e stadiumit ishin të pranishëm shumë tifozë vendas, diçka për të cilën u ankua edhe Olsi Rama, Drejtori i Përgjithshëm i të kuqve kryeqytetas. “Ne luajmë në stadiumin tonë me 20 vetat që lejon Federata, – pati deklaruar ai. – Këtu nuk e di sa ishin, 500 apo 600. Të gjithë i kërkonin me presion llogari gjyqtarit dhe në momenti ne golit ishte një atmosferë si në një ndeshje normale.” Dhe duket se fjalët e tij nuk kanë rënë në vesh të shurdhër.
Kjo sepse klubi shkodran është ndëshkuar të martën me një gjobë prej 2 milion lekësh të vjetra në lidhje me praninë e madhe të tifozëve në “Loro Boriçi”. Edhe Besa, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive dhe mosgarantim të sigurisë së zyrtarit të ndeshjes, është ndëshkuar me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë), por ajo aplikohet në masën 50%. Ndërkaq, është pezulluar për 8 ndeshje Adriatik Shahini, zyrtari i klubit të Erzenit, por edhe zyrtari i Shënkolli, Artan Djala, për shkak të sjelljes josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes.
JA TË GJITHA VENDIMET E KOMISIONIT TË DISIPLINËS
KF Vllaznia, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive, duke mos respektuar Protokollin Sanitar të FSHF-së dhe Urdhrin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nr. 633, datë 17.11.2020 “Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo të hapura”, në bazë të neneve 63/1/b, 64/1, dhe 64/5 të KDS, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë.
Zyrtari i KF Erzeni, Adriatik Shahini, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në zbatim të nenit 19 të KDS zyrtarit i ndalohet qëndrimi në dhomat e zhveshjes, stolin e rezervave dhe ambientin përreth fushës.
Flamurtari FC, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së dështimit në përmbushjen e përgjegjësive, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF.
FC Besa, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive dhe mosgarantim të sigurisë së zyrtarit të ndeshjes, në bazë të neneve 63/1/c, 64/1, dhe 64/5 të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë). Në zbatim të nenit 116/1/a gjoba aplikohet në masën 50%.
Zyrtari i Shënkolli, Artan Djala për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në zbatim të nenit 19 të KDS zyrtarit i ndalohet qëndrimi në dhomat e zhveshjes, stolin e rezervave dhe ambientin përreth fushës.
Lojtari i KF Shkumbini, Daniel Ramazani, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/a të KDS, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
Lojtari i KF Gramshi, Klehant Zani, për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/a të KDS, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
Lojtari i KF Klosi, Ervis Kadiu, për goditje me shkelm ndaj zyrtarit të ndeshjes, si dhe duke përdorur gjuhë ofenduese dhe shkelur parimet e fair play, në bazë të neneve 11/1/e, 11/1/f, 31, 38, 48/2/b, dhe 55/1 të KDS përjashtohet përgjithmonë nga çdo aktivitet futbollistik.
Lojtari i KF Klosi, Glen Maci, për goditje me grusht dhe pështymjen ndaj zyrtarit të ndeshjes, duke shkelur parimet e fair play, në bazë të neneve 11/1/e, 11/1/f, 31, 38, 47/2/a, 48/2/b, 48/2/c dhe 55/1 të KDS përjashtohet përgjithmonë nga çdo aktivitet futbollistik.
KF Naftëtari, në bazë të nenit 12 të KDS, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së dështimit në përmbushjen e përgjegjësive, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe Rregulloret e FSHF.
Lojtari i FK Kukësi U19, Argnes Ademaj, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit dhe ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të neneve 47/1/e dhe 48/1/a të KDS, dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
Lojtari i Sh.F.Pepa U13, Luis Miftari, për pështymjen ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/c të KDS, dënohet me 24 (njëzet e katër) muaj pezullim nga aktiviteti.
Lojtari i Akademia e Futbollit U15, Saverio Daci, për protestë ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 55/2 të KDS, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
AF Sukth U13, për aktivizimin e një lojtari të pa federuar në ndeshjen e vlefshme për Kategorinë Superiore U-13 Grupi A, kundër Durrësi 04 U13, në bazë të Nenit 53 të KDS humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0, si dhe i zbriten 3 pikë nga klasifikimi.
Pranimin e kërkesës së lojtarit të KF Teuta U17, Gerti Kurti, duke pezulluar zbatimin e pjesës së mbetur të dënimit. Në bazë të nenit 32/2/4/5 të KDS, lojtari vendoset në provë për një afat 6 (gjashtë) mujor dhe në rast të përsëritjes të shkeljes disiplinore gjatë periudhës së provës, dënimi i pezulluar i shtohet dënimit të ri.
Pranimin e kërkesës së KF Laçi U-15, në lidhje me lojtarin Nikola Pepa, duke pezulluar zbatimin e pjesës së mbetur të dënimit. Në bazë të nenit 32/2/4/5 të KDS, lojtari vendoset në provë për një afat 6 (gjashtë) mujor dhe në rast të përsëritjes të shkeljes disiplinore gjatë periudhës së provës, dënimi i pezulluar i shtohet dënimit të ri.
Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF Sopoti U19, Kosta Belba, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës Sportive.
Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të FC Besa U-15, Kevin Hoxha, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës Sportive.
Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të FK Apolonia, Rubin Zijaj, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës Sportive.
Rrëzimin e kërkesës së lojtares së Tirana AS – Femra, Anisa Kotarja, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës Sportive. Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.