Pesë persona kanë përfunduar në pranga lidhur me një sherr dhe më pas konflikt fizik mes dy pronarëve të një objekti në ndërtim në zonën e ish-parkut të autobusëve në Tiranë i cili përfundoi me plagosjen me armë zjarri të biznesmenit 42-vjeçar Sino Llanaj.
Sherri ndodhi mes Sino Llanaj dhe Albert Allmuçës. Nga përdorimi i armës mbeti i plagosur biznesmeni Llanaj, si dhe një kalimtar i rastit, shtetasi Klodian Komino, të cilin një plumb rikoshetë e ka kapur në kofshë.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes dhe u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: A. A., 53 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”; S. Ll., 46 vjeç, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”; Sh. B., 41 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Moskallëzimi i krimit”; S. M., 52 vjeç, dhe A. L., 48 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”;
Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi K. K., për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore ka rezultuar se shtetasi S. Ll., së bashku me persona të tjerë, ka shkuar në kompleksin në rrugën “Ndre Mjeda”, ku janë konfliktuar fizikisht me rojet e sigurisë duke përdorur sende të forta dhe armë zjarri.
Policia ka bërë të mundur identifikimin e njërit prej shtetasve (për arsye hetimore nuk bëhen të ditura gjeneralitetet e tij), i cili ka qëlluar me armë zjarri. Po punohet për kapjen e tij. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme./Bl.Ba/Fjala.al