10 vjet nga 21 janari, policia kërkon rihapjen e çështjes

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

U bënë 10 vjet nga ngjarja e rëndë e 21 janarit të vitit 2011, ku humbën jetën katër qytetarë të pafajshëm që kishin dalë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të protesutuar kundër qeverisë Berisha-Meta. Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj janë katër protestuesit të cilët humbën jetën gjatë protestës së organizuar nga Partia Socialiste, aso kohe në opozitë. Edhe në këto dhjetë vjet asnjë gjë nuk ka ndryshuar për familjarët e tyre, pasi drejtësia ende nuk folur në mënyrë përfundimatre për të qetësuar zemrat e bashkëshorteve dhe fëmijëve të tyre.

Drejtësia shqiptare i’a faturoi vrasjen ish-komandantit të Gardës, Ndrea Prendit që Gjykata e dënoi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite. Nga ana tjetër ende dhe sot nuk është gjetur autori i vrasjes së Aleks Nikës, pasi e kapi një plumb rikoshet. Familjarët e viktimave vijojnë prej 10 vitesh të kërkojnë drejtësi, kurse vetëm ditën e mërkurë Policia ka kërkuar nga Prokuroria rihapjen e hetimeve për dosjen e ’21 janarit’, specifikisht për Aleks Nikën dhe Hekuran Dedës për të cilin hetimet ishin pezulluar. Policia kërkon  riekspertim për caktimin e drejtimit të qitjes në vrasjen e bërë ndaj Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës si dhe për plagosjen e disa personave të tjerë. Po ashtu është kërkuar edhe që të kryhet një riekspertim i predhës së gjetur në trupin e Aleks Nikës. Gjithashtu është kërkuar që të pyeten edhe dëshmitarët, si edhe familjarë dhe të afërm të viktimave. Mësohet se kërkesa e policisë në prokurori është dorëzuar pasditen e së mërkurës.

Kërkesa për rihetim është bërë me argumentin se ka mospërputhje në ekspertizën e bërë për armën që është vrarë edhe Aleks Nika. Në një rast të ekspertizës thuhet se predha është qitur nga një pushkë ndërsa sipas policisë predha që i është gjetur Nikës në trup ka qenë e ngjashme me ato të dala nga një armë tip MP5. Po ashtu në kërkesë citohet që të bëhet edhe një herë këqyrja dhe riekspertimi i pamjeve filmike në vendet ku u kryen vrasjet dhe personat që mbetën të lënduar. Në shkresën dërguar prokurorisë ajo që vihet re krahas gabimeve të shumta ortografike është mungesa e provave të reja të cilat mund të riçelin një dosje të mbyllur nga drejtësia shqiptare. Në thelb, Policia e Shtetit i kërkon vetes së saj, Policisë, në pikën 2, të mësojë nëse Instituti i Policisë Shkencore ka përparuar me shkencën dhe teknikën kriminalistike ekzaminuese. Prokurorisë i është dërguar edhe një listë me emrat e personave efektivë dhe ish efektivë të Gardës së Republikës që kanë qenë në detyrë më 21 janar. Tashmë pritet se çfarë do të bëjë prokuroria për dosjen e bujshme, për të cilën i pezulloi hetimet vitin e kaluar.

 

