Vasil Premçi
Anton Pavlloviç Çehovi, në këshillat për mjeshtrinë letrare, shkruan: “Nëse në aktin e parë të një drame ti ke varur një pushkë në mur, atëherë në aktin tjetër pushka do të duhet të shkrepet. Nëse nuk shkrepet, nuk ka pse të jetë e varur në mur.” Një shkrimtar shqiptar, me ambicie të spikatura në fushën e letërsisë, Faik Ballanca, shkruan romanin “Nomeja e largët, ose “Historia e jetës së Bendo Cergarit”, larg formatit klasik të një vepre letrare, si romani, që ndërtohet nëpërmjet një hyrjeje, kulmit dhe fundit të veprës.
Lexuesin e befason kreu i parë i romanit në të cilin paraqitet drejtori i muzeut të rrethit, Vjero Markoja, në kërkim të rrëfimeve të pjesëmarrësve të Luftës Nacionalçlirimtare, për të pasuruar me tej muzeun e rrethit dhe me merakun për të shkruar një vepër për historitë e dëgjuara. Pastaj, si ta kishte përpirë dheu, në kapitujt e tjerë nuk pipëtin më në asnjë rresht, Vjero Markoja. Kapitujt e romanit në vijim të të ftojnë të ndjekësh jetën e heronjve të tjerë… Duke patur parasysh metaforën e Çehovit, për punën e armës që duhet shkrehur në faqen dytë…, lexuesin e godasin një mori pyetjesh.
Mos është parazitar kreu i parë i romanit? Çfarë funksioni ka ai? Po nëse do t’i mungonte romanit, cfarë mund të humbiste romani? Në të kundërtën, çfarë ka fituar ai me këtë kapitull, i cili ka në qendër të vemendjes drejtorin e muzeut të rrethit, Vjero Markon dhe pastaj, në 310 faqet e tij, nuk përmendet më asnjëherë? Në të vërtetë, pasi njihesh me formën e re të romanit, intuita artistike të paralajmëron se ky roman i guximshëm, antikonformist, është shkruar sipas një stili të ndryshëm nga romanet e atyre viteve, a thua si përgjigje e përpjekve novatore të shkrimtarëve bashkëkohorë në Paris e gjetkë. Dhe, ashtu sikundër shijohet një pikturë e bukur, duke iu larguar pakëz asaj, pas leximit të romanit, bindesh se, pikërisht ai kreu i parë, merr një kuptim të veçantë; sepse të fton drejt udhëtimit të ngjarjeve që përbëjnë vetë romanin.
“Nomeja e largët” përjetoi fatin e një qenie njerëzore; fëmijërinë si novelë me titullin “Katër orë larg shtëpisë” dhe më pas në gjininë e romanit, burrërinë ose moshën e pjekurisë. Botimi i tij nuk kaloi pa rënë në sy të kritikës letrare dhe kolegëve të autorit, Faik Ballanca, si atëherë, por edhe sot pas kaq vitesh. Por ajo që ndodh rëndom me romanet që shkaktojnë diskutime në botën letrare nuk u përjetua nga vetë autori ose më mirë të themi, ndodhi si atij bujkut të pafat, që edhe pse mbolli me kujdes e dashuri arën, në fund, nuk arrin të gëzojë të korrat e prodhimit të pritshëm… Nuk mund të mos vemë në dukje faktin se, në vitin 1975, ky roman ju kthye dy herë autorit nga Shtëpia Botuese ”Naim Frashëri”, si një roman i pabotueshëm për shkak se nuk mishëronte apo nuk u përgjigjej normave të realizmit socialist.
Romani pa dritën e botimit në vitin 1989, shumë vite pas vdekjes tragjike të autorit. Nisur nga këto rrethana, por ca më shumë edhe nga mënyra si është ndërtuar e konceptuar ai, nga idetë që kërkon të transmetojë nëpërmjet përmbajtjes dhe heronjve dhe në veçanti të jetës së personazhit më të spikatur të tij, Bendos, romani meritoi një vemendje të veçantë.
