Superliga Evropiane, një projekt i reklamuar së fundmi, tashmë do kthehet në sirtar dhe nuk do të zhvillohet pas gjithë kundërshtimit nga të gjithë palët e interesit të futbollit. Të martën në mbrëmje u tërhoqën të gjitha klubet angleze e më pas vetë liga doli me deklaratën e tërheqjes e direkt pas kësaj, edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), njëkohësisht anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Armand Duka, doli me një deklaratë të postuar në rrjetet sociale.
““Super” Game over!!! – shkruante në postimin e tij kreu i organizmit që qeveris futbollin shqiptar. – Iniciativa e nxituar e disa klubeve evropiane për krijimin e së ashtuquajturës Superligë dështoi. Përshëndes fort rikthimin në sensin e arsyes të klubeve angleze, të cilat morën vendimin për t’u tërhequr nga kjo aventurë dhe për t’u ribashkuar me familjen tonë, UEFA-n, një reflektim i menjëhershëm për të mos vijuar me rrugëtimin pa krye.”
“Falënderime për të gjithë komunitetin e futbollit, i cili u bashkua në unitet e solidaritet unik për të mbrojtur vlerat e vërteta të trashëgimisë sonë më të çmuar, futbollit, lojës më të bukur në botë, – ka vijuar anëtari shqiptar i Komitetit Ekzekutiv të organizmit që qeveris futbollin kontinental. – Falënderime të veçanta e mirënjohje për Presidentin Çeferin, UEFA-n, FIFA-n, Konfederatat simotra, Federatat Kombëtare, qeveritë e vendeve përkatëse, Ligat Profesioniste.”
“Por edhe lojtarët, median dhe veçanërisht tifozët pasionantë anembanë botës për një mbështetje të pakrahasueshme dhe për shpirtin e solidaritetit te treguar. Jam i bindur se, si në çdo moment të vështirë që kemi hasur, edhe nga kjo sfidë futbolli doli edhe më i fortë. Së bashku jemi më të fortë!”, – ka përfunduar postimin e tij Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), njëkohësisht anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Armand Duka.