Kërkesa e Policisë

  1. Të bëhet rieksperimenti hetimor për caktimin e drejtimit të qitjes për vrasjen e shtetasve Aleks Nika dhe Hekuran Deda, si dhe plagosjen e shtetasve Fatos Mahmutaj, Sokrat Gode, Erald Bisha, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.
  2. Të bëhet rieksperitimi i predhës së gjetur dhe sekuestruar nga trupin e viktimës, Aleks Nika, kjo duke i kërkuar Institutit të Policisë Shkencore nëse shkenca dhe teknika kriminalistike ekzaminuese ka përparuar.
  3. Të bëhet ripyetja e personave që kanë dijeni, kryesisht ish-efektivë dhe efektivë të Gardës, të planëzuar me shërbim në datën 21 janar 2011.
  4. Ripyetja e personave pjesëmarrës në tubim, të afërm të viktimave si dhe persona dëshmitarë që kanë qenë pranë viktimave nëse kanë mësuar ndonjë të dhënë të re me interes për hetimin.
  5. Të bëhet rikëqyrja e pamjeve filmike të tubimit të datës 21 janar 2011 duke u fokusuar konkretisht në vrasjen e shtetasve Ziver Veizi, Aleks Nika dhe Hekuran Deda, si dhe plagosjen e shtetasve Fatos Mahmutaj, Sokrat Gode, Erlad Bisha, Artes Dybelli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.
  6. Të kërkohet me anë të shkresës zyrtare në Institutin e Policisë Shkencore Tiranë nëse ka laborator për ekzaminime kriminalistike në vendet e Bashkimit Europian ose jashtë saj, në gjendje të ekzaminojnë predhën e nxjerrë nga trupi i Aleks Nikës.
  7. Si dhe veprime të tjera që mund të dalin nga kryerja e detyrave të mësipërme.

Balla publikon pamjet nga protesta e “21 Janarit”: Mos harro!

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kujtoi dje ngjarjen e rëndë të “21 Janarit 2011”, ku u vranë në bulevard 4 protestues të pafajshëm. Në një video të publikuar në “Facebook”, shoqëruar me mbishkrimin “Mos harro”, Balla publikon pamje nga protesta e përgjakshme, ku shihen punonjësit e Gardës duke qëlluar me armë mbi protestuesit. Në video-mesazhin e tij, numri dy i PS akuzon krerët e opozitës, si shkaktarët e vrasjes së 4 protestuesve. Në tetë vite në pushtet qeveria Rama nuk mundi ta zbardhte dot vrasjen e 4 qytetarëve, ndërkohë që kërkon që të mos harrojnë, dhe kjo kujtesë vjen në prag të zgjdhjeve të përgjithshme.

 

Vasili: Rama më parë bën kryetar ata që qëlluan në 21 janar se të shpallë dëshmorë viktimat

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili komenton vendimin e kryeministrit Edi Rama për të shpallur dëshmorë 4 viktimat e 21 janarit pas 8 vitesh në pushtet. Vasili shkruan se Rama një vit pasi erdhi në pushtet i dha poste një pjesëtari të grupit të zjarrit në 21 janar, teksa pas 8 vitesh bën dëshmorë viktimat. “Edi Rama më parë bën kryetar ata, që qëlluan në 21 janar se të shpallë dëshmorë viktimat!? Edi Rama që me një vit pasi erdhi në pushtet në vitin 2014 bëri Drejtor OSHEE, në vitin 2015 Kryetar PS dhe pastaj Kryetar Bashkie Mat, Agron Malajn pjesëtar të grupit të zjarrit në 21 janar dhe të shkarkuar nga Saimir Tahiri për këtë arsye, ndërsa viktimat e 21 janarit i shpall “Dëshmorë të Atdheut” pas 8 vjetësh!? Dhe Edi Rama flet për 21 janarin, çfarë pështirosje!!”, shkruan Vasili.

 

 

Ulsi Manja me sytë nga drejtësia e re: Dosja mund të përfundojë në SPAK

Deputeti socialist, Ulsi Manja, foli për 10-vjetorin e ngjarjes së rëndë të “21 Janarit”, duke thënë se dosja mund të përfundojë në dyert e SPAK, pasi ky është një krim shtetëror.  Manja tha se “21 Janari” është një krim shtetëror dhe për këtë arsye drejtësia e re ka detyrimin ta marrë me prioritet dosjen. “Nëse do të zbardhet tërësisht si krim shtetëror, kjo dosje padiskutim që mund të përfundojë në dyert e SPAK. Ka veprime hetimore për ta risjellë skemën e 21 janarit, dhe kjo është tërësisht e mundur të kryhen edhe sot nga Prokuroria. Përsëri ka prova po të kthehet në vendin e ngjarjes. Unë besoj që 21 janari mund të zbardhet plotësisht”, tha deputeti Manja. Sipas tij, ajo që I takon qeverisë është raporti me drejtësinë. “Në këto 8 vjet ne kemi ndërmarrë një nga reformat më të thella, ajo në Drejtësi, dhe shpresojmë që drejtësia e re do duhet ta ketë në tryezën e saj të punës zbardhjen e 21 janarit. Kjo dosje do duhet të zbardhet, përtej faktit që familjarët e viktimave duan drejtësi, por është edhe çështje e standardit kushtetues në një demokraci. Pa u zbardhur 21 janarit, protesta dhe e drejta e protestës është goditur me plumbat e shtetit. S’mund të jemi të gjithë njësoj”, tha Manja.