Sigurisht leximet dhe interpretimet e ndryshme të romanit kanë të bëjnë me formimin letraro-artistik të lexuesit, shijet dhe nivelin e tyre, por edhe me aftësitë dhe mjeshtërinë letrare të Faik Ballancës e dëshmuar më parë në mjaft tregime dhe novela të spikatura, si bie fjala ”Mbama pak pallton, çun!”, “Kënga e fundit e Marko Boçarit”, “Njerka” “Shtigje me helm”, “I fundit”, etj. Nga shkrimtarët dhe studiuesit e letërsisë janë dhënë vlerësime të larmishme, konvergimi i të cilave u përcjell lexuesve veçoritë e stilit letrar të Faik Ballancës dhe ngarkesën e përfytyrimit që e dallon në tërësi krijimtarinë e tij letrare.
Përkundur qëndrimit zyrtar të redaksisë së lartpërmendur, shkrimtari i mirënjohur Ismail Kadare ka shkruar: ”Romani Nomeja e largët i Faik Ballancës më pëlqeu. Asnjë nga akuzat që i bën redaksia nuk qëndrojnë. Ky është romani i tij i parë dhe çuditem se si ka mundur të realizojë një strukturë kompozicionale të tillë, sa të vështirë aq edhe moderne”.
Studiuesi i letërsisë, Spiro Gjoni, në analizën e thellë që i bën novelës “Katër orë larg Shtëpisë”, botuar në monografinë për krijimtarinë letrare të Faik Ballancës, “Paradigmat e një krijimtarie”, shprehet: “Nuk themi ndonjë gjë të re (kritika e ka shprehur dhe pranuar prej kohësh) nëse pohojmë faktin që edhe te novelat Ballanca ka në fokusin e tij temën e së shkuarës dhe temën bashkohore (të përqendruar kryesisht në problemet e sferës etiko morale)”. (faqe 72) Kritikat që shoqëruan botimin e novelës “Katër orë larg shtëpisë” vinin në dukje se, “ konflikti është thuajse inekzistent” …konflikti është shumë i nëpërtëshëm gati të duket sikur ai nuk ekziston fare” (D.Dilaveri, Nëntori 1973/8 f.99). Në librin e sipërcituar, S.Gjoni, shpreh mendimin se, konflikti në novelën “Katër orë larg Shtëpisë”, (unë do të shtoja, edhe i rikonceptuar tashmë në romanin “Nomeja e largët”),- ekziston dhe shfaqet apo mishërohet te “një numër personazhesh” të romanit, “që, për arsye nga më të ndryshmet, …manifestojnë kundërshti reciproke, pakënaqësi apo përplasje nga më të thjeshtat deri tek më të ndërlikuarat qefmbetje, mërzi, debate, acarime apo grindje të cilat natyrshëm janë pjesë e jetës.” (faqe 83) Ngjarjet e këtij romani zhvillohen fill pas Luftës së Dytë Botërore e cila la pas shkatërrime dhe vdekjen e miliona njerëzve.
Romani ka në qendër jetën e përditshme të një grupi blegtorësh, njëri prej të cilëve është edhe Bendo, një ushtar i huaj i mbetur pas luftës në një fshat të Shqipërisë së jugut. Si çdo vepër artistike që ngrihet mbi një rrethanë mbizotëruese, romanin e “udhëheq” si filli i Arianës Tezeun, jeta e djeshme me episode tragjike, si ushtar armik dhe ajo e sotme, me përpjekjet e Bendos për t’u martuar. Ai kërkon të ndërtojë jetën e vet familjare duke u lidhur me Bardhën, një vajzë të cilës po ikte mosha, por edhe që vuante nga një cen fizik, sepse ishte e çalë.
