Në listën e të shumëkërkuarve më të rrezikshëm brenda vendit policia ka nisur emrat e pesë prej tyre. Në fakt për këdo që është marrë me historinë e kërkimit në vend, që të pestë këta emra i ka të njohur bashkë me gjithë aktivitetin e tyre kriminal. Në listë përveç Dritan Syziut, të akuzuarit për dy vrasje dhe të dënuar përjetë gjendet edhe emri i Altin Arapit, emri proverbial i Hakmarrjes për Drejtësi, mbi të cilin bien një sërë akuzash por ajo më e rënda lidhet me ekzekutimin e shoferit të familjes së ish-kryeprokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollakut.
Meqë prej dy ditësh media e ka shënjestruar policinë në lidhje me ngjarjen e rëndë, të rrëmbimit, vrasjes dhe zhdukjes së Jan Prengës, policia gjen një mënyrë për të sjellë në vëmendje punën e saj, që në fakt nuk është me ndonjë rëndësi të veçantë kur bëhet fjalë për anashkalimin e një ngjarjeje ku ndoshta edhe mund t`i shpëtohej jeta.
Megjithatë policia ka listuar si pesë më të rrezikshmit, pikërisht:
-Dritan Syziu, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje,
-Altin Arapi i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje,
-Eduart Kurti i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje,
-Gentian Tako dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje,
-Gëzim Mehmeti i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje,
Ndërkohë policia njofton se është përcaktuar lista me 50 personat më të kërkuar, që do jenë objekt i punës së forcës së posaçme. Sipas policisë emrat e këtyre 50 personave do të publikohen nga 5 në ditët në vijim. “Policia e Shtetit është e vendosur për të kapur dhe çuar para drejtësisë të gjithë personat e kërkuar dhe në këtë kuadër kërkon edhe bashkëpunimin e qytetarëve që pas çdo publikimi të fotove të personave në kërkim, në rast se disponojnë informacion mbi vendndodhjen e tyre, të njoftojnë në “Komisariatin Dixhital” apo numrin falas 112, duke u siguruar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm.” thuhet në njoftimin e policisë. n.k/Fjala.al/