Dy javë para afatit të premtuar, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se ka arritur dakordësinë në parim për marrëveshjen për vaksinimin me Pfizer i cili sipas tij do të nisë në muajin Janar. Rama shprehet se është i papranueshëm moralisht, politikisht dhe logjikisht diferencimi që BE i bërë Ballkanit. Megjithatë, ai shton se ia dolën me këmbëngulje dhe diplomaci të mos mbetemi prapa askujt dhe nuk do të ndalet deri në sigurimin e dozës së fundit.
“Në kushtet skajshmërisht të vështira si pasojë e kërkesës globale marramendëse dhe sasisë ende tejet të vogël të prodhimit, kemi dakordësuar në parim pas kontaktesh intensive nga të katër anët, tekstin e marrëveshjes me Pfizer për të nisur vaksinimin në janar!
I papranueshëm moralisht, politikisht, logjikisht diferencimi që BE-ja i bëri Ballkanit po ia dolëm sidoqoftë me diplomaci e me këmbëngulje të mos mbetemi mbrapa askujt. Dhe nuk do të ndalemi deri në sigurimin e dozës së fundit. Fjalët mbrapsht atyre që vazhduan me sharje e akuza!’, shkruan Rama.
Një ditë më parë Rama deklaroi se vaksinimi për grupet e caktuara duke nisur nga bluzat e bardha do të fillojë në mes të muajit Janar. Vaksinimi është parashikuar të bëhet në një strukturë të posaçme të ndërtuar në stadiumin “Air Albania”.
l.m/Fjala.al