Të zbresësh në ferr për të mjelë dallëndyshet në ajër

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Lorenc Vangjeli

 

Fati është më kapriçioz se gratë e bukura. Flora Ndrecën, një nga ekspertet e AlbControlit, deri një javë më parë e njihnin vetëm pak vetë. Për ta ajo ishte një grua të realizuar, nënë e një fëmije të mitur dhe e punësuar në një “fole dallëndyshesh”. Por brenda një jave, në këmbim të njohjes publike të saj, për të u rrokullis gjithçka me një shpejtësi të pabesueshme, në një thellësi të frikshme dhe me zgjidhje ende larg fundit. Një zgjidhje, e cila sido që të jetë, do të pasohet nga një rifillim që nuk do të jetë më kurrë si më parë. Në daljen e saj të parë në televizion, Ndreca demonstroi një qetësi të rrallë edhe në momentin kur e paralajmëruan “live” se mund të arrestohej nga moment në moment, siç dhe ndodhi po në të njëjtën mbrëmje. Shoqërimi në polici, komunikimi i ndalimit dhe njoftimi i nisjes së një procedimi penal për të dhe dy kolegë të tjerë, nuk ishin fatkeqësitë e vetme personale që i ndodhën. Rreziku për heqjen e lirisë për një kohë të gjatë apo edhe dënimi me kusht dhe humbja e vendit të punës, janë po aq tronditëse sa edhe linçimi publik që ju bë tre ish-punonjësve të Albcontrolit. Mjaftoi që publiku të mësojë rrogën e tyre dhe mbi ta, të gjithë vrapuan të hedhin gurë të rëndë mallkimi. Vetë Ndreca humbi simpatinë e një shtrese shumë të gjerë të shoqërisë sonë, e cila këtë neokapitalizmin kaotik shqiptar e sheh me syze zilie dhe mendësi sovjetike. Duke dalluar tek çdo rrogë e lartë një abuzim, tek çdo i pasur një kriminel dhe tek çdo sukses të tjetrit, një shkak për dështimin vetjak.

Me një gjykim prej penduli, gjithmonë në ekstrem, pro e kundër, bardh e zi, lart e poshtë, Ndreca dhe kolegët e saj janë të gjithë fajtorë përballë kësaj pjese të shoqërisë edhe për shkak të mundësisë që kanë që t’i lejojnë vetes një jetë më të mirë. Dhe duke mos ditur në rastin më të mirë dhe duke harruar në rastin më të keq se ajo dhe kolegët e saj paguhen mirë që të mos ketë lajm tragjikë nga aeroporti. Nga ata lajme që bëjnë gjëmën duke bërë xhiron e botës. Duke mos ditur dhe duke mos pranuar se njerëzit kanë të drejta të barabarta, por nuk janë qenie të barabarta. Se dikush, qoftë dhe falë punës, mund të paguhet shumëfish në krahasim me dikë tjetër që mund të rropatet shumëfish më shumë, por paguhet shumë më pak. Kontrollorët e Rinasi janë rasti klasik i asaj kategorie që duhet shpërblyer e ndoshta edhe duke u përkëdhelur. Kështu ndodh në të gjithë botën e qytetëruar për të njëjtin profesion, sipas parimit: paguaj shumë tani që mos paguash shumë më shtrenjtë pastaj! Kush nuk e kupton një gjë të tillë ose është i lig, ose është budalla. Dhe në rastin më ekstrem, është një budalla i lig, të cilin ligësia e buddalleps.

Lexo edhe :  Efekti politik i kundërsulmit total të Edi Ramës

Padyshim që Ndreca dhe të tjerët gjetën mënyrën më të gabuar për të reaguar. Kohën më të gabuar dhe sjelljen më të gabuar të mundshme. Ata e kanë të provuar fajësinë morale përballë shqiptarëve që prisnin shërbimin e tyre. Ndoshta edhe pa dashjen e tyre ata ndërhynë dhe u bënë palë në fushatën elektorale duke sjellë si reaksion një rezultat tërësisht të kundërt nga ai që pritej. Ata thjesht patën fatin e barit në fushën ku herë dashurohen dhe herë zihen elefantët. Të shkelur nga vetëvetja, tani atyre nuk ju bën më punë as pendimi. Sepse ata nuk mundën të shpikin dot belanë fatale për ish-shefen e tyre Belindën, por për më shumë, i dhanë mundësinë Edit, shefit të saj në qeveri, të demonstrojë se Rama është lider i vendosur, i aftë të gjejë zgjidhje dhe të bëjë zgjedhjet e duhura. Duke dashur të mjelin dallëndyshet në ajër, kontrollorët e Rinasit humbën një fole vetjake që fati i mirë ju kishte rezervuar edhe në këto kohëra të liga për gjithë të tjerët. Ata tashmë do të paguajnë për gjithë atë kalvar të frikshëm dramash që ju shkaktuan bashkëqytetarëve të tyre që i lanë në ajër, pa kuptuar se tentuan të hyjnë në kohën më të gabuar të mundshme në një lojë që as e njohin, as e kuptojnë dhe as mundin ta luajnë dot. Dhe tani që vendet e tyre në kullë i zunë turq, grekë dhe ish-kolegët e tyre, e vetmja shpresë që ju mbetet është lutja që drejtësia e re nuk do t’i gjykojë me standartin e kokës së turkut. Të shpresojnë rikthimin në liri mbasi trazuan ligsht jetën e mijëra shqiptarëve.

Të fundit

KLGJ mbyll pa vendim procedimet ndaj tre gjyqtarëve të shkarkuar

Nga Edmond Hoxhaj Procedimet disiplinore të inicuara nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë në Këshillin e Lartë Gjyqësor për tre...

Lufta e Putin po nxit stagflacionin rus

Ndërsa Rusia vazhdon të tregojë qëndresë, sinjalet në të gjithë ekonominë e saj janë alarmuese: inflacioni po rritet dhe mungesa e fuqisë punëtore dhe...

Cilat janë bankat e reja që do hyjnë në Shqipëri?

Prej 19 vitesh, në Shqipëri nuk është licencuar asnjë bankë e re. Por këtë vit, duket se një bankë e huaj ka shfaqur interes...

Çfarë tregton Shqipëria jashtë vendit?

regtia e jashtme e Shqipërisë për vitin 2024 ka shënuar zhvillime interesante me ndryshime në vlerat e mallrave të eksportuara dhe importuara krahasuar me...

Eksperti i Kriminalistikës: Ka dyshime që Talo Çela mund të jetë vrarë dhe zhdukur

Talo Çela, mund të jetë vrarë dhe zhdukur”, kështu është shprehur eksperti i Kriminalistikës, Ervin Karamuço në një intervistë të zhvilluar në emisionin “Real Story” në...

Lajme të tjera

Web TV