Lexo edhe :  Bullizëm dhe agresivitet, Rama-Berisha përplasen në distancë për epitetet

Drejtësia për 21 janarin

Rama: Ata që i ‘vranë’ për herë të dytë do të përgjigjen

Shefi i Qeverisë ka shpallur “Dëshmorë të Atdheut” katër protestuesit që u vranë në ngjarjen e 21: Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në prezencë të familjarëve të katër viktimave, deklaroi se qeveria nuk mund të bëjë drejtësi pasi s’mund të fusë në burg autorët e 4 viktimave ehde pse u panë me armë në dorë. “Nuk jemi në 1945, dhe s’mund t’i kërkohet as qeverisë as shumicës parlamentare, as partive në pushtet që të fusin njerëz në burg edhe kur ata parë me armë në dorë duke vrarë njerëz. Sepse këtu ndahet kufiri mes demokracisë, dhe çdo forme tjetër”, tha Rama. Sipas tij, duhet besimi se drejtësia do të vendoset për ’21 janarin’, edhe pse e munguar deri më tani prej 10 vitesh. “Bëjmë një hap të rëndësishëm jo formalisht, duke i vendosur të katër të rënët e ’21 janarit’ aty ku ata e kanë vendin, besuan të drejtat dhe liritë e tyre, dhe protestuan për to. Nga ana tjetër pavarësisht se në këtë moment nuk ka shumë për të dhënë për rezultatin përfundimtar. Ndjehem krenar që ka shumë për të thënë rezultatin përfundimtar, që është krijimi i një sistemi drejtësie që bën drejtësi, dhe ndarja përfundimtare e drejtësisë nga të qenit mall që blihet e shitet”, tha ai. Rama pati dhe një mesazh për gjyqtarët sipas të cilit ‘vranë për here të dytë’ viktimat e 21 janarit, duke shtuar se do të përgjigjen një ditë. “Nuk jemi ende me kokën lart përderisa i gjithë ky proces nuk ka përfunduar, dhe për sa kohë ka ende llum për të pastruar, dhe ata që janë pastruar nga sistemi ende s’kanë dhënë llogari. Por patjetër që mund t’i shohim në sy për gjithçka që na është dashur të bëjmë, për të gjithë familjet e tyre”, tha Kryeministri Edi Rama para familjarëve të viktimave.

Dëshmorë të Atdheut

Kryeministri Edi Rama në këtë 10 vjetor të kujtimit të katër viktimave të 21 Janarit ka shpallur ata “Dëshmori i Atheut”. “Sot ne dorëzojmë familjeve simbolin e ‘Dëshmorit të Atdheut’ për të dashurit e tyre, dhe jam i bindur prania e atij simboli në të 4 shtëpitë do të jetë një pikë e dukshme referimi për vështrimin e fëmijëve kur të mendojnë për prindërit e tyre, jo vetëm në sensin e vlerësimit, por besimit. Që drejtësia do e bëjë të sajën, dhe ata që i vranë për herë të dytë, dhe i vranë në bashkëpunim me njëri-tjetrin me palë të treta, të veshur nën togën e zezë të gjykatësve të përgjigjen. Do përgjigjen siç do përgjigjen të gjithë gjykatësit të angazhuar fort që ta bëjnë 25 prillin referendum kundër qeverisë, si udhëheqësi i referendumit.”- tha Rama.

