Shqipëria do të marrë informacion për bizneset që investojnë në vendin tonë dhe janë të regjistruar në parajsat fiskale. Ministrja e Financave Anila Denaj bën të ditur se pas miratimit të ligjit do të ashpërsohet lufta kundër evazionit fiskal ajo për parandalimin e pastrimit të parave të pista.
“Miratimi në Kuvend i projektligjit mbi Shkëmbimin Automatik të Informacionit të Llogarive Financiare krijon kuadrin e nevojshëm ligjor dhe i hap rrugën shkëmbimit të informacioneve mbi llogaritë “off shore”. Kjo nismë ligjore na ndihmon në luftën kundër evazionit fiskal dhe parandalimit të pastrimit të parave dhe bën realitet disa nga pritshmëritë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian ndaj Shqipërisë. Në prezantimin tim para deputetëve theksova se sistemi i këmbimit automatik të informacionit do të: ofrojë kontroll më të mirë të marrëveshjeve të taksimit të dyfishtë, sigurojë verifikim të të ardhurave të tatimpaguesve, ulë evazionin fiskal”. shkruan Denaj në profilin e saj në Facebook.
Sipas ministres rritja e integritetit të sistemeve, mbi të gjitha atyre tatimore, është interes i përbashkët i Shqipërisë dhe partnerëve tanë strategjikë. “Qeveria Shqiptare bashkëpunon me vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Europian dhe zbaton 41 marrëveshje të ratifikuara nga Kuvendi për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal”-shkruan Denaj.