Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar sekuestrimin e pasurive të gjyqtarëve të shkarkuar nga vettingu.
Kreu i qeverisë, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët bëri një analizë të plotë të reformës në drejtësi, ndërsa publikoi edhe disa shifra.
Rama tha se nga 322 gjyqtarë dhe prokurorë që kanë kaluar në sitën e vettingut, 202 prej tyre janë shkarkuar nga detyra.
“Problemet me sistemin e drejtësisë vijojnë ende. Ende nuk është lehtësuar frymëmarrja e qytetarëve. Procesi i ndërtimit të një sistemi të ri drejtësie nuk zhvillohet sa hap e mbyll sytë dhe pa pengesa. Reforma në drejtësi ka nisur me pastrimin e të gjithë llumit të grumbulluar në dekada në sistemin e drejtësisë. Nëse shohim shifrat e procesit, me siguri që ajo që thashë, konfirmohet.
Në 322 individë, nga të cilët më shumë janë shkarkuar dhe larguar sesa janë konfirmuar. Plot 128 individë të shkarkuar drejtpërdrejt dhe 74 të tjerë të vetëlarguar nga ky process, me vetëdijen e pamundësisë për të kaluar filtrin, ndërkohë që vetëm 118 janë konfirmuar. Pra kemi 202 individë të larguar dhe 118 të konfirmuar. Kjo është vetëm njëra anë e medaljes.
Ana tjetër ka të bëjë me pyetjen, çfarë ndodh me të larguarit. Vetëm pushim nga puna? Jo. Paralelisht me pastrimin, po konsolidohet ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë dhe ata që nuk kanë justifikuar pasuritë marramendëse do të përgjigjen përpara drejtësisë dhe kështu do të konfirmohet edhe kthesa historike në sistemin e drejtësisë. Ndaj bëni durim. Po ndërohet nga themelet njëri nga tre pushtetet, që përcakton një nga tre shtyllat e sistemit demokratik.”, tha Rama.
Sa i takon situatës kriminale në vend Rama bëri një bilanc duke krahasuar numrin e vrasjeve dhe me vitet e mëparshme
“Edhe këtë vit numri i vrasjeve me dashje vijon të jetë në rënie, shifra janar-nëntor 2020 ishin 45 vrasje, 7 më pak se e njëjta periudhë e vitit paraardhës dhe për të gjithë ata të cilët janë të interesuar të dinë të vërtetën e përmbledhur në një shifër duke pasur parasysh dhe bombardimin mediatik që krijon një hapësirë në disproporcion për kronikën e zezë duke krijuar një perceptim jo fort të përputhur me realitetin. Në vitin 2020 kemi pasur 126 vrasje. Sot kemi 2.5 herë më pak vrasje.
Nëse i referohemi mesatares së disa viteve sesa ne të merrnim detyrën sot jemi praktikisht gjysmë për gjysmë. E keqja harrohet shpejt e keqja s’ka fund por nga një vend ku prakikisht kishte mesatarisht një vrasje në çdo dy ditë apo çdo tre ditë jemi një vend që përsa i përket numrit të vrasjeve po stabilizohemi pranë mesatares së BE“, shtoi kryeministri./Bl.Ba/Fjala.al