Pra, personazhi Bendo, një ushtar i mbetur nga Lufta në ato troje, si një bimë e djegur nga shkrepëtimat e Luftës, kërkon të ngrejë krye dhe të gjallojë duke u martuar me Bardhën, një vajzë nga fshati në të cilin zhvillohen ngjarjet. Nga biseda midis tyre nuk shfaqet ndonjë konflikt i ashpër e përfundimtar, përveç faktit që vajza ja ka lënë në dorë fatin e saj të atit. Pikërisht kjo linjë intimo-lirike është edhe çimentua që lidh dhe krijon një udhë disi të fshehtë nga faqja në faqe në roman.
Edhe banorët e fshatit në tërësi nuk ja pranojnë këtë kërkesë Bendos, ndonëse nga ushtari i huaj Bendo, tani ka mbetur vetëm një njeri i shushatur, i heshtur dhe i vetmuar, që rri natë e ditë në stanin malor me dhen. Me sa duket ai do të mbetet për ata përherë, pushtuesi i dikurshëmn që erdhi t’i shuante me zjarr e hekur. Autori e mban të kaluarën e Bendos pothuajse në “një errësirë informative”. As më shumë dhe as më pak se portreti i një ushtari armik, i mbetur pas luftës.
Figurën e tij engimatike e rrethojnë mjaft legjenda dhe hamendësime…Por në roman pulson dukshëm ideja e dashurisë së pafat e Bendos ndaj Bardhës… Të gjitha veprat e mëdha letrare, njësoj si konstruksionet e ndërtesave mbahen nga një armaturë e qëndrueshme mbi të cilën ngrihen katet e tjera, pra, mbi një konflikt që zhvillohet nga faqja në faqe, në roman.
Meqenëse si në novelë ashtu edhe në roman, bën majë dhe mbetet e pandryshuar linja e dashurisë së Bendos me Bardhën, veçojmë se, në analizën e novelës “Katër orë larg Shtëpisë”, e shkruar me profesionalizëm nga Spiro Gjoni, shprehet: “…konflikti qendror në novelë nuk është mes Bardhës dhe Bendos, por mes tij dhe fshatit (banorëve të tij) por edhe shokëve të kolektivit ku ai punon.
Në vijim të studimit, S.Gjoni e pohon faktin e mungesës së konfliktit midis Bardhës e Bendos. “Por në tërësinë e veprës,-nënvizon ai,- konflikti ekziston, edhe pse pak si i fshehur”. (faqe 89) Përpjekjet për të mbështetur apo gjetur konfliktin në këtë vepër letrare të krijojnë përshtypjen sikur në këtë mënyrë dhe me këto argumente kërkohet gjilpëra në kashtë. Ja njëri prej tyre: “Në vend të një konflikti të hapur, që do t’i jepte veprës tjetër pamje, shkrimtari ka preferuar apo, më saktë, ka zgjedhur ta ruajë qoftë edhe “inekzistent” këtë konflikt nëpërmjet mjeteve e mënyrave të tjera, të pëlqyera e të realizuara me sukses prej tij.
Për të kuptuar mesazhin e një romani të kësaj natyre, në dukje pa një konflikt të shfaqur në mënyrë tradicionale, duhet zbuluar kodi artistik e filozofik i veprës. Ndryshe, çdo studiues është i detyruar t’i vijë rrotull episodeve, dialogjeve ose ngjarjeve të romanit pa e gjetur e zbuluar atë, madje duke shfaqur herë pas here inkosekuenca, herë duke pohuar që vepra nuk ka konflikt të hapur, dhe herë duke argumentuar se ai “mishërohet tek “një numër personazhesh” të romanit, “që, për arsye nga më të ndryshmet,… manifestojnë kundërshti reciproke, pakënaqësi apo përplasje nga më të thjeshtat deri tek më të ndërlikuarat qefmbetje, mërzi, debate, acarime apo grindje të cilat natyrshëm janë pjesë e jetës.” S.Gjoni, “Faik Ballanca-paradigmat e një krijimtarie”. (faqe 83) Sipas mendimit tim, kodin artistik e filozofik të këtij romani e përbën fakti i të qenit një roman i drejtimit ekzistencialist. Sikurse vumë në dukje më lart, thelbi i romanit ngërthen jetën e një ushtari ish-armik, Bendos.
