Eksperti i ekonomisë, Pano Soko thekson se Shqipëria po sillet si një shtet diktatorial në trajtimin që i bën fenomenit të korrupsionit. Sipas tij, institucionet që duhet ta luftojnë janë në fakt ato që mbrojnë korrupsionin. Ndërsa shton se pavarësisht denoncimeve reagimi i qytetarëve dhe i shtetit është në nivelin zero.
Soko, Transparency International e ka renditur Shqipërinë vendin e 106 për luftën kundër korrupsionit, duke shënuar një përkeqësim të ndjeshëm. Si mendoni përse Shqipëria nga viti në vit është përkeqësuar në luftën ndaj korrupsionit?
Përkeqësimi ka ndodhur për shkak të mënyrës sesi është trajtuar fenomeni i korrupsionit. Domethënë, në varësi të sjelljes së institucioneve ndaj fenomenit. Në fillim korrupsioni nuk ndëshkohej penalisht, e as ndiqej institucionalisht, por të paktën kishte reagim publik. Pra kur kishte një denoncim publik, pushtetarët i zinte turpi dhe detyroheshin që të reagonin, të paktën. Më pas jo vetëm që nuk ndiqej institucionalisht, apo le më të ndëshkohej penalisht, por nuk kishte më as reagim publik, kur çështje të caktuara dilnin në faqe të dheut. Tashmë as turpi nuk i zinte më. Thjesht s’flisnin, e injoronin ngjarjen dhe kaq. Por më e keqja erdhi më pas dhe që është realiteti dhe sot. Sot korrupsioni jo vetëm nuk po ndëshkohet, jo vetëm që s’ka reagim publik, jo vetëm që s’po zë turpi njeri, por madje po mbrohet publikisht nga instancat që duhet ta luftonin atë. Pra dalin aktorët politikë dhe e mbrojnë atë. Rasti me flagrant janë kontratat koncesionare dhe mbrojtja që iu bëhet këtyre publikisht nga kryeministri apo aktorë të tjerë, ditën me diell. Del Kryeministri dhe iu dridh pikë qerpiku thotë “Shumë të mira janë. S’ka korrupsion, ja fusni kot.” Apo marrja në mbrojtje dhe përpjekja për të zhvlerësuar çdo denoncim në drejtim të korrupsionit publik. Si puna e ish-ministrit Tahiri që u mbrojt me vetmohim për gjoja pastërtinë e tij. Dhe teknika është tejet e thjeshtë – Ti denoncon, ai thotë është gënjeshtër, e bën për politikë. Çoje në prokurori. Pra një formë talljeje arrogante, një zhvlerësim shterues i tipit “Thuaj ça të duash, s’ke ça më bën”. Shoqëruar kjo dhe me mosreagimin e organeve të drejtësisë, është prodhuar ky mjedis ultra-toksik besimi. Një mpirje totale që asfikson këdo. Prandaj ne renditemi në vend të 106-të (por me pikë të barabarta me vendin e 112-të), pas Tanzanisë, apo Timorit Lindor, sepse trajtimi që ne i bëjmë fenomenit është i njëjtë me atë që vendet me diktatura i bëjnë fenomenit.
Si mendoni, përse kanë dështuar strategjitë e qeverisë në luftën ndaj korrupsionit dhe nuk janë implementuar as këshillat e organizmave ndërkombëtarë?
Renditja kaq lart është tregues që tashmë njerëzit nuk po gjykojnë më individin, por mekanizmin.
Pra nëse perceptimi do të ishte diku te 50 vendet e para, atëherë njerëzit gjykojnë që aty ka ca njerëz të korruptuar në sektorë të ndryshëm dhe çdo gjë zgjidhet po të ndryshojmë këta 3-4 individë që na prishin mjedisin. Nëse renditja do të ishte tek 50 vendet e dyta, atëherë perceptimi mbetet po i lidhur me faktorin njerëzor, por me një shtrirje të gjerë, deri në totale. Pra kemi këta që janë në pushtet sot që janë të korruptuar të gjithë, por zgjidhja vjen nëse ne ndryshojmë pushtetin. Pra heqim këta, vijnë të tjerët, aty fillojnë përmirësohen gjërat. Kur renditja është në 50 vendet e fundit, atëherë do të thotë që infeksioni është konsoliduar kaq shumë saqë ka prekur mekanizmat, s’është më çështje njerëzish. Ndërro kë të duash, sill kë të duash këtu gjerat do të përkeqësohen. Pra e ka fajin makina, jo shoferi. Sill kë shofer të duash, makina do të shkojë shtrembër se është ndërtuar keq. Duhet ribërë makineria nga e para. Pra, nuk shihet me si problem njerëzor, por si problem strukturor. Është fenomen sistemik. Dhe njerëzit do te shihnin si shpëtim, ndryshimin e gjithë sistemit, pra rregullave të lojës. Ribërjen e makinës nga e para. Dhe ne e pamë këtë gjatë gjithë procesit të mbledhjes së firmave për ndryshimin e kodit. Njerëzit janë të dëshiruar që të ndryshojnë jo njerëzit, por rregullat e lojës. Duan ndryshim esencial, prandaj mbështetja aktuale për ndryshimin e kodit është kaq e madhe, sepse shkon në linje me atë që e pandërgjegjshmja iu percepton. Duhen rregulla të reja. Ndryshimi i fytyrave nuk do të sjellë asgjë.
Cilët janë sektorët më të prekur nga korrupsioni në vendin tonë?
Ne përgjithësi perceptimi sot është totalist. Ç’ka do të thotë që perceptohen si të korruptuar të gjithë sektorët publikë. Pra, është arritur në absurdin që çdo sektor shtetëror konsiderohet si hallkë korrupsioni. Natyrisht gjykatat dhe organet ligjzbatuese kanë edhe damkën më të fortë, por të njëjtin perceptim prodhojnë dhe organet tatimore, lejet dhe licencat etj. E thashë dhe më lart, sot korrupsioni në mendjen e një pjese të konsiderueshme të qytetarëve perceptohet si sistemik, ku çdo sektor ka peshën dhe pjesën e vet./Fjala.al