Bushati për “21 Janarin”: Na duhen gjykata, po mungon drejtësia

“Një dekadë drejtësi e munguar”, shprehet ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në përvjetorin e dhjetë të protestës së 21 janarit 2011, duke thënë se është koha që të rritet presioni publik për të transformuar pushtetin gjyqësor nga një pushtet të korruptuar në një forcë aktive që mbështet shteti, shoqërinë dhe forcon kohezionin shoqëror. Duke folur për drejtësinë që është ende në reformim, Bushati thotë se tani më shumë se kurrë “na duhen gjykata të Republikës, ku e drejta mund të kërkohet edhe kundër vetë shtetit”. “21 Janari i vitit 2011 mbetet një njollë turpi në historinë e tranzicionit demokratik të Shqipërisë teksa shteti vrau katër protestues të pafajshëm. Për fat të keq, një dekadë më pas, drejtësia nuk është vendosur. Nga drejtësia kërkohet me forcë që të arnojë vrimat të cilat shkaktohen nga erozioni i normave. 21 Janari i vitit 2011, përveçse tragjik për fatin e katër protestuesve, nxori nga skutat e ndërgjegjjes njerëzore instinkte primitive, ku politikanë, propagandistë e madje televizione kombëtare u vunë në garë për të mbrojtur krimin shtetëror, duke relativizuar jetët njerëzore të humbura, e duke tentuar përmbysjen e hierarkisë së vlerave që janë indi lidhës i çdo shoqërie”, shkruan Bushati. Sipas tij, vlera e vërtetë e drejtësisë për një shoqëri nuk mund të llogaritet asnjëherë. “Krijimi, forcimi dhe transmetimi i normave pa të cilat ne nuk mund të realizojmë jetën e përditshme, masa e drejtësisë, arsyeshmërisë, faljes dhe tolerancës, pra, ajo që në një masë të konsiderueshme duhet të përbëjë kulturën tonë normative, nuk ka vlerë në shifra. Drejtësia është garancia e vetme, por e heshtur përtej premtimeve të zhurmshme të politikës”, shkruan Bushati.

 Veliaj: Drejtësia e re të ndreqë atë që s’bëri dot e vjetra

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka vendosur lule për nder të 4 të vrarëve të ’21 janarit’ teksa sot u shënua 10-vjetori i asaj dite. Veliaj tha se kjo është një ditë reflektimi për të mos harruar, dhe për t’i kërkuar drejtësisë së re përgjegjësinë për të ndrequr atë që s’bëri dot e vjetra. Ai shton se 21 janari është një ditë e paharruar për shqiptarët. “Të paharruar! 21 Janari është një ditë reflektimi për të mos harruar dhe për t’i kërkuar drejtësisë së re përgjegjësinë për të ndrequr atë që s’e bëri dot drejtësia e vjetër!”, shkruan Veliaj.

Të fundit

“E doja djalë”- Fermeri i Ferma VIP: I thash bashkëshortes “ik tek nëna” kur lindi vajzën

Njëri nga banorët e Ferma VIP, Andrea u ka treguar konkurrentëve se nuk e ka pritur mirë ardhjen në...

Tabaku me gratë e një fasonerie në Tiranë: Do jem zëri juaj për më shumë të ardhura

Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike në listën e hapur për Tiranën, Jorida Tabaku, ka zhvilluar mëngjesin e kësaj të premteje takime me gratë...

22-vjeçarja e dehur thyen pajisjet në biznesin e tyre, babë e bir në Tiranë e rrahin

Policia e Tiranës ka referuar materialet në Prokurori për tre persona, pas një incidenti ndodhur mes një vajzë të re dhe babë e bir,...

Pse uji i detit është i kripur?

Fillimisht, uji i detit ishte po aq i freskët sa uji i lumit. Përqendrimi aktual i kripës, rreth 35 gram për kilogram ujë, daton vetëm...

“‘Djathtas për Zhvillim’ nuk del pa mandate”, Shehi: 30% e shqiptarëve do votojnë ndryshe

Nga një prej lagjeve më të vjetra të Tiranës, ajo e “Tregut Elektrik”, kreu i koalicionit “Djathtas për Zhvillim”, Dashamir Shehi, shprehu bindjen se...

Lajme të tjera

Web TV