Megjithëse Lufta ka përfunduar prej kohësh, ekzistenca e tij e mëtejshme përcaktohet nga thelbi, pra, të qenit dikur ushtar armik. Është me vend të kujtojmë se, shkrimtarët që “themeluan” drejtimin letrar të Romanit të Ri shtruan para vetes pretendimin që ky drejtim i ri letrar duhej të udhëhiqej nga ideja e kapërcimit të intrigës dhe e përshkrimeve, madje dhe e vetë personazheve. I vetmi përrua rrjedhës që i shtyn përpara faqet e Romanit të Ri duhet të jenë dialogjet e zgjedhura, të cilët janë edhe ”buka e gjella” e këtij drejtimi. Veprat letrare të këtij drejtimi letrar: të Xhojsit në Angli, të Prustit në Francë dhe të Kafkës në Pragë, shpërfaqin pikëpamjet se: “Bota nuk mund të njihet, e keqja është e plotfuqishme, ndërsa vetmia e njeriut është e pashërueshme dhe e pakapërcyeshme” (Prust) Në kohën kur u shestua dhe u shkrua romani, “Nomeja e largët” i Faik Ballancës, rryma filozofike e ekzistencializmit shijonte pranverën e vet të lulëzimit në Francë dhe në disa prej vendeve më të zhvilluara të Europës.
Njohja e gjuhës frënge nga F. Ballanca dhe natyra e tij kërkimtare nuk lënë aspak dyshim për njohjen e letërsisë bashkëkohore frenge dhe të veprave të Zhan Pol Sartrit. I mbiquajtur shkrimtari dhe filozofi i identitetit dhe ekzistencës, Sartri, kishte botuar veprat filozofiko-letrare: “Imagjinata” (1936), “Përparësja e Egos” (1937), “Neveria” (1938), “Muri” (1939), “I imagjinuari” (1940), “Qenia dhe Hiçi” (1943), “Rrugët e lirisë” (1945), “Ekzistencializmi është një humanizëm” (1945), “Duart e pista” (1948), “Djalli dhe zoti i mirë” (1951), “Kritika e arsyes dialektike” (1960), “Fjalët” (1964). Madje kaq të popullarizuara u bënë pikëpamajet e tij ekzistencialiste, sa që pas botimit në vitin 1964, të librit autobiografik, “Fjalët”, ju dha edhe Çmimi “Nobel” në fushën e letërsisë, të cilin ai e refuzoi.
Përgjithësisht temat mbizotëruese në filozofinë ekzistencialiste, por edhe të këtij drejtimi letrar, bëhen: Tensioni në mes të individit dhe shoqërisë, vdekja, asgjëja, angështia, paranoia, refuzimi i shkencës dhe shpjegimit të saj shkak-pasojë dhe paraqitja e autencitetit si norma e vet-identifikimit e lidhur me idenë e vet-përcaktimit nëpërmjet lirisë, zgjedhjes dhe përkushtimit, si edhe theksimi i tipareve rrethanore të mendimit dhe arsyes.
Sipas filozofisë ekzistencialiste, njerëzit janë të zhytur në një mori situatash, ku u duhet të bëjnë zgjedhje. Disa zgjedhje janë të parëndësishme, të tjerat janë të rëndësishme, por zgjedhja është individuale dhe vendimet shpien në përkufizimin e vetvetes. Njeriu krijon përkufizimin e vetvetes dhe me këtë formon thelbin e tij. Sartri shkruan: ”Natyra e realitetit për ekzistencialistët është subjektive dhe gjendet brenda individit.
Bota fizike nuk ka ndonjë kuptim të trashëguar jashtë ekzistencës njerëzore. Zgjedhjet dhe standardet individuale janë më të rëndësishme se standardet e jashtme. Eksiztenca vjen përpara cdo përcaktimi i asaj që jemi.” Ja përse “nuk gjendet” në roman edhe konflikti i hapur tradicional ballëpërballë individëve e palëve. Atë lexuesi duhet ta gjejë e ta përjetojë brenda Bendos, heroit “problematik” të romanit, por edhe në alternimin e episodeve të së shkuarës dhe episodeve të realitetit në të cilin zhvillohen ngjarjet.
Ashtu sikundër shprehet Pessoa, “Thurja e intrigës duhet t’i nënshtrohet imagjinatës dramatike.” Në esenë e tij ”Ekzistencializmi është humanizëm”, Sartri shkruan: “Gëzimi më i madh i njeriut është të ekzistojë për këdo, veçanërisht për një person ose për një grup njerëzish që në jetë marrin emrin familje.” Këtej ngjizet e zë filli edhe romani “Nomeja e largët” ose këtu gjendet “kodi” i natyrës së tij ekzistencialiste, pra kur Bendoja mendon natë e ditë të krijojë edhe ai një familje. Në roman babai i Bardhës refuzon t’ia japë vajzën një njeriu të humbur dhe pa kujtesë njerëzore si Bendua.
Por Bendos i është fiksuar në kokë martesa me Bardhën edhe pse ajo është e çalë. Me sa shihet, autori, F.Ballanca, nuk “shqetësohet” dhe aq për mungesën në romani të konfliktit të hapur e tradicional që kalon të gjitha fazat e tij, sepse ai e njeh mjaft mirë mendimin e Sartrit të shprehur në esenë “Ekzistencializmi është humanizëm”: “Ti përgjigju për atë që të takon, ekzisto jo për humanizëm, por për një arsye më të madhe se kaq, për të jetuar dhe për të përballuar atë përgjegjësi që të takon.
E gjitha kjo është humanizmi të cilin ti ke për detyrë ta bësh, sepse çdokush e di se ti nuk do të dëshiroje këputjen e hallkave që ndodhen sipër teje. Ekzistenca e tyre mundëson dhe tënden. Ky është humanizmi yt, të ekzistosh për të bërë të mundur ekzistencën e hallkave që ndodhen pas teje. Sigurohu të ekzistosh pra.” (Po aty) Ballanca shpërfaq një ndjeshmëri të lartë artistike dhe ka dijtur të mbajë një ekuilibër midis “mungesës” së konfliktit të hapur, pra planit dramatik dhe intensitetit lirik që e plotëson më së miri të parin, nëpërmjet përsiatjeve të personazheve të romanit, por edhe përshkrimeve të qëmtuara të peisazheve të natyrës, të cilat janë aq realiste saqë duket sikur i sheh me sytë e tu dhe i prek me dorë.
Në faqet e tij, ndihet një plazmim apo mënyrë të shkruari e cila ngërthen me mjeshtëri me njëra tjetrën episode tragjike tronditëse, që i japin atij një frymëmarrje të veçantë. Mendoj se, edhe “shkrirja” apo qendrimi i autorit pas kapitujve “Gjithësecili tregon një histori”, dëshmon për linjën e formës ekzistencialiste të romanit. Dhe, sikurse nënvizon Umberto Eco, në librin e vet Si shkruaj, vepra letrare “duhet të shkaktojë kënaqësi gjatë rrëfimit”, lexuesi e pëlqen romanin “Nomeja e largët” edhe pse i duhet “të udhëtojë” nëpër faqet e tij, me ngadalë e kujdes, jo vetëm për shkak të sendërtimit të veçantë të tij, por edhe për shkak të mesazheve të fshehta filozofike me të cilat ai është ushqyer.